Kërko

Motrat e Kongregatës së Marisë së Medaljes Mrekullibërëse (Kiev, Ukrainë) me vullnetaret Ilona, ​​​​Assana, Anna Motrat e Kongregatës së Marisë së Medaljes Mrekullibërëse (Kiev, Ukrainë) me vullnetaret Ilona, ​​​​Assana, Anna

Vullnetarë të rinj nga Ukraina për Jubileun e të Varfërve: na ndryshojnë zemrat!

Mes paralajmërimeve të përditshme të sulmeve ajrore për luftë, disa studentë gjejnë mbështetje duke ndihmuar më të ligshtët. Me Motrat e Kongregatës të Marisë së Medaljes Mrekullibërëse, ndihmojnë të pastrehët dhe familjet nevojtare, duke rizbuluar dhembshurinë e shpresën. Në Ditën Botërore të të Varfërve shërbyen drekën me Papën në Sallën Pali VI: "Të vetëm mund të bëjmë pak, por së bashku mund të bëjmë shumë. Gjëja e rëndësishme është të veprojmë, jo të rrimë si të ngrirë në vend".

R.SH. / Vatikan

"Vullnetarizmi është element themelor, që të mbështet në kohë të vështira. Pas një nate tjetër pa gjumë për shkak të bombardimeve, je i lodhur, por prapë duhet të çohesh dhe të shkosh në universitet. Janë takimet me vullnetarë të tjerë që na frymëzojnë: sheh se ata, ashtu si ti, kanë problemet dhe barrën e vet për të mbajtur, por vazhdojnë të punojnë, në ndihmë të pastrehëve, e kjo është shumë frymëzuese" - kujton Ilona, ​​​​21 vjeç, studente universiteti në Kiev, në një intervistë me median e Vatikanit. Për Jubileun e të Varfërve, ajo erdhi në Romë me një grup vullnetarësh të udhëhequr nga motrat rregulltare, që bëjnë pjesë e Familjes Vinçenciane.

Vullnetarë në drekë me të varfrit

"Ne erdhëm në Romë me një grup shtegtarësh me ftesë të Atë Tomaz Mavriç, Epror i Përgjithshëm i Kongregatës së Misionit", shpjegon Motër Marta Meshko, drejtuese e grupit. "Ne u ftuam të ndihmonim ndërsa vullnetarët u shërbenin drekën të varfërve pas Meshës së Shenjtë në Vatikan". Kongregatës së Motrave të Marisë së Medaljes Mrekullibërëse, i themeluar në Slloveni, shërben në Kiev që nga viti 2005. Që atëherë, dhe veçanërisht që nga shpërthimi i luftës në shkallë të gjerë, ndihmon   nevojtarët dhe të pastrehët.

Mbështetje për të zhvendosurit ukrainas

Motër Marta shpjegon se gjatë këtyre tre viteve e gjysmë lufte në Kiev, numri i njerëzve nevojtarë, veçanërisht atyre që humbën shtëpitë, është rritur ndjeshëm. Për këtë arsye, Vinçencianët po përpiqen të zgjerojnë ndihmën e tyre duke ofruar jo vetëm strehim për të pastrehët, por edhe hostele për personat e zhvendosur brenda vendit.

Alarme në Kiev

Në kryeqytetin ukrainas, sirena e sulmit ajror bie pothuajse çdo ditë, duke paralajmëruar rrezikun e bombardimeve ruse. Edhe natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes, disa orë pasi bashkëbiseduesit tanë u larguan nga qyteti për në Romë, Kievi pësoi një sulm masiv rus. Nëntë nga dhjetë lagjet e kryeqytetit u goditën. Shtatë persona u vranë dhe mbi tridhjetë u plagosën. Shumë banorë mbetën pa gaz e pa ngrohje.

Ndërmjet studimeve universitare - dhe punës vullnetare

Të jetosh në këto kushte është tejet e vështirë, por tri gratë e reja - Ilona, ​​​​Anna dhe Assana - që erdhën në Romë me murgeshat, jo vetëm që mbeten të palëkundura, por po arrijnë të vazhdojnë studimet e tyre universitare dhe, në kohën e tyre të lirë, të bëjnë vullnetarizëm në "Shoqërinë e Marta Wiecka-s", degë ukrainase e Shoqatës së Shën Vincentit të Paulit.

“Ne i ndihmojmë të pastrehët: dalim në rrugë dhe u japim atyre sanduiçe dhe çaj, thotë Motër Veronika. Një herë në muaj takohemi me familjet që kanë fëmijë me nevoja të veçanta. Vullnetarët tanë, me mosha të ndryshme nga fëmija në fëmijë, ua kushtojnë kohën këtyre fëmijëve: ata bëjnë detyra të vogla dhe luajnë me ta".

Faleminderit të pastrehëve

Motra e re Veronika arriti në Kongregatës së Motrave të Marisë së Medaljes Mrekullibërëse vetëm tre vjet më parë. Nuk u mësua shpejt me thjeshtësinë dhe harmoninë që mbretëronte ndër murgesha. Pak nga pak,  zbuloi një apostullim që mund të duket i frikshëm në shikimin e parë: murgeshat, përveç shpërndarjes së ushqimit për të varfrit në rrugë, shkojnë edhe në spitale, ku ndihmojnë në larjen e të pastrehëve dhe trajtimin e plagëve të tyre.

"Ky shërbim, i jetuar në frymën e Shën Vincencit", thotë ajo, "të jep një hir të madh: zbulimin se edhe ne mund të jemi të mëshirshëm ndaj njerëzve kaq të prekshëm. E nëse mund të jemi të mëshirshëm, përfytyroj sa më shumë është Zoti me ne. Ky shërbim më ka mësuar dhe më bën të lumtur. Ndonjëherë je i lodhur, por kur kujdesesh për të pastrehët, ata të falënderojnë dhe të bekojnë: është shpërblim që i bën të gjitha përpjekjet e tua të vlefshme. E di se nuk duhet të presim mirënjohje, sepse zhgënjimi është gjithmonë i mundur, por nëse u afrohemi pa pretendime, Zoti prapë gjen një mënyrë për ta shpërblyer të mirën që kemi bërë".

Mbështetje nga vullnetarizmi

Për Ilonën, të jesh pjesë e një bashkësie vullnetarësh të udhëhequr nga murgeshat, është mbështetje e madhe. "Kur dëshiron të bësh diçka të mirë, por nuk je i sigurt se si mund ta arrish dhe ke frikë ose pasiguri, është shumë e dobishme të kesh dikë që të të udhëzojë dhe të të tregojë drejtimin që duhet të ndjekësh" – shpjegon studentja. Ndërsa Ana, 19 vjeçe, e cila po studion për t'u bërë piktore, thotë se në vullnetarizëm të gjithë kërkojnë dhe gjejnë diçka të ndryshme. "Po kërkoja mbështetje dhe, pothuajse rastësisht, arrita tek vullnetariati. Më bëri përshtypje qëndrimi i murgeshave", shton ajo. "Vazhdova të kthehesha aty, e sot e di se ishte zgjedhja e duhur. Të rinjve që kanë frikë të ndihmojnë të pastrehët dhe të varfrit, do t'u thoja këtë: nuk është gjithmonë e lehtë, ndonjëherë disa njerëz mund të jenë të ashpër, por ne jemi bashkësi dhe e përballojmë gjithçka së bashku. Mos kini frikë: kjo përvojë do t'ju ndryshojë zemrën, për mirë, e gjithmonë do të gjeni dikë që është i gatshëm t'ju mbështesë".

16 nëntor 2025, 15:51