Kërko

Papa: puna të mos jetë vend vdekjeje, ndërmarrjet komunitete njerëzore dhe vëllazërore

Duke pritur në audiencë Urdhrin e Konsulentëve të Punës, Leoni XIV rithekson domosdoshmërinë që gjithmonë të vihet në qendër personi dhe jo tregu apo fitimi. Detyra parësore e ndërmarrjes – shpjegon Ati i Shenjtë – është të jetë “një sinergji solidare”. “Parandalimi është më i mirë se kurimi”, nënvizon Ati i Shenjtë duke iu referuar “vdekjeve në punë”.

R.SH. – Vatikan

Siguria në punë është “një shërbim për jetën”, “është si ajri që marrim frymë: e kuptojmë rëndësinë e tij vetëm kur mungon tragjikisht, dhe atëherë është gjithmonë tepër vonë!”. Papa Leoni, në audiencën e sotme, më 18 dhjetor, me Urdhrin e Konsulentëve të Punës, rikujton fjalët e Papa Françeskut në takimin me ANMIL-in, Shoqatën Kombëtare të të Gjymtuarve dhe Invalidëve të Punës, më 11 shtator 2023. Urgjenca, pra, është promovimi i sigurisë në vende të punës dhe për këtë arsye Ati i Shenjtë shpreh vlerësim për formimin dhe përditësimin e punëtorëve në këtë drejtim.

Fatkeqësisht, edhe sot janë ende shumë aksidentet dhe “vdekjet e bardha” që ndodhin në vendet e punës. Ato që duhet të jenë gjithmonë hapësira jete – ku njerëzit kalojnë çdo ditë një pjesë të madhe të kohës së tyre dhe shpenzojnë një pjesë të madhe të energjive – shpesh shndërrohen në vende vdekjeje dhe dëshpërimi… Parandalimi është më i mirë se kurimi, dhe pikërisht këtë synojnë kontributet tuaja të çmuara formuese.

Dinjiteti i punëtorit

Respekti dhe mbrojtja e personit në vendin e punës është koncepti që Ati i Shenjtë Leoni XIV e përsërit në fjalimin e tij, duke theksuar disa herë se “në çdo programim dhe projektim të ndërmarrjeve”, punëtorët dhe punëtoret duhet të njihen të respektuar në dinjitetin e tyre dhe për rrjedhojë të marrin “përgjigje konkrete ndaj nevojave të tyre reale”. Duke cituar idenë e Papa Françeskut shprehur në Dilexi te, se përmes punës bëhesh “vërtet person”, njerëzimi lulëzon dhe “të rinjtë bëhen të rritur”.

Këto fjalë na kujtojnë se në qendër të çdo dinamike pune nuk duhet të vendosen as kapitali, as ligjet e tregut, as fitimi, por personi, familja dhe e mira e tyre, ndaj të cilave gjithçka tjetër është funksionale.

Komunitete njerëzore dhe vëllazërore

Papa Leoni kujton më pas prioritetet: “domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve të reja, të prindërve me fëmijë të vegjël, si edhe rëndësinë e ndihmës për ata që, edhe pse punojnë, duhet të kujdesen për familjarë të moshuar dhe të sëmurë”. Janë nevoja që asnjë shoqëri civile nuk duhet t’i neglizhojë.

Sot, në një kontekst ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë menaxhojnë dhe kushtëzojnë veprimtaritë tona, është urgjente të angazhohemi që ndërmarrjet të karakterizohen para së gjithash si komunitete njerëzore dhe vëllazërore.

Sinergjia solidare

Një tjetër pikë që Papa Leoni XIV trajton në fjalimin e tij lidhet më drejtpërdrejt me rolin e konsulentëve të punës, të thirrur të jenë “nyje lidhëse mes figurave drejtuese dhe punonjësve”, pra të lehtësojnë ndërmjetësimin mes ndërmarrjeve dhe atyre që punojnë në to. Ati i Shenjtë paralajmëron, megjithatë, kundër “një burokratizimi të tepruar të marrëdhënieve” dhe “shkëputjes nga realiteti”.

Të dyja janë të dëmshme, sepse me kalimin e kohës e bëjnë mjedisin e ndërmarrjes të pajetueshëm, duke e penguar të jetë, sipas thirrjes së saj më të vërtetë, një sinergji solidare.

Duke përshëndetur përfaqësuesit e Urdhrit të Konsulentëve të Punës, Papa i inkurajon të vazhdojnë veprimtarinë e tyre “me pasion dhe përkushtim”, “një angazhim i çmuar dhe me shumë përgjegjësi, që kërkon kompetencë dhe ndjenjë drejtësie”. Ati i Shenjtë ia beson ata ndërmjetësimit të Marisë Virgjër dhe Shën Jozefit, mbrojtësit qiellor të punëtorëve.

18 dhjetor 2025, 11:26