Kërko

Libri i fratit karmelitan Lorenci  "Praktika e pranisë së Zotit" Libri i fratit karmelitan Lorenci "Praktika e pranisë së Zotit"

Leoni XIV: fra Lorenci na mëson gëzimin e të jetuarit çdo ditë në praninë e Zotit

Po publikojmë tekstin e plotë të hyrjes së Papës Leoni në librin e fratit karmelitan Lorenci titulluar "Praktika e pranisë së Zotit", në botimin e ri nga Libreria Editrice Vaticana, publikuar më 19 dhjetor. Vepër e një frati francez të thjeshtë e të përvuajtur, që jetoi në shekullin e 17-të, është tekst që, së bashku me të tjerët, ndikoi mbi jetën shpirtërore të Robert Prevost.

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV

Ky libër i vogël e vë në qendër përvojën, më saktë praktikën, e pranisë së Zotit, ashtu siç e përjetoi dhe e mësoi frati karmelit Lorenc i Ringjalljes, i cili ka jetuar në shekullin e  17-të. E kam thënë se, së bashku me shkrimet e Shën Augustinit dhe libra të tjerë, ky është një nga tekstet që ndikuan më shumë në jetën time shpirtërore dhe që e formuan kuptimin tim për rrugën drejt njohjes dhe dashurisë së Zotit.

Rruga që na tregon Fra Lorenci, është njëkohësisht e thjeshtë dhe e mundimshme: e thjeshtë, sepse nuk kërkon asgjë më shumë sesa kujtimin e përhershëm të Zotit, me akte të vogla e të vazhdueshme lavdi, lutjeje, përgjërimi dhe adhurimi, në çdo veprim e çdo mendim, duke e pasur vetëm Atë si burimin e qëllimin tonë. Është e mundimshme, sepse kërkon shtegtim pastrimi, asketizmi, dorëheqjeje dhe kthese të pjesës më intime të vetes, të mendjeve e mendimeve tona, shumë më tepër sesa të veprimeve tona. Këtë u shkroi Shën Pali besimtarëve të Filipit: "Duhet të keni ndërmjet jush ato ndjenja qëishin në Krishtin Jezus" (Fil 2,5). Prandaj, jo vetëm qëndrimet dhe sjelljet tona duhet të jenë në përkim me Zotin, por edhe vetë ndjenjat tona, vetë qenia jonë. Në këtë brendësi, ne gjejmë praninë e Tij, praninë e dashur dhe të zjarrtë të Zotit,  krejt "tjetër", por të njohur për zemrat tona. Siç shkruan Shën Agustini, "njeriu i ri do të këndojë një këngë të re" (Diskutimet 34,1).

Përvoja e bashkimit me Zotin, e përshkruar në faqet e Fratit Lorenzo si  marrëdhënie personale dhe e përbërë nga takime dhe biseda, nga çaste dhe të papritura të fshehura, nga besimi dhe braktisja e plotë, të kujton përvojat e mistikëve të mëdhenj, veçanërisht Terezës së Avilës, e cila e dëshmoi këtë njohje me Zotin deri në atë pikë, sa foli edhe për "Zotin e tenxhereve e të tiganëve". Megjithatë, ajo tregon një rrugë të arritshme për të gjithë, pikërisht sepse e thjeshtë dhe e përditshme.

Ashtu si shumë mistikë, Vëlla Lorenci flet me shumë përvujtëri, por edhe me humor, mbasi e di mirë se çdo gjë tokësore, madje edhe më madhështorja a më dramatikja, është e parëndësishme në krahasim me dashurinë e pafundme të Zotit. Kështu, ai mund të thotë me ironi se Zoti  "e mashtroi", sepse ai, ndoshta duke hyrë disi me arrogancë në manastir për të flijuar veten dhe për të shlyer pa mëshirë mëkatet e rinisë, në vend të kësaj, gjeti një jetë plot gëzim.

Përmes udhëtimit që na ofron Fra’ Lorenzi, ndërsa prania e Zotit gradualisht bëhet e njohur dhe pushton hapësirën tonë të brendshme, gëzimi i ndejës me Të rritet, hiret dhe pasuritë shpirtërore lulëzojnë, e deri punët e përditshme bëhen të lehta, të lehta.

Shkrimet dhe dëshmitë e këtij vëllai laik karmelitan të shekullit të shtatëmbëdhjetë, i cili me fe të ndritshme përshkoi ngjarjet e trazuara të shekullit të tij, sigurisht jo më pak të dhunshme se tonat, mund të jenë gjithashtu frymëzim dhe ndihmë për jetën tonë, të burrave dhe grave të mijëvjeçarit të tretë. Ato na tregojnë se asnjë rrethanë nuk mund të na ndajë nga Zoti, se çdo veprim i yni, çdo profesion i yni e madje, edhe çdo gabim i yni fitojnë vlerë të pafundme, nëse jetohen në praninë e Zotit, duke iu ofruar vazhdimisht Atij.

E gjithë etika e krishterë mund të përmblidhet vërtet në këtë kujtesë të vazhdueshme të faktit se Zoti është i pranishëm: Ai është këtu! Kjo kujtesë, më shumë sesa  kujtesë e thjeshtë, sepse përfshin ndjenjat dhe dashuritë tona, e tejkalon çdo moralizëm dhe çdo reduktim të Ungjillit në një sërë rregullash të thjeshta, e na tregon se me të vërtetë, siç na premtoi Jezusi, përvoja e besimit tek Hyji Atë na jep tashmë njëqindfish këtu mbi tokë. Të besosh në praninë e Zotit, do të thotë të shijosh çaste të  parakohshme të Parrizit!

Qyteti i Vatikanit, 11 dhjetor 2025

19 dhjetor 2025, 12:48