Kërko

Papa pret "Sipërmarrësit e Energjisë" në Vatikan Papa pret "Sipërmarrësit e Energjisë" në Vatikan

Papa pret një grup i “Empresarios de Energia” nga Amerika Latine dhe Karaibet

Liderët e biznesit nga sektorët e energjisë dhe mineraleve kritike u pritën sot paradite nga Leoni XIV, në kuadër të takimeve sinodale të nisura në vitin 2022 dhe të organizuara e promovuara nga Building Bridges Initiative, koordinuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine.

R.SH. - Vatikan

Një grup i Empresarios de Energia, udhëheqës biznesi në sektorët e energjisë dhe mineraleve kritike që operojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe, u pritën paradite, më 24 janar, nga Papa Leoni XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan. Ky është takimi i shtatë sinodal i një procesi të filluar në vitin 2022 dhe i udhëhequr nga Building Bridges Initiative, koordinuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine (PCAL). Nisma përmbush misionin e besuar nga Papa Françesku dhe të mbështetur nga kardinali i atëhershëm Robert Prevost në cilësinë e presidentit të Komisionit, për të ndërtuar “ura përfshirjeje” me universitetet; “ura pajtimi me sindikatat, dhoma tregtie dhe komunitete të organizuara; “ura vëllazërimi” me Konferencat Episkopale dhe Kishat rajonale.

Kërcënimet dhe mundësitë

Me këtë dëshirë, dhe duke pasur parasysh tensionin e krijuar midis zhvillimit ekonomik (i cili kërkon minerale thelbësore) dhe kërkesës për drejtësi shoqëroro-klimatike si kusht për një jetë të mirë dhe të begatshme për të gjithë, Komisioni Papnor për Amerikën Latine ftoi grupin e vogël të sipërmarrësve në këtë takim në Vatikan. Qëllimi ishte bashkëndarja e perspektivave të tyre mbi kërcënimet dhe mundësitë me të cilat përballet sektori në Amerikën Latine dhe Karaibe, si dhe për të shoshitur së bashku se çfarë duhet parashikuar, promovuar dhe pritur.

Ky takim ishte planifikuar gjatë gjithë vitit 2024 dhe audienca me Papa Françeskun ishte parashikuar për 24 janar 2025. Për shkak të gjendjes shëndetësore të Papës argjentinas, takimi u desh të shtyhej me kërkesë të kardinalit të atëhershëm Prevost, sot Papa Leoni XIV, me të cilin u programua takimi i ri për ditën e sotme. Përpara audiencës private me Papën, udhëheqësit e biznesit u takuan për një takim pune të koordinuar nga Komisioni për Amerikën Latine, gjatë të cilit u prezantuan përparimet e bëra deri më tani.

Takimet e mëparshme

Metoda e takimit të sotëm dhe e të tjerëve të organizuar nga nisma Building Bridges (Ndërtimi i Urave) është dëgjimi i sinqertë i nevojave dhe aspiratave të territorit lidhur me kujdesin për Shtëpinë e përbashkët dhe punën dinjitoze; më pas, dallimi shoqëror komunitar mes përfaqësuesve të organizatave të ndryshme territoriale, në përputhje me magjisterin shoqëror të Kishës katolike, dhe përpjekja për të nisur procese për një tranzicion të drejtë.

Gjatë pesë viteve të fundit, janë zhvilluar tashmë gjashtë takime sinodale mes ipeshkvijve dhe aktorëve të ndryshëm të Amerikave: mes ipeshkvijve dhe akademikëve në Celam në vitin 2022; mes Papa Françeskut dhe studentëve universitarë të Amerikës, Afrikës dhe Azisë, në vitet 2022 dhe 2023; po ashtu mes Papa Françeskut dhe rektorëve të universiteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, në vitin 2023; mes ipeshkvijve, sindikatave, dhomave të tregtisë dhe komuniteteve të organizuara të Amerikës Latine dhe Karaibeve, në Celam në vitin 2024; mes ipeshkvijve dhe rektorëve universitarë të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Jugut, si dhe të Amerikës Ibero-amerikane, të cilët morën edhe një videomesazh nga Papa Leoni XIV, në Universitetin Papnor Katolik të Rio de Zhaneiros në vitin 2025; mes ipeshkvijve, sindikatave, dhomave të tregtisë dhe komuniteteve të organizuara të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Jugut, në selinë e Konferencës Episkopale të Shteteve të Bashkuara (USCCB) në vitin 2025.

Nga këto takime doli propozimi që tre prej sektorëve që veprojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe të mund të takonin Papën për të diskutuar nevojat dhe aspiratat e paraqitura nga kardinajtë për shtypin pranë Selisë së Shenjtë: "Jeta varet nga një fije "(Celam, 9 dhjetor 2024) dhe "Një thirrje për drejtësi klimatike dhe shtëpinë tonë të përbashkët", (Celam dhe Fabc, 1 korrik 2025).

24 janar 2026, 19:07