Kërko

Papa lutet mbi varrin e Shën Charbelit: e mbroftë Libanin dhe popullin e tij

Leoni XIV e filloi ditën e dytë të udhëtimit në Bejrut me një shtegtim në Manastirin Annaya dhe u lut në shpellën ku prehen eshtrat e murgut Charbel: "Paraardhësit e mi do ta kishin dëshiruar shumë". Nga ky vend ku rrjedh "një lumë mëshire", Papa kërkon paqe për botën. Paqja, thotë ai, "lind vetëm nga shndërrimi i zemrave

R.SH. / Vatikan

"Sot dëshirojmë t'ia besojmë ndërmjetësimit të Shën Charbelit nevojat e Kishës, të Libanit e të botës. Për Kishën kërkojmë bashkim, unitet... E për botën kërkojmë paqe. Lutemi sidomos për Libanin e për të gjithë Levanten”.

I vendosi këtu, Papa, shpresat e dhimbjet e Libanit, të Lindjes së Mesme të mbarë botës. Në këtë shpellë guri, të mbrojtur nga një mur xhami e të ndriçuar nga një dritë e zbehtë që depërton brenda një varri të ngushtë prej kedri, bën gjumin e mbram Shën Charbel Makluf, murgu i konsideruar shenjtori mbrojtës qiellor i vendit, i shpallur shenjt nga Pali VI, në vitin 1977. Njihet për mbi 29.000 mrekulli shëruese, shumë prej të cilave falë vajit që, sipas traditës, filloi të rrjedhë vazhdimisht nga trupi i tij menjëherë pas vdekjes. Papa Leoni XIV, gjatë ditës së dytë në Tokën e Kedrave, udhëtoi mbi 40 km nga Bejruti dhe u ngjit në një lartësi prej afërsisht 1.200 metrash për të arritur në këtë vend nga i cili, siç pohoi, rrjedh "një lumë mëshire", e edhe për të vendosur një llambë "simbol drite, që Zoti  e ndezi këtu përmes Shën Charbelit".

Duk e ofruar këtë llambë, ia besoj mbrojtjes së Shën Charbelit Libanin dhe popullin e tij, që të mund të ecë gjithnjë në dritën e Krishtit. E falënderojmë Zotin për dhuratën e Shën Charbelit!

Një qytet i tërë e pret krahapur Papën

Është homazhi i Ipeshkvit të Romës për këtë figurë, që fiton mbarë devocionin e një populli. Duke përfshirë edhe myslimanët, që jetojnë në lagjen Byblos, e cila hap rrugën për Annaya-n. Annaya, fjalë për fjalë "kori i eremitëve", një komunë në distriktin Jbeil të guvernatoratit të Malit Liban. I vendosur në një nga kodrat më piktoreske të vendit, Manastiri i Shën Marounit, i drejtuar nga Urdhri Maronit Libanez, në perëndim të fshatit Ehmej dhe në jug të fshatit Mechmech, shikon nga Bejruti. Rruga për të arritur atje është dredha-dredha dhe tregon diversitetin që karakterizon Libanin, me shtëpitë e tij të rrënuara dhe rrokaqiejt në ndërtim e sipër, butikët luksozë dhe tezgat e frutave të thata, rrugët e gjera dhe rrugët me gropa, kryqëzimet dhe flamujt e zinj islamikë.

Shi, ftohtë, lagështi në këtë mëngjes të hershëm dhjetori. Një gri e përgjithshme e thyer vetëm nga e kuqja dhe e bardha e flamujve libanezë si dhe e verdha e e bardha e flamujve të Vatikanit. Janë kudo, zbukurojnë çdo shtëpi, çdo dyqan e çdo restorant, së bashku me portretin e Papës  zbukuruar nga banderolat, tabelat e mirëseardhjes dhe posterat gjigante që mbajnë mesazhe si: "Papa është Shpresë". "Qyteti i Paqes mirëpret Lajmëtarin e Paqes"... Kështu shkruhet në një tabelë të madhe në frëngjisht, përmbi një urë. Disa nga këto banderola janë varur mbi ndërtesa të shkatërruara, ato që u rrënuan nga shpërthimi në port. Duken si fasha, që mbulojnë plagë ende të hapura.

Qindra mijëra njerëz janë në rrugë. Brohorisin, përshëndesin, duartrokasin dhe presin Papën, i cili udhëton nga Bejruti në Annaya me Papamobile. Edhe më shumë janë mbledhur jashtë Manastirit që nga mëngjesi, nën çadra dhe mushama. Shfletojnë fletë letre me shkrime në gjuhë të ndryshme, disa madje edhe në italisht. Për shembull, ajo e dy motrave, fjalët e të cilave ngjallin butësi, pavarësisht pasigurisë: "Papa Leoni, Liban, të dua". E edhe ajo e Awautif, 76 vjeç, me sy të qelqtë, me një kapelë leshi, që erdhi nga Egjipti thjesht për të falënderuar Papën: "Jemi shumë të lumtur që po vjen ndërmjet nesh, sepse Libani ka nevojë për dikë që sjell dashuri dhe paqe ndërmjet njerëzve. Ne kemi humbur dashurinë, bamirësinë dhe miqësinë. Por jemi të lum, sepse jeni këtu, e zemra e juaj është e madhe".

Vizita në Manastir dhe lutja mbi varr

Papa mbërriti në Annaya rreth orës 9:30 të mëngjesit, i përshëndetur nga një gjëmim, jehona e të cilit mund të dëgjohej jashtë manastirit. Brenda ka vetëm heshtje, alternuar me disa këngë në gjuhën arabe dhe psalme të një kori prej katër murgjish të rinj. Eprori i Përgjithshëm i Urdhrit Maronit Libanez, Aba Mahfouz Hady, e mirëpret Papën dhe e çon  në oborrin ku janë të pranishëm Presidenti Joseph Aoun dhe gruaja e tij. Një këngë shoqëron hyrjen e Leonit në shpellën e varrit të shën Charbelit. Këtu Papa u gjunjëzua para varrit në lutje personale. Lutja e shqiptuar nga Papa është shkruar në karta lutjeje, që u shpërnda të pranishmëve në kapelë:

O Zot, që i dhe Shën Charbelit, rojtarit të heshtjes në jetën e fshehur, dritën e së vërtetës për të soditur thellësitë e dashurisë sate, na jep edhe ne, që ndjekim shembullin tënd, hirin për të luftuar luftën e mirë të fesë në shkretëtirën e kësaj bote.

Papa shtegtar

Më pas Leoni ndezi llambën kushtimore. "Hir mbi hir" - përsëriti disa herë Atë Hady në përshëndetjen, duke e falënderuar Papën, sepse prania e tij - shtoi - "e shndërron jetën tonë të përditshme në parashijimin e përjetësisë". Aba Hady kujton edhe se si, saktësisht një shekull më parë, në vitin 1925, Eprori i Përgjithshëm i Urdhrit Maronit, Atë Ignace Dagher, i paraqiti Papës Piu XI, në Vatikan, çështjen për lumnimin dhe kanonizimin e Shën Charbelit. "Dhe ja, në vitin 2025, njëqind vjet më vonë, Shenjtëria Juaj, Pasardhës i Pjetrit, vjen për të bekuar të njëjtin manastir me praninë tuaj, duke shenjtëruar kështu kujtimin dhe duke ripërtërirë hirin".

I ulur në një kolltuk të bardhë, sipër të cilit një lojë perspektive zbulon fytyrën e Shën Charbelit nga ikona e vendosur mbi varr, Papa Leoni XIV flet për hirin e Zotit. Para së gjithash, hirin e atyre që janë "shtegtarë" tek shenjti libanez:

Paraardhësit e mi - mendoj veçanërisht për Shën Palin VI, i cili e lumnoi dhe e kanonizoi atë - do ta kishin dëshiruar shumë.

Një mesazh shenjt për të gjithë

Ky shenjt, i cili jetoi i fshehur dhe i heshtur, është mesazh për të gjithë. Për botën, sepse "atyre që jetojnë pa Zot" u mëson lutjen; ​​"atyre, që jetojnë në zhurmë" u mëson heshtjen; ​​"atyre që jetojnë për pamjen e jashtme" u mëson modestinë; "atyre që kërkojnë pasuri", u mëson varfërinë. "Këto janë të gjitha sjellje kundër rrymës, por pikërisht për këtë arsye ne tërhiqemi prej tyre, si uji i freskët dhe i pastër për ata që ecin në shkretëtirë" - tha Papa. Shën Charbel është mesazh edhe për ipeshkvijtë e meshtarët dhe njerëzit e kushtuar sepse "kujton kërkesat ungjillore të thirrjes sonë". E është mesazh "për të gjithë të krishterët" me "koherencën e tij, sa radikale, aq edhe e përulur".

Kur ishte gjallë, theksoi Leoni XIV, shumëkush shkoi tek ai për "ngushëllim, falje dhe këshillë". E edhe pas vdekjes së tij, "e gjithë kjo u shumëfishua": më 22 të muajit, mijëra shtegtarë vijnë këtu nga vende të ndryshme "për të kaluar një ditë lutjeje dhe freskimi të korpit e të shpirtit".

Paqe për Botën

Papa ia besoi Shën Charbelit Kishën, familjet "Kisha të vogla shtëpiake" - dhe botën, duke u lutur për paqen. Atë, që nuk mund të ekzistojë "pa kthimin e zemrave".

"Prandaj Shën Charbeli na ndihmoftë të kthehemi te Zoti dhe ta kërkojmë dhuratën e kthimit për të gjithë ne", u lut Papa.

E pas çastit të lutjes Ati i Shenjtë vizitoi muzeun e Manastirit, që kujdeset për objekte dhe relike historike, i shoqëruar nga Eprori i Përgjithshëm i Urdhrit Maronit. Nga jashtë brohoritja e turmës mbetej e palëkundur. Pavarësisht nga shiu i rrëmbyeshëm, e priste Papën për ta përshëndetur pas trembëdhjetë vjetësh!

01 dhjetor 2025, 12:05