Papa emëron kryeipeshkvin e ri të Westminster-it
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV ka emëruar kryeipeshkvin e ri metropolit të Westminster-it, në Angli. Bëhet fjalë për imzot Richard Moth, deri tani ipeshkëv i Arundel and Brighton, dioqezë sufragane e Southwark-ut. Ai pason kardinalin Vincent Gerard Nichols, në krye të Kryedioqezës Katolike Romake të Westminster-it që nga viti 2009, i cili ka paraqitur dorëheqjen nga qeverisja baritore, për arsye të limit të moshës.
I lindur më 8 korrik 1958 në Chingola (Zambia), kryeipeshkvi i ri kreu studimet fillore dhe të mesme në shkolla katolike në Kent. Ai mori formimin meshtarak në Seminarin St. John’s në Wonersh, Surrey dhe në Universitetin Saint-Paul të Otavës, ku fitoi Licencën në të Drejtën Kanonike. U shugurua meshtar më 3 korrik 1982 për Kryedioqezën Metropolitane të Southwark-ut. Ka pasur këto detyra: zëvendësfamullitar; gjyqtar i Gjykatës Metropolitane të Shkallës së Parë të Southwark-ut; kapelan i Shërbimit Shëndetësor Ushtarak në Kennington; sekretar personal i kryeipeshkvit; mjeshtër i kremtimeve liturgjike; drejtor i Zyrës së Thirrjeve dhe zëvendëskancelar; kryetar i Gjykatës Metropolitane të Shkallës së Dytë të Southwark-ut.
Në vitin 2001 u emërua vikar i përgjithshëm i Kryedioqezës Metropolitane të Southwark-ut dhe Prelat Nderi; në vitin 2003 administrator famullitar i Holy Cross, Plumstead; në vitin 2006 administrator famullitar i St. Joseph’s dhe St. Mary’s, Cray. Më 25 korrik 2009 u zgjodh ipeshkëv ordinar ushtarak për Britaninë e Madhe, duke marrë shugurimin ipeshkvor më 29 shtator të të njëjtit vit. Më 21 mars 2015 u transferua në selinë e Arundel and Brighton.
