Kërko

Papa: kërkimi i gjurmëve të Zotit në një histori në dukje të humbur është detyra e të krishterëve

Në Meshën që kryesoi në Beirut Waterfront, Leoni XIV shprehu mirënjohjen për "ditët intensive" të udhëtimit të tij të parë apostolik, nga të cilat bartë me vete vuajtjet dhe shpresat e njerëzve që takoi. Papa nxiti t’i njohim "gjurmët e Zotit" në gjestet e vogla të jetës së përditshme, në mënyrë që të mos i dorëzohemi "idhujtarisë së parasë" dhe të çarmatosim zemrat tona përballë "të keqes që po përhapet".

R.SH. – Vatikan

Zhurma e "armaturës" së brishtë dhe iluzore - mbyllje etnike dhe politike të ngurtësuara nga koha - që shkërmoqen përtokë, të mposhtura dhe të çarmatosura nga filiza të vegjël që mbijnë kokëfortësisht, duke premtuar rilindje brenda një historie "në dukje të humbur". Dhe për çdo armaturë që bie, një komb ngrihet përsëri: Libani, bukuria e lashtë e kënduar në Shkrimin e Shenjtë, "profeci paqeje" për të gjithë Lindjen e Mesme. Ky është horizonti që Papa Leoni XIV sodit sot paradite, më 2 dhjetor, ndërsa kryeson Meshën në Bregun e Bejrutit, në ditën e fundit të udhëtimit të tij të parë apostolik ndërkombëtar.

Rrënojat dhe Rilindja

Vendi ku kremtohet Mesha është vija bregdetare midis marinës dhe qendrës së kryeqytetit të Tokës së Kedrave: një tokë e rikuperuar nga deti falë punimeve dhe rrënojave të qendrës së Bejrutit, e rrafshuar me tokë në fund të Luftës së Libanit, para rindërtimit. Një vend që për këtë arsye mban në vete si shenjën e shkatërrimit ashtu edhe, akoma më shumë, atë të rilindjes. Këtu mbërrin Papa, duke bërë një turne në një papamobile midis besimtarëve që festojnë duke valëvitur flamujt e vendit të tyre.

Përmasa e lavdit

Në predikimin e tij, Leoni XIV falënderon për "ditët intensive" që sapo kanë kaluar, nga të cilat ai bartë me vete vuajtjet dhe shpresën e shumë takimeve, me mirënjohjen me të cilën Jezusi i drejtohet Atit në Ungjillin e Lukës.

Të dashur vëllezër dhe motra, në fund të këtyre ditëve intensive, të cilat i kemi bashkndarë me gëzim, kremtojmë falënderimet tona ndaj Zotit për dhuratat e shumta të mirësisë së tij, për mënyrën se si është i pranishëm midis nesh, për Fjalën që na ofron me begati dhe për gjithçka që na ka dhënë duke jetuar së bashku. Edhe Jezusi - sikur sapo dëgjuam në Ungjill - ka fjalë mirënjohjeje për Atin dhe, duke iu drejtuar Atij, lutet: "Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit dhe i tokës" (Luka 10,21).

Megjithatë, përmasa e lavdit nuk gjen gjithmonë hapësirë ​​brenda nesh. Ndonjëherë, të rënduar nga mundimet e jetës, të preokupuar nga problemet e shumta që na rrethojnë, të paralizuar nga pafuqia përballë së keqes dhe të shtypur nga kaq shumë situata të vështira, ne jemi më të prirur për dorëzim dhe vajtim sesa për mahnitje të zemrës dhe falënderim.

Kënga e Libanit

Papa i drejton popullit libanez një ftesë për lavdërim, si pronarë të një toke me "bukuri të rrallë", por të shënuar nga të këqija të afta për të errësuar një madhështi të tillë. Leoni XIV kremton bukurinë e saj duke cituar Shkrimet e Shenjta: Psalmet këndojnë për kedrat e fuqishëm, simbole të vendit; Kënga e Këngëve krahason aromën e rrobave të nuses me atë të tokës së Lindjes së Mesme.

Dhe në Jerusalem, qytetin e shenjtë të veshur me dritë për ardhjen e Mesisë, Ai shpall: "Prej teje do të vij nderi i Libanit , qiparis, vidh e bredh së bashku, për të stolisur vendin e Shenjtërores sime, po, të lavdishëm do ta bëj vendin ku i vë këmbët e mia".

Plagët e një Populli

Megjithatë, madhështive të tilla u kundërvihen plagët dhe vuajtjet që janë të vështira për t'u shëruar, siç ishte shpërthimi në portin e Bejrutit më 4 gusht 2020, i cili vrau 218 persona dhe plagosi më shumë se 7.000. Papa pak para kremtimit të Meshës e vizitoi vendin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme e aty u ndal në një moment lutjeje në heshtje, duke u takuar me familjet e viktimave. Shkëlqimi i tokës libaneze është gjithashtu i errësuar edhe nga një kontekst politik "i brishtë" dhe "shpesh i paqëndrueshëm", së bashku me krizën ekonomike "dramatike" që e ka kapluar Libanin, e edhe me dhunën e konfliktet "që kanë rizgjuar frikërat e lashta".

Drita në Zemrën e Natës

Në kushte të tilla, nuk është e lehtë të jesh mirënjohës, pranon Papa. Është e natyrshme të dorëzohesh ndaj zhgënjimit, të shohësh lavdërimin të zhytet në shkretëtirën e zemrës, duke lejuar që "burimi i shpresës" të thahet në pasiguri dhe çorientim.

Fjala e Zotit, megjithatë, na fton të gjejmë dritat e vogla që shkëlqejnë në zemër të natës, si për t'u hapur ndaj mirënjohjes ashtu edhe për të na nxitur në një angazhim të përbashkët në favor të kësaj toke.

Mesia në një syth

Në fakt, Jezusi nuk falënderon për vepra të jashtëzakonshme, por për një dritë të zbuluar të vegjëlve, atyre që "duket se kanë pak ose aspak vlerë". Ato janë ato filiza të vegjël që, siç shkruan Izaia profet, mbijnë nga një trung: një metaforë veçanërisht e përshtatshme në një vend që përdor kedrin si simbol të tij.

Një shpresë e vogël që premton rilindje kur gjithçka duket se po vdes. Kështu shpallet Mesia, dhe, duke ardhur në vogëlsinë e një sythi, ai mund të njihet vetëm nga të vegjlit, nga ata që, pa pretendime të mëdha, mund të dallojnë detajet e fshehura, gjurmët e Zotit në një histori në dukje të humbur.

Sy të Rinj

Historia që duhet shkruar, sipas Papës, është pra ajo e syve të rinj, të aftë të njohin vlerën e sythit që rritet edhe në dhimbje.

Drita të vogla që shkëlqejnë natën, filiza të vegjël që mbijnë, fara të vogla të mbjella në kopshtin e thatë të kësaj kohe historike, edhe ne mund t'i shohim ato, madje këtu, madje edhe sot.

Leoni XIV e njeh vlerën e vogëlsisë para së gjithash në familje, pastaj e zgjeron atë në shkollat e krishtera, famullitë, kongregatat rregulltare, lëvizjet, meshtarët, rregulltarët dhe laikët. Për të gjithë ata, lartohet lutja e Jezusit: "Të falënderojmë e lëvdojmë, o Atë!"

"Zoti e ka menduar jetën tonë"

Megjithatë, të falënderosh nuk është një ngushëllim "intim dhe iluzor": mirënjohja duhet ta shndërrojë zemrën, ta kthejë atë në jetë, duke kujtuar se, në dritën e fesë, "Zoti e ka menduar jetën tonë".

Dhe, për këtë arsye, të gjithë jemi të thirrur t’i kultivojmë këto filiza, të mos dekurajohemi, të mos i nënshtrohemi logjikës së dhunës dhe idhujtarisë së parasë, të mos dorëzohemi përballë së keqes që po përhapet.

Çarmatosja e zemrave

Ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë: çarmatosja e zemrave.

Le të heqim armaturën e mbylljeve tona etnike dhe politike, le t'i hapim besimet tona fetare për takim të ndërsjellë.

"Liban, ngrihu!"

Rinisja mund dhe duhet të fillojë në Liban, ku shpresa e Papës është që të gjithë të mund ta njohin njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra. Është një ëndërr që i është besuar popullit të tij.

Liban, ngrihu! Ji një shtëpi drejtësie dhe vëllazërie! Ji një profeci paqeje për të gjithë Levantin!

Përshëndetja nga Patriarku i Antiokisë së Greko-Melkitëve

Mesha e Papës në Bejrut filloi me përshëndetjen e mirëseardhjes nga Patriarku i Antiokisë i Greko-Melkitëve , Youssef Absi, i cili nga ana e tij shprehu mirënjohjen për angazhimin e Papës për të "ruajtur dhe mbështetur" Kishat Lindore. Udhëtimi i tij i parë apostolik ishte një burim ngushëllimi për të gjithë banorët e Lindjes së Mesme, "të shqetësuar dhe të dezorientuar", të cilët besojnë plotësisht një përpjekjen e vazhdueshme për të sjellë më në fund paqem në rajon. Gjatë vizitave të tij - nga shenjtërorja e Shën Charbelit deri te pacientët e spitalit De la Croix – Papa Leoni XIV tregoi "thelbësoren": lutjen dhe kujdesin për ata që vuajnë. Një shenjë që bëhet për të gjithë një burim gëzimi të thellë dhe ajo paqe "që asgjë dhe askush nuk mund të na e heqë, sepse janë premtim i Zotit". Falënderime nga Patriarku i Antiokisë së Maronitëve

Në fund të kremtimit Eukaristik, foli Kardinali Béchara Boutros Raï, Patriarku i Antiokisë së Maronitëve, duke shprehur mirënjohjen dhe gëzimin e tyre të përbashkët për praninë e Papës. Kjo vizitë ringjall vendosmërinë e popullit libanez për të punuar për paqen në rajon. Duke kujtuar misionin që Leoni XIV ia ka besuar çdo besimtari - "të ndërtojë ura" dhe të inkurajojë njerëzimin – kardinali Raï thekson se si mesazhi i bashkimit midis të gjithë elementëve të shoqërisë libaneze "është një far që ndriçon rrugën tonë për të dalë nga sprovat dhe udhëheq zemrat tona drejt jetës së rizbuluar". Në përfundim, Papa i dhuron kardinalit një kelkë shenjtë.

02 dhjetor 2025, 10:18