Papa: mendova se po dilja në pension, ndërsa iu dorëzova Zotit
R.SH. / Vatikan
"Para së gjithash, dua t'ju falënderoj ju të gjithëve që punuat kaq shumë. Do të doja t’ua përcillni këtë mesazh edhe gazetarëve të tjerë, si në Turqi - ashtu edhe në Liban - të cilët punuan për të komunikuar mesazhet e rëndësishme të këtij udhëtimi. Ju të gjithë meritoni edhe duartrokitje për këtë udhëtim".
Me këto fjalë, Papa Leoni XIV i përshëndeti 81 gazetarët në fluturimin e kthimit nga Bejruti - për në Romë dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre, duke folur anglisht, italisht dhe spanjisht. Udhëtimi, Lindja e Mesme, lufta në Ukrainë, prania e Evropës në bisedimet e paqes dhe situata në Venezuelë ishin ndër temat më të trajtuara nga Papa, i cili kohët e fundit mori një dhuratë, një pikturë të punuar me dorë nga një korrespondent libanez, transmetuar drejtpërdrejt në Televizion. Ajo e paraqet atë dhe vendet simbolike që vizitoi në Tokën e Kedrave.
Joe Farchakh (LBC International): Ju jeni Papë amerikan, që po udhëheq një proces paqeje. Pyetja ime është nëse do t'i përdorni kontaktet tuaja me Presidentin Donald Trump dhe Kryeministrin Benjamin Netanyahu; ju thatë, në aeroplan, se Vatikani është mik i Izraelit. A do ta trajtoni edhe çështjen e ndalimit të agresionit të Izraelit kundër Libanit? Dhe - a është e mundur paqja e qëndrueshme në rajon?
Para së gjithash, po, mendoj se paqja e qëndrueshme është e mundur. Mendoj se kur flasim për shpresën, kur flasim për paqen, kur shikojmë drejt së ardhmes, e bëjmë këtë sepse është e mundur që paqja të vijë përsëri në rajon dhe në vendin tuaj, në Liban. Bisedova me disa nga udhëheqësit e vendeve që përmendët, e kam ndërmend të vazhdoj ta bëj këtë, personalisht ose përmes Selisë së Shenjtë, sepse fakti është se kemi marrëdhënie diplomatike me shumicën e vendeve në rajon, dhe sigurisht që do të ishte shpresa jonë të vazhdojmë ta bëjmë këtë thirrje për paqe, për të cilën fola në fund të Meshës së sotme.
Imad Atrach (Sky News Arabia): Në fjalimin tuaj të fundit, pati një mesazh të qartë për të negociuar me autoritetet libaneze. Të negociosh, të dialogosh, të ndërtosh. A do të bëjë Vatikani diçka konkrete në këtë drejtim? Mbrëmë u takuat me një përfaqësues shiit. Para udhëtimit tuaj, Hezbollahu ju dërgoi një mesazh; nuk e di nëse e morët a e lexuat. Çfarë mund të na tregoni për të? Ju falënderoj shumë që vizituat Libanin, gjë që ishte ëndërr për ne.
Aspekt i këtij udhëtimi nuk ishte arsyeja kryesore, sepse udhëtimi lindi duke pasur parasysh çështjet ekumenike, me temën e Nikesë, takimin me patriarkët katolikë dhe ortodoksë dhe kërkimin e unitetit në Kishë. Gjatë këtij udhëtimi, pata edhe takime personale me përfaqësues të grupeve të ndryshme, që përfaqësojnë autoritetet politike, individët ose grupet e përfshira në konflikte të brendshme e edhe ndërkombëtare në rajon. Puna jonë nuk është kryesisht diçka që e deklarojmë publikisht në rrugë; ndonëse është disi prapa skenave. Është diçka që e kemi bërë tashmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë për të bindur palët të braktisin armët dhe dhunën e tyre dhe të bashkohen në tryezën e dialogut. Për të kërkuar përgjigje dhe zgjidhje që nuk janë të dhunshme, por që mund të jenë më të dobishme.
(Mesazhi i Hezbollahut)
Po, e pashë. Kisha me sa duket po propozon që ato të braktisin armët e tyre dhe të kërkojnë dialog. Por përtej kësaj, preferoj të mos komentoj në këtë kohë.
Cindy Wooden (Shërbimi Katolik i Lajmeve): Atë i Shenjtë, disa muaj më parë Ju thatë se ka shumë për të mësuar kur je Papë. Kur mbërritët në Harissa dje, me një pritje të ngrohtë, t’u duk se dikush që tha: "Uau!". A mund të na tregoni se çka po mësoni? Cila është gjëja më e vështirë në lidhje me mësimin për të qenë Papë? Nuk na ke thënë asnjëherë e asgjë për atë që ndjeve në Konklav, kur u bë e qartë ajo që po ndodhte. A mund të na tregoni pak për këtë?
Epo, komenti im i mëparshëm ishte se do të kalonin vetëm një ose dy vjet, që unë të dilja një ditë në pension. Ju me sa duket e keni marrë këtë dhuratë; disa prej nesh do të vazhdojnë të punojnë në vend të kësaj (shaka që kujton faktin e kolegut tënd i cili do të dalë në pension në dhjetor, red.). Epo, komenti im i parë është se vetëm para një ose dy vjetëve edhe unë mendova të dilja në pension një ditë.
Lidhur me Konklavin, unë besoj absolutisht në sekretin e tij, edhe pse e di që ka pasur intervista publike në të cilat janë zbuluar gjëra të caktuara. I thashë një gazetareje një ditë para se të zgjidhesha, e cila më kishte ndaluar në rrugë, se isha duke shkuar për drekë tek augustinianët. E ajo më pyeti: "Je bërë një nga kandidatët! Çfarë mendon?". E unë u përgjigja thjesht: "Gjithçka është në duart e Zotit". E besoj këtë thellësisht. Njëri prej jush, një gazetar gjerman këtu, më tha një tjetër ditë: më tregoni një libër, përveç Shën Agustinit, që të mund ta lexojmë për të kuptuar se kush është Prevosti. Ka shumë, por njëri prej tyre është një libër i quajtur "Praktika e pranisë së Zotit". Është një libër vërtet i thjeshtë, i shkruar shumë vite më parë nga dikush që as nuk e nënshkruan mbiemrin, Vëlla Lawrence. Por përshkruan një lloj lutjeje dhe përshpirtërie gjatë së cilës dikush thjesht ia jep jetën Zotit dhe e lejon Zotin ta udhëheqë. Nëse doni të dini diçka rreth meje, rreth përshpirtërisë sime për shumë vite, do të më shikoni mes sfidave të mëdha, duke jetuar në Peru gjatë viteve të terrorizmit, e duke u thirrur për të shërbyer në vende ku nuk mendoja kurrë se do të thirresha për të shërbyer. Unë shpresoj në Zotin e ky mesazh është diçka që e bashkëndaj me të gjithë. Pra, si ishte? U dorëzova kur pashë se si po shkonin gjërat dhe thashë se kjo mund të bëhej realitet. Mora frymë thellë dhe thashë: Ja ku jam, Zot, ti je prijësi, ti i prin rrugës.
Nuk e di nëse thashë "uau" mbrëmë (në Harissa). Në kuptimin se fytyra ime është shumë ekspresive, por shpesh më argëton mënyra se si gazetarët e interpretojnë këtë fytyrë. Është interesante, ndonjëherë marr ide të shkëlqyera nga ju, mbasi mendoni se mund të lexoni në mendimet ose në fytyrën time. Nuk keni gjithmonë të drejtë. Isha në Jubileun e Rinisë; atje kishte mbi një milion të rinj. Mbrëmë kishte një turmë të vogël. Është gjithmonë e mrekullueshme për mua. Mendoj me vete: "Këta njerëz janë këtu sepse duan të shohin Papën", por pastaj them me vete: "Ata janë këtu sepse duan të shohin Jezu Krishtin" dhe duan të shohin një lajmëtar paqeje, veçanërisht në këtë rast. Pra, vetëm të ndjesh entuziazmin e tyre dhe të dëgjosh përgjigjen e tyre ndaj këtij mesazhi, është tejet mbresëlënëse. Shpresoj vetëm të mos lodhem kurrë së vlerësuari gjithçka që po tregojnë këta të rinj.
Gian Guido Vecchi (Corriere della Sera): Këto janë orë tensioni të madh ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, me diskutime për luftë hibride, perspektivën e sulmeve kibernetike dhe të ngjashme. A e shihni rrezikun e shkallëzimit, të konflikti zhvilluar me mjete të reja, siç e kanë denoncuar udhëheqësit e NATO-s? E, në këtë klimë, a mund të ketë negociata për paqe të drejtë pa Evropën, e cila është përjashtuar sistematikisht nga presidenca amerikane në muajt e fundit?
Kjo është qartë një çështje e rëndësishme për paqen botërore, por Selia e Shenjtë nuk ka pjesëmarrje të drejtpërdrejtë sepse ne nuk jemi anëtarë të NATO-s ose të asnjërit prej dialogëve deri më sot. Edhe pse kemi bërë thirrje të përsëritura për armëpushim, dialog, jo luftë. Dhe tani është një luftë me shumë aspekte, duke përfshirë shtimin e armëve, gjithë prodhimin që ekziston, sulmet kibernetike, energjinë. Tani që po vjen dimri, ka një problem serioz atje. Është e qartë që, nga njëra anë, presidenti amerikan mendon se mund të përgatisë një plan paqeje, që do të donte ta zbatonte, të paktën fillimisht, e pa Evropën. Megjithatë, prania e Evropës është e rëndësishme dhe ai propozim fillestar u modifikua pjesërisht për shkak të asaj që po thoshte Evropa. Konkretisht, mendoj se roli i Italisë mund të jetë shumë i rëndësishëm. Nga ana kulturore dhe historike, aftësia e Italisë për të vepruar si ndërmjetëse në një konflikt ndërmjet palëve të ndryshme, përfshirë Ukrainën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës... Në këtë kuptim, mund të këshilloja që Selia e Shenjtë ta inkurajojë këtë lloj ndërmjetësimi dhe që të kërkohet e të kërkojmë së bashku një zgjidhje që mund të ofrojë vërtet paqe, një paqe të drejtë, në këtë rast në Ukrainë.
Elisabetta Piqué (La Nación): Flamuri libanez është me të njëjtën ngjyrë, si flamuri i Perusë. A është kjo shenjë se do të bëni një udhëtim në Amerikën Latine në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, së bashku me Argjentinën dhe Uruguain? Duke lënë mënjanë shakatë, çfarë udhëtimesh planifikoni për vitin e ardhshëm? E, duke folur për Amerikën Latine, ka shumë tension për atë që po ndodh në Venezuelë. Presidenti Trump i ka lëshuar një ultimatum Maduros për të dhënë dorëheqjen, për të hequr dorë nga pushteti, madje e ka kërcënuar ta "largojë nga pushteti" me një operacion ushtarak. Cilat janë mendimet tuaja për këtë?
Përsa i përket udhëtimeve, nuk ka asgjë të sigurt. Shpresoj të realizoj një udhëtim në Afrikë. Ky mund të jetë udhëtimi im i ardhshëm.
Ku?
Afrika, Afrika. Personalisht shpresoj të shkoj në Algjeri për të vizituar vendet e Shën Augustinit, por edhe për të vazhduar dialogun, për të ndërtuar ura ndërmjet botës së krishterë dhe asaj myslimane. Kam pasur tashmë mundësinë të flas për këtë temë në të kaluarën, në një veshje tjetër. Është interesante; figura e Shën Augustinit ndihmon shumë si urë, sepse në Algjeri ai është shumë i respektuar si bir i atmes. Kjo është njëra prej tyre. Pastaj ka disa vende të tjera, por ne po punojmë për këtë. Natyrisht, do të doja të vizitoja Amerikën Latine, Argjentinën dhe Uruguain, të cilat e presin vizitën e Papës. Peruja, mendoj, do të më mirëpresë, e edhe nëse shkoj në Peru, shumë vende fqinje do të më mirëpresin gjithashtu, por plani nuk është përfunduar ende.
Lidhur me Venezuelën, në nivelin e Konferencës Episkopale dhe me nuncin, po përpiqemi të qetësojmë situatën, duke kërkuar mbi të gjitha të mirën e popullit, sepse në këto situata, janë njerëzit që vuajnë, jo autoritetet. Thashethemet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë dhe kjo mbetet për t’u parë... Nga njëra anë, duket se ka pasur një bisedë telefonike ndërmjet dy presidentëve; nga ana tjetër, ekziston ky rrezik, kjo mundësi, që të ketë ndonjë aktivitet, ndonjë operacion, përfshirë pushtimin e territorit të Venezuelës. Unë përsëri besoj se është më mirë të kërkohet dialog brenda këtij presioni, përfshirë presionin ekonomik, por të kërkohet një mënyrë tjetër për të ndryshuar gjërat, nëse kjo është çka do të vendosin të bëjnë Shtetet e Bashkuara.
Mikail Corre (La Croix): faleminderit për këtë udhëtim interesant. Ju përmendët vazhdimin e ndërtimit të urave ndërmjet botëve të ndryshme. Do të doja t'ju pyesja: disa katolikë në Evropë besojnë se Islami është kërcënim për identitetin e krishterë të Perëndimit. A kanë të drejtë, apo çfarë do të dëshironit t'u thoshit atyre?
Të gjitha bisedat që kam pasur ditët e fundit, si në Turqi ashtu edhe në Liban, përfshirë ato me disa myslimanë, janë përqendruar në temën e paqes dhe të respektit për njerëzit e feve të ndryshme. E di se kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. E di se ka shumë frikë në Evropë, por shumicën e kohës ajo krijohet nga njerëz që janë kundër imigracionit dhe që përpiqen t’i mbajnë larg njerëzit, që mund të vijnë nga një vend tjetër, një fe tjetër ose një racë tjetër. Dhe në këtë kuptim, do të doja të thoja se të gjithë duhet të punojmë së bashku. Një nga gjërat pozitive të këtij udhëtimi është se ka tërhequr vëmendjen e botës drejt mundësisë së dialogut dhe miqësisë ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve. Mendoj se një nga mësimet e mëdha që Libani mund t’i mësojë botës, është pikërisht se ai përfaqëson një tokë ku Islami dhe Krishterimi janë të pranishëm dhe të respektuar, dhe ku është e mundur të jetohet së bashku e edhe të jenë miq. Historitë dhe dëshmitë që kemi dëgjuar gjatë dy ditëve të fundit janë të njerëzve që ndihmojnë njëri-tjetrin. Të krishterëve dhe myslimanëve, të dyve u janë shkatërruar fshatrat, për shembull, e ata na thanë se mund të jenë së bashku dhe të punojnë së bashku. Mendoj se ky është mësim i rëndësishëm për t’u pasur parasysh në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Ndoshta duhet të kemi shumë më pak frikë dhe të kërkojmë mënyra për të nxitur dialogun dhe respektin autentik.
Anna Giordano (Radio Ard): Kisha në Liban mbështetet edhe nga Kisha në Gjermani. Për shembull, ka disa agjenci ndihme gjermane aktive në Liban. Nga kjo perspektivë, është e rëndësishme që Kisha në Gjermani të mbetet e fortë. Siç e dini me siguri, ekziston një rrugë sinodale, Synodaler Weg, një proces ndryshimi në Kishën Gjermane, që është në vazhdim. A mendoni se ky proces mund të jetë një mënyrë për të forcuar Kishën, apo është e kundërta? Dhe pse?
Rruga sinodale nuk është e vetmja në Gjermani; e gjithë Kisha kremtoi një sinod dhe sinodalitet në vitet e fundit. Ka ngjashmëri të mëdha, por edhe disa dallime të theksuara ndërmjet mënyrës se si është kryer Synodaler Weg në Gjermani dhe se si mund të vazhdohet më mirë, në Kishën universale. Nga njëra anë, do të thoja se ka vend lidhur me respektin për inkulturimin. Fakti që sinodaliteti jetohet në një mënyrë të caktuar në një vend dhe jetohet ndryshe në një tjetër, nuk do të thotë se duhet të ketë një këputje ose thyerje. Mendoj se kjo është vërtet e rëndësishme për t'u mbajtur mend. Në të njëjtën kohë, kam frikë që shumë katolikë në gjermanë besojnë se disa aspekte të rrugës sinodale të kremtuar deri tani në Gjermani, nuk përfaqësojnë shpresat e tyre për Kishën ose mënyrën e tyre të përjetimit të Kishës.
Prandaj, dialogu dhe dëgjimi i mëtejshëm brenda vetë Gjermanisë janë të nevojshëm, në mënyrë që asnjë zë të mos përjashtohet e zërat e më të fuqishmëve të mos i heshtin zërat e atyre që mund të jenë tejet të shumtë, por nuk kanë vend për të folur dhe për t'u dëgjuar. Në mënyrë që zërat e tyre dhe shprehjet e pjesëmarrjes në Kishë të dëgjohen. Në të njëjtën kohë, siç jam i sigurt se e dini, grupi i ipeshkvijve gjermanë u takua vitet e fundit me një grup kardinajsh nga Kuria Romake. Edhe atje është duke u zhvilluar një proces për të siguruar që rruga sinodale gjermane të mos devijojë, si të thuash, nga ajo që duhet të konsiderohet si rrugë e Kishës universale. Jam i sigurt se kjo do të vazhdojë. Besoj se do të ketë disa përshtatje nga të dyja palët në Gjermani, por shpresoj sinqerisht se gjërat do të funksionojnë pozitivisht.
Rita El-Mounayer (Sat-7 International): Jemi katër kanale të ndryshme të krishtera transmetimi në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, dy në arabisht, një në persisht dhe një në turqisht. Para së gjithash, do të doja t'ju falënderoja që i kushtoni kohën tuaj popullit libanez. Unë vetë jam një bijë lufte dhe e di sa shumë do të thotë të marrësh një përqafim nga Shenjtëria e Tij, një përkëdhelje në shpinë dhe të të thuhet se gjithçka do të shkojë mirë. Ajo që më bëri përshtypje ishte motoja juaj: "In Illo Uno Unum". Kjo moto flet për ndërtimin e urave ndërmjet besimeve të ndryshme të krishtera, ndërmjet feve dhe, madje, ndërmjet fqinjëve, gjë që ndonjëherë mund të jetë pak si e vështirë. Nga perspektiva juaj, çfarë dhurate unike mund t'i ofrojë Kisha Lindjes së Mesme - me të gjitha lotët, plagët, sfidat dhe historinë e saj - Kishës në Perëndim dhe botës?
Dëshiroj t’ia nisi duke thënë se njerëzit sot janë rritur në një shoqëri shumë individualiste. Të rinjtë - të cilët kanë kaluar shumë kohë (në kompjuter) gjatë pandemisë Covid dhe që shpesh kanë marrëdhënie personale shumë të izoluara, sepse komunikojnë vetëm përmes ekraneve të kompjuterëve ose telefonave inteligjentë - ndonjëherë pyesin veten: "Pse duhet të dëshirojmë të jemi një? E pse unë jam një individ dhe nuk jam i interesuar për të tjerët". Unë mendoj se ka një mesazh shumë të rëndësishëm këtu, për t'iu përcjellë të gjithëve: uniteti, miqësia, marrëdhëniet njerëzore dhe bashkimi janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe jashtëzakonisht të çmuara. Qoftë edhe vetëm për shembullin që përmendët, për dikë që ka përjetuar luftë ose ka vuajtur dhe po vuan, çfarë mund të thotë një përqafim? E ajo shprehje shumë njerëzore, reale dhe e shëndetshme e kujdesit personal, për të shëruar zemrën e dikujt tjetër? Në një nivel personal, kjo mund të bëhet nivel komuniteti që na bashkon të gjithëve dhe na ndihmon ta kuptojmë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, duke shkuar shumë përtej thjeshtësisë: "Ju qëndroni larg, unë do të qëndroj këtu, ju qëndroni atje, e ne nuk do të bashkëveprojmë". Në vend të kësaj, kjo do të thotë ndërtim i marrëdhënieve që i pasurojnë të gjithë njerëzit. Me këtë mesazh, sigurisht, motoja ime është falë Krishtit, "në Illo" dhe "në Krishtin që është një, e ne të gjithë jemi një". Por nuk është vetëm për të krishterët. Në realitet, është një ftesë për të gjithë ne dhe për të tjerët të themi se sa më shumë të kemi sukses në unitetin dhe mirëkuptimin autentik, në respektin dhe marrëdhëniet njerëzore të miqësisë dhe dialogut në të gjithë botën, aq më të mëdha janë shanset që të lëmë mënjanë armët e luftës, të lëmë mënjanë mosbesimin, urrejtjen dhe armiqësinë zhvilluar kaq shpesh dhe të gjejmë një mënyrë për t’u bashkuar dhe për ta nxitur paqen dhe drejtësinë autentike në të gjithë botën.
Udhë të mbarë të gjithëve - e të gjithëve, faleminderit!
