Kërko

Papa në fund të Meshës në Beirut Waterfront Papa në fund të Meshës në Beirut Waterfront

Papa udhëheqësve politikë: dëgjoni britmën e popullit që bën thirrje për paqe

Në fund të Meshës së kremtuar në Beirut Waterfront, në Liban, Papa Leoni XIV bëri një thirrje të përzemërt për ata që udhëheqin vendet e prekura nga lufta dhe dhuna që të zgjedhin rrugën e paqes në Lindjen e Mesme, si në Guinea-Bissau. Papa më pas i kujtoi viktimat e zjarrit në Hong Kong. "Udha e armiqësisë dhe shkatërrimit të ndërsjellë në tmerrin e luftës është përshkuar për shumë kohë. Ne duhet ta edukojmë zemrën për paqen".

R.SH. – Vatikan

Gjatë Vitit Jubilar, desha të isha një shtegtar shprese në Lindjen e Mesme, për të ju lutur Zotit për dhuratën e paqes për këtë tokë të dashur, të shënuar nga paqëndrueshmëria, lufta dhe dhimbja. Fjalët e fundit të Papa Leoni, në fund të Meshës së sotme kremtuar Beirut Waterfront gjatë ditës së dytë dhe fundit të vizitës në Liban, janë një thirrje e fuqishme për paqe: fjala kyçe e papnisë së tij. Një fjalë paqeje që është dëshira e të gjithëve në këtë tokë, dhe të cilën paqe Papa na fton ta kërkojmë në Zotin, veçanërisht në momentet e dëshpërimit dhe vështirësive. "Le t'i drejtohemi Atij me shpresë dhe guxim," tha Papa në anglisht, "duke i ftuar të gjithë të ecin në udhën e bashkëjetesës, vëllazërisë dhe paqes". Jini ndërtues të paqes, lajmëtarë të paqes, dëshmitarë të paqes!

Edukimi i zemrës për paqen

Leoni XIV bën thirrje për një ndryshim të drejtimit dhe cakut për Lindjen e Mesme, duke ndërmarr një qëndrim të ri dhe, mbi të gjitha, duke hedhur poshtë "logjikën e hakmarrjes dhe dhunës, për të kapërcyer ndarjet politike, sociale dhe fetare, për të hapur kapituj të rinj në emër të pajtimit dhe paqes".

Rruga e armiqësisë dhe shkatërrimit të ndërsjellë në tmerrin e luftës është përshkuar për një kohë shumë të gjatë, me rezultate të mjerueshme që janë të qarta për të gjithë. Ne duhet të ndryshojmë kursin; ne duhet ta edukojmë zemrën për paqe.

Lutje për Popujt në Konflikt

Para 150.000 njerëzve, Papa siguron lutjet e tij për Lindjen e Mesme dhe "për të gjithë popujt që vuajnë për shkak të luftës".

Lutem, gjithashtu, tha Ati i Shenjtë duke shpresuar për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve aktuale politike në Guinea-Bissau. Pastaj nuk i harroj viktimat e zjarrit në Hong Kong dhe familjet e tyre.

Në dëgjimin e dhimbjes dhe lutjes për paqe

Pas këtyre ditëve plot përzemërsi dhe ngrohtësi që ai ka ndjerë në disa raste, në zemrën Papa Leonit është "Libani i dashur", dhe Ati i Shenjtë siguron lutjet e tij për Tokën e Kedrave, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të "mos kursejë asnjë përpjekje në promovimin e proceseve të dialogut dhe pajtimit". Ipeshkvi i Romës më pas i fton të gjithë të vendosen "në shërbim të jetës, të së mirës së përbashkët, të zhvillimit të gjithanshëm të njerëzve".

U bëj një thirrje të përzemërt të gjithë atyre që janë të investuar me autoritet politik dhe shoqëror, këtu dhe në të gjitha vendet e shënuara nga lufta dhe dhuna: dëgjoni britmën e popujve tuaj që bëjnë thirrje për paqe!

Kurajo!

"Juve, të krishterëve të Levantit, qytetarëve me të drejtë të plotë të këtyre tokave", përfundoi Papa, "u përsëris: guxim! E gjithë Kisha ju shikon me dashuri dhe admirim. Virgjëra Mari, Zoja jonë e Harissës, ju mbroftë gjithmonë!"

02 dhjetor 2025, 14:41