Kërko

Papa: pranë Zotit ka vend për të gjithë, paqja është dhurata më e çmuar

Duke iu drejtuar të rinjve të Veprimit Katolik Italian, Leoni XIV kujton se pajtimi i vërtetë nuk është thjesht “mungesë luftërash”, por një “miqësi e vërtetë ndërmjet popujve”. Ai mbin nga marrëdhëniet e përditshme, dhuratat e të cilave janë shumë më të ndritshme “se ato që mund të blihen në dyqane” në prag të Krishtlindjes.

R.SH. – Vatikan

Maria dhe Jozefi, barinjtë, gomari dhe kau: skena e lindjes (grazhdi shpellës së Betlehemit) është shfaqja më e drejtpërdrejtë dhe më vizuale e faktit se, pranë Jezusit, askush nuk përjashtohet. Një bashkësi që buron nga dhurata më e ndritshme se çdo dhuratë e Krishtlindjes e blerë në dyqane: harmonia, paqja. Ky është aspekti i Lindjes së afërt të Zotit që Papa Leoni XIV shqyrton sot paradite, më 19 dhjetor, duke pritur të rinjtë e Azione Cattolica Italiana në Sallën e Koncistorit në Pallatin Apostolik të Vatikanit.

“Ka vend për të gjithë”

Vetë emri i shoqatës ‘Azione Cattolica’, thotë Papa, është një manifest i qartë i synimit të saj: të dëshmojë Ungjillin brenda një “udhëtimi” që përfshin mbarë Kishën. Leoni XIV kujton më pas edhe një herë kohën e Ardhjes (Adventit), e cila ndër gjestet e saj më domethënëse përfshin përgatitjen e shpellës së Betlehemit me skenën e lindjes së Jezusit në shtëpi, në shkolla dhe në famulli kishtare.

Teksa shikoni Shën Jozefin dhe Zoja Mari, barinjtë, gomarin dhe kaun, shihni të realizuar titullin e rrugëtimit tuaj shoqëror të këtij viti: “Ka vend për të gjithë”. Po, rreth Zotit, që bëhet njeri për të na shpëtuar, ka vend për të gjithë!

Nga fëmija te i rrituri, nga i riu te i moshuari, Biri i Zotit që vjen në botë nuk kërkon strehë në një shtëpi, por në zemrën e secilit. Dhe, njëkohësisht, e hap të vetën “për t’i pranuar të gjithë me dashuri”.

Jo vetëm “të mirë”, por “më të mirë”

Ndër figurat që popullonin paraqitjet e Lindjes së Jezusit janë edhe engjëjt, lajmëtarë të lavdisë së Zotit dhe të paqes për njerëzit. Papa i nxit të rinjtë të jenë si ata: në fakt, pajtimi është një angazhim që u përket të gjithëve njerëzve me vullnet të mirë, por në mënyrë të veçantë të krishterëve, të cilët janë të thirrur jo vetëm të jenë “të mirë”, por edhe “më të mirë”, ditë pas dite. Shembuj të këtij rrugëtimi të rritjes janë të rinjtë që janë shpallur shenjtorë Pier Giorgio Frassati – që ishte pjesë e Azione Cattolica Italiana – dhe Carlo Acutis. Urimi i Papës është që “pasioni” i tyre për Ungjillin dhe veprat e tyre, të nxitura vazhdimisht nga dashuria, të mund të gjallërojnë edhe të rinjtë e sotëm.

Duke vepruar si ata, shpallja juaj e paqes do të jetë e ndritshme, sepse në shoqërinë e Jezusit do të jeni vërtet të lirë dhe të lumtur, gati t’i shtrini dorën të afërmit, sidomos atij që është në vështirësi.

Të bësh paqen, një “veprim katolik” par excellence

Krishtlindja, vijon Papa, kremton lindjen e “Princit të paqes”. Një pohim që zbulon kuptimin e vërtetë të pajtimit: jo vetëm “mungesë luftërash”, por mbi të gjitha “miqësi ndërmjet popujve e themeluar mbi drejtësinë”. Është dëshira që bashkon kombet e goditura nga konfliktet. Megjithatë, kujton Papa, harmonia dhe respekti lindin para së gjithash nga marrëdhëniet e përditshme, “nga gjestet dhe fjalët që shkëmbejmë në shtëpi, në famulli, me shokët e shkollës dhe të sportit”.

Prandaj, para Natës së shenjtë të Krishtlindjes, mendoni për një person me të cilin të bëni paqe: do të jetë një dhuratë më e çmuar se ato që mund të blihen në dyqane, sepse paqja e pajtimi janë një dhuratë që gjendet, vërtet, vetëm në zemër.

Në përfundim, duke u kthyer te kuptimi i thellë i emrit të shoqatës Azione Cattolica, të bësh paqen është “një veprim katolik” par excellence: gjesti që e bën secilin dëshmitar të Jezusit, “Shëlbuesit të botës”.

19 dhjetor 2025, 10:37