Papa: pas udhëtimit në Turqi e Liban, sot ditë pushimi në Castel Gandolfo
R.SH. / Vatikan
Papa kalon sot një ditë pushimi në Castel Gandolfo pas udhëtimit të tij të parë ndërkombëtar në Turqi dhe Liban, i cili përfundoi dje pasdite, më 2 dhjetor. Ati i Shenjtë Leoni XIV nuk e mbajti sot audiencën e përgjithshme të së mërkurës me shtegtarë, por të shtunën e ardhshme, më 6 dhjetor, Papa do të mbajë audiencën e përgjithshme jubilare.
Ishte vetë Leoni - duke u larguar nga rezidenca papnore në Castel Gandolfo disa javë më parë - i cili u tha mediave se shprehja latine "mens sana in corpore sano” “mendje e shëndetshme në trup të shëndetshëm" vlen edhe për të: "Unë bëj pak sport, pak lexim, pak punë. Çdo ditë merrem me korrespondencë, telefonata: disa çështje më urgjente. Pak tenis, pak not." "Mendoj se njerëzit", theksoi Papa Prevost, "për t'u kujdesur për veten siç duhet, duhet të bëjnë disa ushtrime: duke u kujdesur si për trupin ashtu edhe për shpirtin". Leoni XIV rrëfeu gjithashtu se: "Për mua, një pushim gjatë javës është shumë i mirë; më ndihmon shumë". Papa kthehet në Vatikan këtë mbrëmje.
