I paraqiten Leonit XIV qengjat në përkujtim të Shën Anjezës
R.SH. -Vatikan
Disa blegërima gjatë leximit të Ungjillit dhe një përkëdhelje e Leonit XIV në fund të ceremonisë. Kapela Urbano VIII e Pallatit Apostolik priti këtë mëngjes, në ditën kur Kisha katolike kujton Shën Anjezën martire, paraqitjen para Papës të çiftit të qengjave, leshi i të cilëve do të përdoret për të përgatitur simbolin e palios që do të marrin ipeshkvijtë e rinj mitropolitë. Qengjat ishin vendosur në një shportë, ishin zbukuruar me një pëlhurë të bardhë dhe kurora me trëndafila të kuq e të bardhë.
Traditë shekullore
Të dy qengjat - të cilët u bekun nga Abati i përgjithshëm i kanonikëve rregulltarë lateranensë, don Edoardo Parisotto, në kompleksin monumental të Bazilikës së Anjezës në Via Nomentana, në Romë, kushtuar martires - i referohen një tradite shumë të lashtë. Studimet që e kanë thelluar këtë temë njoftojnë për praninë e një qengji, si kujtesë për shenjtoren, pikërisht mbi varrin e Shën Anjezës martire që në shekullin IV, ndërsa në shekullin VI flitet për bekimin e qengjave po në vendin e varrimit të Anjezës, e martirizuar në një nga persekutimet antikristiane midis fundit të shekullit të dytë dhe fillimit të shekullit të tretë.
Riti i palios i 29 qershorit
Simboli i Palios që do të konfeksionohen me leshin e dy qengjave është një shenjë liturgjike nderi dhe juridiksioni që mbahet nga Papa dhe arqipeshkvijtë mitropolitë në Kishat e tyre dhe në ato të Provincave të tyre kishtare. Palio përbëhet nga një shirit i ngushtë pëlhure, i thurur me lesh të bardhë, i dekoruar me gjashtë kryqe prej mëndafshi të zi. Riti i bekimit të Paliove dhe dorëzimi i tyre arqipeshkvijve mitropolitë kryhen nga Papa më 29 qershor, në solemnitetin e Shën Pjetrit e Palit Apostuj.
