Leo XIV Kishës Libaneze: mes rrënojave të botës, ofroni shtigje drejt rilindjes
R.SH. / Vatikan
"Nuk qenë të kota fjalët me të cilat Papa Shën Gjon Pali II, në një mesazh të vitit 1984 drejtuar qytetarëve të Libanit, u besoi misionin "përgjegjës të shpresës". E dëgjuan dhe u përgjigjën, sepse këtu vijon ndërtimi i bashkësisë dhe i bamirësisë.
Papa Leoni XIV e deklaroi këtë në fjalën e tij, mbajtur në frëngjisht, i ndjekur prej më se 4.000 persona, gjatë takimit me ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare dhe punonjës në fushën e veprimtarisë baritore, sot paradite, më 1 dhjetor, në Shenjtëroren e Zojës së Libanit, në Harissa, dita e dytë e "shtegtimit" të tij në Tokën e Kedrave dhe ndalesa e dytë, pas Türkiye (Turqisë), e udhëtimit të tij apostolik. Harissa, e vendosur në malin me të njëjtin emër, me pamje nga qyteti i Jounieh, është më e rëndësishmja nga Shejtnoret mariane të Lindjes së Mesme, e ndërtuar në vitin 1904, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së dogmës të Zojës së Papërlyer nga Papa Piu IX.
Përgjegjës të vërtetë të shpresës
Prova se fjalët profetike të Papës Wojtyła, "tejet i dashuruar" me vendin e Lindjes së Mesme, u bënë korp, jetë, kujdes dhe bamirësi në shoqërinë libaneze, Leoni e gjeti në katër dëshmitë e dëgjuara gjatë takimit.
Dëshmi afërsie dhe njohjeje, si ajo që sapo u lexua në fragmentin nga Ungjilli i Gjonit, i cili na tregon se Maria, nënë e Klèopës e Maria Màgdala, ishin pranë Kryqit të Krishtit, në Golgotë, ndërsa ai po kryqëzohej.
Duke ndenjur me Marinë pranë Kryqit të Jezusit (krh. Gjn 19,25) lutja jonë, urë e padukshme që bashkon zemrat, na jep forcën për të vazhduar të shpresojmë dhe të punojmë, edhe kur rreth nesh gjëmon potera e armëve dhe vetë kërkesat e jetës së përditshme bëhen sfida.
Kjo afërsi me Kryqin e Jezusit është feja, "spiranca" që, sipas Papës Françesku, citon Ati i Shenjtë Prevost, e mban jetën tonë "të ankoruara në qiell".
E të të rrish i ankoruar në qiell, shpjegon akoma Leoni XIV, është e vetmja mënyrë për të "ndërtuar paqen".
Nga këto rrënjë, të forta dhe të thella si ato të kedrave, dashuria rritet dhe, me ndihmën e Zotit, vepra konkrete dhe të qëndrueshme solidariteti marrin jetë.
Monedha siriane, në lëmoshën e Meshës në një fshat libanez
Vepra dashurie, si ajo e Atë Youhanna-Fouad Fahed, meshtar aktiv në një fshat shumëkonfesional - ku jetojnë myslimanët sunitë, të krishterët ortodoksë dhe të krishterët maronitë krah për krah - të quajtur Debbabiyé, në veri të vendit, në kufirin sirian. Prifti foli frëngjisht për vështirësitë e komunitetit, e kryesisht për viktimat e bombardimeve nga Siria fqinje, ku po kacafytej lufta civile.
Atje, pavarësisht nevojës ekstreme dhe kërcënimit të bombardimeve, të krishterët dhe myslimanët, libanezët dhe refugjatët e përtej kufirit, vijojnë të jetojnë së bashku në paqe dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.
Një bashkësi, e theksoi edhe Papa në fjalën e tij duke u ndaluar në pamjen e monedhave siriane, lënë në qesen e lëmoshës, së bashku me ato libaneze: gjesti, komentoi Papa, "na kujton se në bamirësi secili prej nesh ka diçka për të dhënë e edhe për të marrë", e nënvizoi se" dhënia jonë e ndërsjellë na pasuron të gjithëve dhe na afron me Zotin".
Duke iu përgjigjur tërthorazi Atë Youhanna, i cili më parë foli për "të rinjtë që e shohin të ardhmen vetëm në ikje" përmes migrimit, Papa kujtoi "përgjegjësinë që e kemi të gjithë ndaj tyre".
Është e rëndësishme ta favorizojmë praninë e tyre, madje edhe në strukturat kishtare, duke vlerësuar kontributin e tyre në inovacion dhe duke u dhënë hapësirë. E është e nevojshme, edhe në mes të rrënojave të një bote me dështimet e saj të dhimbshme, t'u ofrojmë perspektiva konkrete dhe të qëndrueshme për rilindje dhe rirritje për të ardhmen.
Të rrish këtu për dashurinë, pavarësisht bombave dhe dhunës
Por për ata që nuk mund të ikin, as përballë kërcënimeve e bombardimeve e as duke kërkuar "siguri dhe paqe", "përgjegjëse për shpresën" janë motrat rregulltare që qëndrojnë pranë tyre, pavarësisht milicive të armatosura që i rrethojnë, duke improvizuar një kamp refugjatësh dhe një qendër studimi për të vazhduar të mbështesin "studentët tanë refugjatë". Kjo është dëshmia e Motrës Dima Chebib, murgeshë e Motrave të Zemrave të Shenjta, e dërguar nga kongregata e saj në Balbeeck, qytet libanez kryesisht mysliman, ku motrat e saj rregulltare kanë qenë të pranishme që nga viti 1882. "Nuk munda të largohesha", tha Motër Dima në frëngjisht.
Leoni XIV thekson rëndësinë e "mbajtjes së shkollave të hapura" edhe përballë "shpërthimit të dhunës": këtu mësohet të "duash mes urrejtjes, të shërbesh edhe kur je i lodhur e të besosh në një të ardhme të ndryshme përtej të gjitha pritjeve".
Kisha në Liban gjithmonë i ka kushtuar shumë rëndësi arsimit. Ju inkurajoj të gjithëve ta vazhdoni këtë punë të lavdërueshme, duke iu drejtuar veçanërisht atyre që kanë nevojë dhe pa burime, atyre me situata të vështira, me zgjedhje të dhuruara nga bamirësia më bujare, në mënyrë që edukimi i mendjes të gërshëtohet gjithmonë me edukimin e zemrës. "Edukimi i zemrës" që, na kujton Papa, përfshin kujdesin e qëndrimit në "shkollën e Kryqit", duke pasur, një “Mësues të vetëm, Krishtin”.
