Kërko

Papa Leoni XIV në Sallën Pali VI gjatë audiencës me donatorët e pemës së Krishtlindjes  dhe skenës së lindjes së Jezusit në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa Leoni XIV në Sallën Pali VI gjatë audiencës me donatorët e pemës së Krishtlindjes dhe skenës së lindjes së Jezusit në Sheshin e Shën Pjetrit.

Papa kujton viktimat e masakrës së Sidneit: "Mjaft me dhunën antisemite"

Papa pret dhuruesit e bredhit dhe të skenës të lindjes së Betlehemit, që do të përurohen sot pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke soditur këto simbole, lutet për "dhuratën e paqes" dhe për ata që vuajnë nga dhuna, pa harruar të vdekurit dhe të plagosurit gjatë sulmit në plazhin Bondi gjatë Hanukkah. Falënderon, më pas, edhe Kosta Rikën për dhuratën e një skene lindjeje në Sallën Pali VI, stolisur me 28,000 shirita në kujtim të jetëve të shpëtuara nga aborti: "Jeta qoftë e mbrojtur nga zënia".

R.SH. / Vatikan

Sytë ngulen tek Bredhi dhe Betlehemi - skena e lindjes së Jezusit, "shenjë besimi dhe shprese"; zemra, për ata që vuajnë nga "lufta" dhe "dhuna"; mendimet, për  popullin e Sidneit, tronditur nga të shtënat e mbrëmshme (me kohën australiane) në plazhin Bondi gjatë Hanukkah, "festivalit të dritave" hebraike,  shndërruar në një çast errësire dhe dhimbjeje me vdekjen e 15 vetëve (të vdekur edhe dy atentatorët e vrarë nga policia) dhe afërsisht tridhjetë të plagosur.

Papa Leoni XIV pret në audiencë, në Sallën Pali VI, dhuruesit e bredhit të Krishtlindjes dhe të skenës së lindjes së Jezusit, që përurohen sot pasdite, në orën 17.00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke filluar nga meditimi i këtyre simboleve të Krishtlindjes, Papa i kërkon Zotit ta "ripërtërijë në ne dhuratën e paqes dhe të vëllazërisë". Pastaj Leoni XIV lutet për "ata që vuajnë për shkak të luftës dhe të dhunës", duke filluar nga popullsia australiane e, në veçanti, komuniteti hebraik, i cili vajton, ndërmjet viktimave të tjera, vdekjen e Rabinit Eli Schlanger.  E Papa pohon:

“Sot dëshiroj t'ia besoj Zotit viktimat e sulmit terrorist të djeshëm kundër bashkësisë hebraike në Sidnei”.

Zoti pranë njerëzimit

Papa Leoni i kujton mbarë njerëzimit afërsinë e Zotit, të cilën e simbolizon skena e lindjes së Krishtit:

"Shtegtarëve nga mbarë bota, që do të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit, më Vatikan, skena e lindjes së Krishtit do t’u kujtojë se Zoti i afrohet njerëzimit, bëhet një prej nesh, duke hyrë në historinë tonë me vogëlsinë e një foshnje", këtë kujtoi Papa sot në audiencën e tij me donatorët e veprës, këtë vit nga Dioqeza e Nocera Inferiore-Sarno. Vepër e cila, theksoi, bashkon "artin me përshpirtërinë në një mjedis që rrëfen fenë dhe rrënjët kulturore" të rajonit të Kampanjës, banuar nga Shën Alfonsi Maria de' Liguori dhe Shërbëtorët e Zotit, don Enrico Smaldone dhe Alfonso Russo.

Në varfërinë e stallës së Betlehemit, ne sodisim misterin e përvujtërisë e të dashurisë. Para çdo skene lindjeje të Krishtit, madje edhe atyre të vendosura në shtëpitë tona, ne e rijetojmë atë ngjarje dhe rizbulojmë nevojën për të kërkuar çaste heshtjeje dhe lutjeje në jetën tonë, e për të rizbuluar veten dhe për të hyrë në bashkim me Zotin.

Heshtja dhe adhurimi

"Heshtja" është një nga qëndrimet që Papa i nxit në këtë epokë e që në fjalimet e kaluara përshkruhet si "zhurmë". "Heshtje adhuruese" për të cilën Virgjëra Mari është model, duke e ruajtur çka pa dhe dëgjoi "në zemër”:

“Heshtja e saj nuk është thjesht heshtje: është mrekulli dhe adhurim"

Skena e lindjes së Krishtit në Kosta Rika në kujtim të jetëve të ruajtura nga aborti

Leoni XIV foli edhe për një tjetër skenë lindjeje: është ajo që do të mbetet në Sallën e Palit VI gjatë gjithë kohës së Krishtlindjes. Vjen nga Kosta Rika (një delegacion nga vendi është i pranishëm në Vatikan, me Zonjën e Parë Signe Zeicate, vajzën e saj dhe ambasadorin pranë Selisë së Shenjtë) dhe titullohet Nacimiento Gaudium. "Secili prej njëzet e tetë mijë shiritave me ngjyra që dekorojnë skenën e Lindjes së Jezusit, përfaqëson një jetë të shpëtuar nga aborti falë lutjes dhe mbështetjes së ofruar nga organizatat katolike për shumë nëna në vështirësi" - theksoi Papa - Falënderoj artistin kosta-rikan i cili, së bashku me mesazhin e paqes së Krishtlindjes, donte të niste edhe një thirrje për mbrojtjen e jetës që nga zënia.

Pema, simbol i jetës dhe i dritës në errësirë

Në fjalimin e tij, Papa foli më pas për "dritën""jetën" dhe "shpresën". Bredhi i Krishtlindjes në Vatikan, dhuratë nga pyjet e komunave të Lagundos dhe Ultimos në Dioqezën e Bolzano-Bressanones, Itali, është emblemë e të gjitha këtyre. Me degët e tij gjithmonë të gjelbra, është shenjë e jetës dhe kujtesë e shpresës që nuk shuhet kurrë, madje as në të ftohtin e dimrit. Dritat që e zbukurojnë, simbolizojnë Krishtin, dritën e botës, i cili erdhi për të davaritur errësirën e mëkatit e për të ndriçuar rrugën tonë. Prej këndej, falënderojmë të gjithë punëtorët, bizneset e përfshira dhe Drejtorinë e Infrastrukturës e të Shërbimeve të Guvernatoratit për angazhimin e tyre bujar.

Së fundmi, i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne në përgatitjet për Krishtlindje:

"Ta lejojmë butësinë e Krishtit Fëmijë ta ndriçojë jetën tonë. E të lejojmë që dashuria e Zotit, si degët e një peme gjithnjë të gjelbra, të mbetet e zjarrtë brenda nesh".

15 dhjetor 2025, 14:34