Kërko

Papa në spitalin psikiatrik të Bejrutit: "Ju, të sëmurët, jeni në zemrën e Zotit"

Leoni XIV viziton spitalin e La Croix, të menaxhuar nga motrat rregulltare françeskane të Kryqit, që çdo ditë kujdesen për 800 persona me aftësi të kufizuara mendore dhe psikike. Pritje e madhe për Papën, i cili merr si dhuratë mbi 70 rruzare të bëra dorë nga pacientët. Papa bëri thirrje që të mos i harrojmë të varfërit: "Nuk mund të imagjinohemi një shoqëri që vrapon me shpejtësi duke u mbështetur në mitet e rremë të mirëqenies, duke injoruar shumë situata të varfërisë dhe të dobësisë".

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV vizitoi sot spitalin Croix në Jal ed Dib, pranë Bejrutit, ku trajtohen pacientët me aftësi të kufizuara të ndryshme, përfshirë ato psikiatrike. Spitali drejtohet nga rreth tridhjetë motra rregulltare françeskane të Shëna Kryqit, që aktualisht trajtojnë afërsisht tetëqind pacientë, shumica e të cilëve janë braktisur nga familjet që nuk janë në gjendje të paguajnë për kujdesin e shëndetit të tyre. Është ndalesa e parë e Papës Prevost në ditën e fundit të udhëtimit të tij apostolik në Liban.

"Ajo që përjetojmë në këtë vend është një paralajmërim për të gjithë", tha Papa Leoni, "për tokën tuaj, por edhe për të gjithë njerëzimin: nuk mund t'i harrojmë më të brishtët e shoqërisë, nuk mund ta imagjinojmë një shoqëri që ecën me shpejtësi të madhe, duke u kapur pas miteve të rreme të mirëqenies, duke injoruar kaq shumë situata të varfërisë dhe brishtësisë. Në veçanti, ne të krishterët, që jemi Kisha e Zotit Jezus, jemi të thirrur të kujdesemi për të varfrit".

"Britma e të varfërve", shtoi Papa, "i thërret mendjes e shpirtit, zemrës e ndjenjave sfidon". Pastaj Leoni XIV iu drejtua edhe "vëllezërve dhe motrave të prekur nga sëmundja: "do të doja vetëm t'ju kujtoja se jeni në zemrën e Zotit, Atit tonë". Ai ju mban në pëllëmbët e duarve të tij, ju shoqëron me dashuri, ju ofron butësinë e tij nëpërmjet duarve dhe buzëqeshjeve të atyre që kujdesen për jetën tuaj. Sot, "Zoti u përsërit secilit prej jush: të dua, kujdesem për ty, ti je biri im! Mos e harroni kurrë këtë. Shukrán! Allah ma'akum (Faleminderit! Zoti qoftë me ju)"

02 dhjetor 2025, 09:49