Kërko

Papa Leo XIV në takimin përmbyllës të Jubileut të Rinisë në Romë gusht 2025 Papa Leo XIV në takimin përmbyllës të Jubileut të Rinisë në Romë gusht 2025

Të shtunën më 10 janar, Leoni XIV takon të rinjtë e Romës

R.SH. / Vatikan

Të shtunën, më 10 janar, në orën 17:00, në Sallën Pali VI, në Vatikan, adoleshentët dhe të rinjtë romakë do të takohen me Papën Leoni XIV. Një mundësi që nuk mund të humbasësh pas përfundimit të Jubileut – i cili do të përmbyllet zyrtarisht në ditën e Epifanies, me mbylljen e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit – gjatë së cilës të rinjtë do të mund të dëgjojnë fjalët e Atit të Shenjtë.

Në këtë takim me Papën do të jenë të pranishme shumë realitete rinore të dioqezës së Romës: nga të rinjtë që frekuentojnë katekizmin deri tek ata që mblidhen në grupet famullitare, nga anëtarët e lëvizjeve dhe shoqatave deri te ata që janë regjistruar në shoqata sportive katolike, dhe deri te studentët, të rinjtë universitarë dhe ata që banojnë në kolegje jashtë vendbanimit në territorin dioqezan. Me ta, për t’i shoqëruar në këtë takim të veçantë me Leonin XIV, do të jetë Vikari i Papës për dioqezën e Romës, kardinali Baldo Reina, i cili kishte njoftuar takimin gjatë "Natës në katedrale" të lutjes më 21 nëntorin e kaluar dhe tani e ka rinovuar ftesën me një letër.

“Do të jetë një moment i çmuar dhe gëzimi – shkruan kardinali Reina priftërinjve – për të cilin ju ftoj të inkurajoni pjesëmarrjen e të rinjve nga famullitë tuaja, duke i nxitur ata ta jetojnë si një mundësi të rëndësishme për të dëgjuar fjalët e Ipeshkvit tonë”.

19 dhjetor 2025, 16:03