Papa, të rinjve: keni dhuratën e kohës, përdoreni për të ëndërruar e për të krijuar paqen
R.SH. / Vatikan
Në një botë kaq të shpërfytyruar saqë lufton për ta njohur veten në pasqyrë, ku asgjë nuk duket se zë rrënjë, madje as duke i vendosur afate dashurisë, të rinjtë çmojnë një dhuratë aq të përkohshme sa edhe të fuqishme: kohën.
Ka "kohë për gjithçka", na kujton Libri i Koheletit, e në ditët e rinisë, hapësirat hapen për të ëndërruar, për të organizuar dhe për të krijuar një paqe që nuk mund të fshihet nga koha. Një paqe që zë rrënjë, po, sepse ka rrënjë aq të thella, sa edhe degët e saj. Ashtu si një kedër libanez.
Është ky përfytyrimi - një pemë e lashtë që lartohet në qiell, në lartësitë e Bkerké mbi Gjirin e Jounieh-ut - e që formon sfondin e fjalëve të Papës Leoni XIV. Papa u drejtohet të rinjve në sheshin e Patriarkanës Maronite të Antiokisë, në Bejrut. Papa i dëgjon të rinjtë, u përgjigjet pyetjeve të tyre dhe së bashku me ta bën një "premtim paqeje", që i ngjan "shkëlqimit të agimit" të parë, në "natën e errët" që po përjeton njerëzimi.
"Ju keni kohë!"
Assalamu lakum!
"Paqja qoftë me ju!". Papa Leoni XIV përshëndet në arabisht, për t'u afruar me të rinjtë e pranishëm, të cilët vijnë jo vetëm nga Libani, por edhe nga Siria dhe Iraku. Gjatë takimit, disa shkëmbejnë historitë e tyre, duke folur për "guximin në vuajtje", "shpresën në zhgënjim" dhe "paqen e brendshme" në kohë lufte. Këto janë përvoja në të cilat të gjithë mund të identifikohen, por që, në rastin e Libanit, tregojnë historinë e një vendi të prekur nga plagë të thella, "të cilat përpiqen sa munden për t'u shëruar", sepse ato i tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe janë të ndërthurura me dinamika komplekse shoqërore dhe politike.
Të dashur të rinj, ndoshta ju vjen keq që keni trashëguar një botë të shkatërruar nga luftërat dhe të shpërfytyruar nga padrejtësia shoqërore. Megjithatë, brenda jush banon një shpresë, një dhuratë, që duket se na shpëton ne të rriturve. Keni kohë! Keni më shumë kohë për të ëndërruar, për t'u organizuar dhe për të bërë mirë. Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja që tashmë po ndërtohet në duart tuaja! Dhe keni entuziazmin për të ndryshuar rrjedhën e historisë! Rezistenca e vërtetë ndaj së keqes nuk është e keqe, por dashuri, e aftë të shërojë plagët e veta, ndërkohë që shëron ato të të tjerëve.
“Jini linfa e shpresës që pret vendi!”
Në Liban shoqërohen shpesh kedrat e tij, simbole të unitetit dhe pjellorisë. Papa kujton formën e tyre unike:
Ne e dimë mirë se forca e kedrit qëndron në rrënjët e tij, të cilat normalisht kanë të njëjtën madhësi me degët. Numri dhe forca e degëve korrespondon me numrin dhe forcën e rrënjëve.
Një detaj që kujton “mirësinë e madhe” të pranishme në shoqërinë libaneze, fryt i angazhimit të përvuajtur të shumë punonjësve të paqes: “rrënjë të mira”, që synojnë të mos rrisin vetëm një degë, por kedrin “në gjithë bukurinë e tij”.
Nxirreni nga rrënjët e mira angazhimin e atyre që i shërbejnë shoqërisë dhe nuk e “përdorin”atë për interesat e tyre. Me një angazhim bujar ndaj drejtësisë, të planifikojmë së bashku një të ardhme paqeje dhe zhvillimi. Jini limfa e shpresës, që Vendi e pret!
“Paqja nuk është e vërtetë, nëse është thjesht fryt i interesave të pjesëshme”
Leoni XIV vazhdon duke iu përgjigjur pyetjes së parë të bërë nga të rinjtë: si të qëndrojmë "të palëkundur në shpresë" në kontekstin e një vendi "pa stabilitet shoqëror dhe ekonomik", të mbytur nga frika e një konflikti "që mund të shpërthejë nga çasti në çast ".
Të dashur miq, kjo pikë e fiksuar nuk mund të jetë ide, kontratë apo parim moral. Parimi i vërtetë i jetës së re është shpresa që vjen nga lart: është Krishti! Ai vdiq dhe u ringjall për shpëtimin e të gjithëve. Ai, Krishti Gjallë, është themeli i fesë sonë; është dëshmitari i mëshirës, që e shëlbon botën nga çdo e keqe.
E keqja e luftës zhduket nëpërmjet pajtimit që nuk buron nga "interesat partiake", por nga parimi që të kujton shprehjen e mirënjohur “Mos ia bëj tjetrit, çka s’të kënda ta bëjnë ty”. Leoni XIV i bën jehonë fjalëve të Shën Gjon Palit II: "Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk ka drejtësi pa falje", duke ripohuar se pajtimi qëndron në zemër të mungesës së konfliktit.
"Nuk mund të duash vërtetë, nëse nuk do deri në fund"
Pyetja e dytë ka të bëjë me marrëdhëniet, të cilat janë gjithnjë e më të shpejta: "nga takimi - në ndarje, nga angazhimi - në braktisje". Për të kultivuar marrëdhënie të sinqerta dhe autentike, Papa tërheq vëmendjen e individualizmit. Marrëdhëniet, vëren ai, duken gjithnjë e më të përkohshme, e edhe "të konsumuara" si objekte. Besimi tek të tjerët shpesh zëvendësohet nga ndjekja e përfitimit personal, duke zbrazur konceptet e miqësisë e të dashurisë, ndonjëherë të ngatërruara me "një ndjenjë kënaqësie egoiste".
Nëse në qendër të një lidhjeje miqësie a të një dashurie është egoja jonë, ajo marrëdhënie nuk mund të jetë e frytshme. Po kështu, dikush nuk do vërtetë, nëse do për një periudhë të kufizuar, për sa kohë që zgjat një ndjenjë: dashuria me një datë skadimi është dashuri e varfër. Përkundrazi, miqësia është e vërtetë kur thotë "ti" para "unë". Ky vështrim respektues dhe mikpritës ndaj të tjerëve na lejon të ndërtojmë një "ne" më të madhe, të hapur për gjithë shoqërinë, për të gjithë njerëzimin.
Dashuria e vërtetë dhe e qëndrueshme pasqyron shkëlqimin e Zotit, "që është dashuri", e bazohet në besimin e anasjelltë dhe "përgjithmonë", që shoqëron thirrjen për familje dhe për jetë të shenjtëruar.
"Ndërtoni një botë më të mirë se ajo që gjetët!"
Dashuria dhe bamirësia, pohon Papa, dëshmojnë për "praninë e Zotit në botë". Ato e bëjnë këtë duke folur një gjuhë universale, drejtuar zemrave, jo përmes idealeve abstrakte, por përmes historive të Jezusit dhe shenjtorëve. Papa i fton këta të fundit, veçanërisht më të rinjtë, të shikojnë e të hartojnë shtigje të reja pa i lëshuar zemra nga padrejtësitë e "dëshmitarët e padrejtë".
Me forcën që merrni nga Krishti, ndërtoni një botë më të mirë se ajo që gjetët! Ju të rinjtë jeni më të drejtpërdrejtë në krijimin e marrëdhënieve me të tjerët, madje edhe me ata me prejardhje të ndryshme kulturore dhe fetare. Ripërtëritja e vërtetë, që dëshiron një zemër e re, fillon me gjeste të përditshme: mirëpritja e atyre që janë afër dhe larg, shtrirja e dorës miqve dhe refugjatëve, dhe ofrimi i faljes së vështirë, por të domosdoshme, armikut.
Leoni XIV kujton figura të tilla si Shenjtorët Pier Giorgio Frassati dhe Carlo Acutis, të shenjtëruar në Vitin Jubilear aktual, si dhe libanezët: Shenjtja Rafqua, me rezistencën e saj përballë dhimbjes, dhe i Lumi Yakub El-Haddad, pranë atyre që kanë më shumë nevojë.
"Kini kohë për t’i mbyllur sytë".
Shembulli i shkëlqyer, edhe më i shkëlqyer në "dritën e zbehtë në të cilën deshi të tërhiqej", i Shën Charbelit, i konsideruar shenjti mbrojtës qiellor iLibanit, bie shumë në sy. Papa u lut pranë varrit të tij këtë mëngjes, dhe përshkrimi i tij me sytë e mbyllur - "sikur të ruante një mister pafundësisht më të madh" - frymëzoi një himn, që Leoni XIV e citon:
O ju që fleni, dhe sytë tuaj janë dritë për tanët, nën qepallat tuaja lulëzoi një kokërr temjani.
Në një botë që sundohet nga "shpërqendrimet dhe kotësia", Papa i fton të rinjtë të lënë mënjanë kohën për “t’i mbyllur sytë" dhe për të parë Zotin, i cili "ndonjëherë duket i heshtur, ose mungon", por u zbulohet atyre që e kërkojnë në heshtje. Duke ndjekur shembullin e Shën Charbelit dhe duke i bërë jehonë ftesës së Benediktit XVI drejtuar të krishterëve në Levant, Leoni XIV i inkurajon ata të "kultivojnë vazhdimisht miqësinë e vërtetë me Jezusin, përmes lutjes".
“Shpresa është virtyt i varfër”
Nga sytë e Shën Charbelit, biseda zhvendoset në shikimin e Marisë Virgjër, rruzaren e së cilës e mbajnë gjithmonë me vete një mori të rinjsh: “në xhep, në kyçin e dorës ose rreth qafës”. Dhe arrin te Shën Françesku i Asiziz, te lutja e tij “e thjeshtë dhe e bukur” që Papa ua propozon brezave të rinj:
O Zot, më bëj mjet të Paqes sate: ku ka urrejtje, të sjell Dashuri; ku ka fyerje, të sjell falje; ku ka mosmarrëveshje, të sjell unitet; ku ka dyshim, të sjell besim; ku ka gabim, të sjell të vërtetën; ku ka dëshpërim, të sjell shpresë; ku ka trishtim, të sjell gëzim; ku ka errësirë, të sjell dritë.
Një ftesë për entuziazëm në kuptimin e tij të krishterë, domethënë, “të kesh Zotin në shpirtin tënd”, dhe gjithashtu për shpresë: një virtyt “i varfër” sepse paraqitet duarbosh, por i lirë “për të hapur dyert që duken të mbyllura nga lodhja, dhimbja dhe zhgënjimi”.
“Rrituni të fuqishëm”
Leoni XIV e përfundoi fjalimin e tij duke i siguruar të rinjtë e Libanit për praninë e vazhdueshme të Zotit dhe mbështetjen e Tij në sfidat e jetës e të historisë.
Libanezë të rinj, rrituni të fuqishëm si kedrat dhe bëjeni botën të lulëzojë nga shpresa!
