Kërko

Arqipeshkvi Domenico Sorrentino dhe kryetari i bashkise se Asizit Valter Stoppini çelin kremtimet e Vitit jubilar kushtuar Shen Françeskut Arqipeshkvi Domenico Sorrentino dhe kryetari i bashkise se Asizit Valter Stoppini çelin kremtimet e Vitit jubilar kushtuar Shen Françeskut

Filluan në Asizi kremtimet për 800-vjetorin e kalimit në amëshim të Shën Françeskut.

Kremtimi solemn që u zhvillua dje në mëngjes, më 10 janar, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, «Porziuncola», në Asizi, hapi zyrtarisht vitin që përkujton vdekjen e të Vobektit, siç thirret ndryshe Shën Françesku, në atë kishëz ku, në vjeshtën e vitit 1226, ai mbylli udhëtimin e tij tokësor. Për këtë ngjarje, Papa Leoni XIV shpalli një Vit të posaçëm jubilar françeskan, i cili përfundon më 10 janar 2027.

R.Sh. Vatikan

«Hic michi viventi lectus fuit et morienti» - ky qe shtrati im, si në jetë ashtu edhe në vdekje. Janë të shumta kremtimet për kalimin në amshim të Shën Françeskut. Këto filluan që me përvjetorin e miratimit të rregullit françeskan dhe të Krishtlindjes që Shën Françesku, i pari në botë, kremtoi në Greccio, dhe që u përkujtuan në vitin 2023, deri tek çasti kur ky shenjt mori plagët e Krishtit në trup, ngjarje që u përkujtua në vitin 2024. Vijuan pastaj me përkujtimin e Këngës së Krijesave, në vitin 2025, kompozuar nga vetë Shën Françesku.

Të gjitha këto ngjarje përkujtimore i paraprinë hapjes solemne dje, më 10 janar, në Asizi, në Bazilikën Papnore të Shën Marisë së Engjëjve në «Porziuncola»,  të fazës së fundit të udhëtimit të gjatë të Jubileut Françeskan. Ky jubile do të arrijë kulmin më 3-4 tetor, e para, dita e kalimit në amshim dhe e dyta, dita e festës së këtij shenjti, sipas kalendarit të Kishës Katolike. Dje në Asizi, të pranishmëve iu paraqit në mënyrë të jashtëzakonshme, ikona e vitit 1255 ku shihet Shën Françesku ndërmjet dy engjëjve, me një libër në dorë, ku është shkruar: «Hic michi viventi lectus fuit et morienti», që do të thotë: «Ky qe shtrati im kur isha gjallë dhe i vdekur». Pikërisht këto pak fjalë janë një nga simbolet e kalimit të tij në jetën e pasosur, sepse kjo ikonë në dru ishte vendosur si kapak mbi arkëmortin e shenjtit. Kujtojmë se misioni kryesor i Shën Françeskut ishte: të ungjillëzonte dhe të shpallte Krishtin, duke e jetuar Atë në të gjithë përmasën e Tij, pa lënë pas dore përmasën eukaristike.

Kremtimi

Kremtimi filloi në orën 10:00 të mëngjesit me një përshëndetje nga Atë Massimo Travascio, kujdestar i Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve në Porziuncola, dhe vazhdoi me procesionin e udhëhequr nga Atë Francesco Piloni, ministër provincial i Etërve të Vegjël të Umbrias dhe Sardenjës, së bashku me gjashtë ministrat e përgjithshëm: etërit françeskanë Massimo Fusarelli (etërit e vegjël), Carlos Alberto Trovarelli (etërit e vegjël konventual), Roberto Genuin (etërit e vegjël kapuçinë), Tibor Kauser (i rregullit françeskan laik), Amando Trujillo Cano (i urdhërit të tretë) dhe Motër Daisy Kalamaparamban, kryetare e Konferencës Ndërkombëtare Françeskane të Vëllezërve dhe Motrave të Urdhrit të Tretë.

Më pas kremtimi vijoi me një rrugëtim të shkurtër të arqipeshkvit- ipeshkëv të Asizit-Nocerës dhe Umbra-Gualdo Tadinos dhe Folignos, imzot Domenico Sorrentinos, dhe kryetari të bashkisë së Asizit, z. Valter Stoppini, drejt Kishëzës së Kalimit në Amëshim, duke mbajtur në duar një qiri të pandezur. Pastaj, qiriun e ndezën te qiriu i Pashkëve, i cili simbolizon Krishtin e ringjallur. Prej andej, drita u çua në gjashtë ndalesa anësore të bazilikës. Secila prej këtyre i ishte besuar njërës prej gjashtë degëve të familjes françeskane. Ky procesion përkujtoi pajtimin ndërmjet ipeshkvit Guido II dhe kryetarit të bashkisë së Asizit, Carsedonio, gjë që u kremtua nga Shën Françesku si profeci paqeje. Për këtë rast, Pendestaria Apostolike shpalli edhe Ndjesën e Plotë.

Papa Leoni XIV e shtoi gëzimin e festës sepse e kremtoi ngjarjen me një mesazh drejtuar ministrave të përgjithshëm të Konferencës së Familjes Françeskane ku shkruhej: «Paqja është shuma e të gjitha të mirave të Zotit, një dhuratë që zbret nga lart. Çfarë zhgënjimi do të ishte të mendohej se mund ta ndërtojmë atë vetëm me përpjekjet tona njerëzore!» Papa i siguroi të gjithë se do t’u bashkohej atyre që merrnin pjesë në ngjarjet përkujtimore dhe më pas dorëzoi një lutje kushtuar të Vobektit të Asizit, emër tjetër ky me të cilin njihet Shën Françesku.

Të preken plagët që dhembin

Pastaj ishte koha për reflektim. Ministrat e përgjithshëm lëvizën me radhë në gjashtë stacionet anësore të bazilikës, duke përjetuar me mendje e zemër amanetet thelbësore të testamentit që Shën Françesku u la fretërve të tij para vdekjes e që përbëjnë trashëgiminë e tij shpirtërore. Mëshira, lutja, vëllazëria, puna, paqja dhe bekimi ishin temat e meditimeve, të shoqëruara nga një tekst nga burimet françeskane ose Ungjilli, dhe një dëshmi tjetër. Ashtu siç e pat ftuar Zoti Shën Françeskun të niste një udhëtim pendese dhe kthimi «me një zemër në gjendje të përqafojë njerëzimin që vuan, në vend që ta injorojë ose ta refuzojë atë», u shpreh Atë Trujillo Cano, kështu, sot ai na nxit të «kapërcejmë pengesat e secilit prej nesh dhe ato të bashkësisë për t'u shtrirë dorën atyre që kanë plagë therëse në trup dhe shpirt, dhe që janë të përjashtuar nga mirëqenia materiale, kulturore dhe shpirtërore, që të ndajmë me ta ngushëllimin e Hyjit dhe dashurinë e bashkësive që zgjasin dorën».

Ta kundrojmë botën me sy të rinj

Françesku, Lutja dhe Kisha. Mbi këto tema kumtoi Atë Trovarelli, duke theksuar rëndësinë teologjike të përvojës së kthimit në fè të Shën Françeskut. Në këtë vend, «dhe me vetëdije të plotë eukaristike, zemra e tij mësoi të lutet, dhe nga kjo lutje rrodhi mënyra e tij e besimit: «lex orandi, lex credendi», që shqip do të thotë: «Ligji i uratës është ligji i besimit». Kudo ku gjendet një kishë ose një kryq, «ai vërente të shfaqurit e përvuajtur të misterit dhe grishjen për adhurim. Kështu, lutja në Kishë, me Kishën dhe e Kishës u bë për Françeskun parim hermeneutik i besimit dhe thirrja për ta ripërtërirë jetën tonë nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë».

Më tej, Motër Daisy shpjegoi se «Shën Françesku dhe vëllazërimi, do të thotë të hysh në marrëdhënie me Krishtin me shumë njerëz të tjerë». Shembulli i tij , vijoi ajo, «na ndihmon ta shohim botën me sy të rinj, duke vërejtur te çdo krijesë pasqyrimin e një dashurie më të madhe dhe duke zbuluar rishtas vëllazërimin e përbotshëm e duke jetuar në harmoni me të gjithë».

Amanet pajtimi dhe vëllazërimi

Më pas, Tibor Kauser, përfaqësuesi i Rregullit laik, u përqendrua te kuptimi i punës për Shën Françeskun, si dhuratë, si hir, si përmbushja e një jete të denjë. Ndërsa Atë Roberto Genuin, i etërve të vegjël kapuçinë, kujtoi se në testamentin e tij, Shën Françesku gjeti çelësin për ndërtimin e paqes që është guximi i faljes, i pajtimit dhe i mëshirës. Në fund pastaj, bekimi, është «një testament shpirtëror që na jep Françesku», tha Atë Fusarelli, «një dhuratë nga lart që dëshiron të mishërohemi përmes vënies në zbatim të së mirës», e së Mirës së Epërme. «Ja, o Atë, unë po e lë botën dhe po shkoj te Krishti», i shtrirë «lakuriq mbi tokën e ftohtë». Me zemër të lirë dhe të përvuajtur, Shën Françesku i hapi krahët «motër vdekjes trupore» siç e quante ai vetë. Dhe ky testamenti i tij mbeti si amanet pajtimi dhe profeci vëllazërimi.

Viti jubilar i posaçëm françeskan

Ndërkaq, imzot Sorrentino, i prekur thellë, u njoftoi të pranishmëve pasardhësin e tij në krye të dioqezës, arqipeshkvin e ri, imzot Felice Accrocca. U lexua gjithashtu në fund të kremtimit edhe dekreti me anë të të cilit Papa shpalli  një Vit Jubileu të posaçëm françeskan, që zgjat nga 10 janari 2026 deri më 10 janar 2027. Gjatë këtij viti, të gjithë besimtarët e krishterë ftohen të ndjekin shembullin e Shenjtit të Asizit, duke u kthyer në shembuj të shenjtërisë së jetës dhe dëshmitarë të palodhur të paqes. Pendestaria Apostolike u jep Ndjesën e Plotë, sipas kushteve të zakonshme, të gjithë atyre që marrin pjesë me devotshmëri në këtë Jubile të jashtëzakonshëm, i cili përfaqëson një vazhdim ideal të Jubileut të zakonshëm të vitit 2025.

Ky Vit jubilar u drejtohet veçanërisht anëtarëve të Familjeve Françeskane të Urdhrit të Parë, të Dytë dhe të Tretë, të Rregulltarëve dhe Laikëve, si dhe Instituteve të Jetës së Kushtuar, Shoqërive të Jetës Apostolike dhe Shoqatave që respektojnë Rregullin e Shën Françeskut ose frymëzohen nga përshpirtëria i tij. Megjithatë, hiri i këtij viti të veçantë shtrihet edhe tek të gjithë besimtarët, pa dallim, të cilët, duke i rënë mohit mëkatit, vizitojnë si shtegtarë çdo kishë ose vend adhurimi françeskan kushtuar Shën Françeskut, kudo nëpër botë. Të moshuarit, të sëmurët dhe ata që për shkaqe të rrepta, nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, munden ta fitojnë ndjesën e plotë duke u bashkuar shpirtërisht në festimet e Jubileut dhe duke ia ofruar Zotit lutjet, vuajtjet dhe dhimbjet e veta.

11 janar 2026, 12:38