Leoni XIV: diplomacia kërkon udhë pajtimi, atje ku ngrihen mure e mosbesime
R.SH. / Vatikan
Shërbimi diplomatik është "art ungjillor takimi, që kërkon shtigje pajtimi, atje ku njerëzit ngrenë mure dhe mosbesime"; është "thirrje baritore", jo "profesion". Leoni XIV e shkroi në Letrën drejtuar Akademisë Papnore Kishtare - sot "qendër e avancuar e formimit të lartë akademik dhe kërkimit në Shkencat Diplomatike" si dhe "mjet i drejtpërdrejtë i veprimit diplomatik të Selisë së Shenjtë" - me rastin e 325-vjetorit të themelimit të saj. Përvjetori u kremtua sot, më 17 janar, në sallën Dukale të Pallatit Apostolik, në konferencën me temë "Veprimi Diplomatik i Selisë së Shenjtë përballë sfidave të reja globale". Gjatë konferencës, letra e Papës u lexua nga Ati Jacques Kassifa, zv. dekan i Akademisë.
Jo taktikë, por bamirësi e menduar
Papa Leoni XIV vuri në dukje se diplomacia e Vatikanit "lind nga Ungjilli: nuk është taktikë, por bamirësi e menduar; nuk kërkon as fitues as humbës, nuk ndërton barriera, por rikompozon lidhje autentike", dhe shpjegon se për këtë arsye, "çdo fjalë e thënë" duhet "të paraprihet nga dëgjimi" i "Zotit", i "të vegjëlve, i atyre, zërat e të cilëve shpesh nuk dëgjohen". Shkurt, "diplomatët e Papës janë të thirrur të jenë ura", "të padukshëm, për të mbështetur", "të palëkundur, kur ngjarjet duken të vështira për t'u ndalur", "njerëz të shpresës, kur e mira lëkundet".
Të integrohen aftësitë dhe cilësitë njerëzore
Duke rishikuar historinë e "institucionit të vënë në shërbim të Pasardhësit të Pjetrit", Papa kujton se Akademia Papnore Kishtare u themelua në vitin 1701 me urdhër të Klementit XI dhe se gjatë shekujve, shumë nga paraardhësit e tij "e ruajtën shpirtin e saj dhe e udhëhoqen rritjen e saj, duke shoqëruar zhvillimet në dritën e nevojave që Kisha dhe diplomacia shprehën gjatë shekujve". I vendosur nga Kushtetuta Apostolike e Papës Françesku, Praedicate Evangelium brenda Sekretarisë së Shtetit, në lidhje me Seksionin për Personelin Diplomatik të Selisë së Shenjtë, me Kirografin e Ministrisë Petrine, të datës 25 mars 2025, u caktua si qendër për arsimin e lartë dhe kërkimet. Objektivi ishte të "ofrohej një kurrikul që, me një bazë të fortë shkencore", do të ishte "e aftë të integronte aftësitë ligjore, historike, politike, ekonomike dhe gjuhësore" dhe "t'i kombinonte me cilësitë njerëzore dhe meshtarake të priftërinjve të rinj".
Këmbëngulje në udhën formuese, duke u mbështetur në lutje
Papa u shprehu falënderimet e tij "eprorëve" dhe "studentëve të Akademisë Papnore Kishtare për udhëtimin e bashkimit dhe të ripërtëritjes të ndërmarrë me frymë besimi dhe hapjeje, duke e rrokur ndryshimin, por pa i harruar rrënjët e tij". Shpresa është që, në 325-vjetorin e themelimit, studentët e Akademisë të ripërtërijnë angazhimin e tyre, "të këmbëngulin në udhëtimin e tyre formues" dhe "duke imituar Shëna Ndoun Abat” - Shenjt Mbrojtës - që "dinte ta shndërronte heshtjen e shkretëtirës në dialog të frytshëm me Zotin", të jenë "priftërinj me përshpirtëri të thellë, që të nxjerrin nga lutja forcën për t'u takuar me të tjerët". Së fundmi, me syrin drejt misionit që i pret priftërinjtë në formim, Leoni XIV ia beson secilin "Marisë, Nënës së Kishës", që të mund t'i mbikëqyrë dhe t'i bëjë "të bindur ndaj vullnetit të Zotit, në shërbim të Selisë së Pjetrit".
Historia e Akademisë Kishtare Papnore
Akademia Kishtare Papnore fillimisht ishte Akademia e Fisnikëve Kishtarë, një nga kolegjet romake kushtuar formimit të klerikëve destinuar për jetën kishtare, por jo domosdoshmërisht meshtarake. Gjatë papnisë të Piut VI (1775-1799), u ngarkua të formonte klerikët fisnikë që vinin në Romë për të përsosur studimet e tyre teologjike dhe ligjore e, ndërmjet shekujve 18 dhe 19, konsiderohej si qendër përgatitjeje për elitën kishtare që dëshironte një karrierë në Kurien Romake. Me kalimin e kohës, u bë vend pjellor për diplomatët papnorë të Piut IX, në rregulloret e lëshuara në vitin 1850, saktësoi se qëllimi i saj ishte "të formonte klerikë të rinj, për shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë ose për shërbimin administrativ në Kurien dhe Shtetet Papnore". Me perëndimin e pushtetit tokësor, në vitin 1870, mundësia e punësimit në sferën administrative të shtetit u zhduk, duke lënë të hapur vetëm karrierën diplomatike. Papnia e Leonit XIII (1876-1903) solli risi të rëndësishme për Akademinë.
Rregulloret vendosën një provim konkurrues për pranimin në karrierë diplomatike e, me kalimin e kohës, programi akademik u përteri vazhdimisht. Pas Luftës II Botërore, në mes të Luftës së Ftohtë, diplomacia e Vatikanit u bë arti i krijimit dhe i ruajtjes së rendit ndërkombëtar, i vendosjes së marrëdhënieve njerëzore, të arsyeshme dhe ligjore ndërmjet popujve përmes rregullimit të hapur dhe të përgjegjshëm, por edhe e artit të durimit, prodhimit të paqes në mendjet e njerëzve dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 1969, me motu proprio Sollicitudo omnium ecclesiarum, Pali VI riafirmoi detyrën e Papës për të qenë i pranishëm në mënyrë përshtatshme në të gjitha rajonet e botës e për të kryer detyrën e tij si parim dhe themel i përhershëm e i dukshëm i unitetit, për të mbështetur Kishat edhe me praninë e tij, detyrë që iu besua të dërguarit papnor. Kjo çoi në nevojën e Akademisë për të formuar priftërinj që jo vetëm zotëronin përgatitje të mjaftueshme teknike dhe intelektuale, por ishin të aftë edhe ta përfaqësonin Papën Suprem e, për këtë arsye, të zotëronin një kuptim të thellë dhe të jetuar të natyrës meshtarake të misionit diplomatik.
Dokumenti i fundit papnor është kirografi i Papës Françesku, botuar më 15 prill 2025, që e kualifikon Akademinë Kishtare Papnore si Institut ad instar Facultatis për studimin e Shkencave Diplomatike, e për të siguruar që formimi intelektual i studentëve të saj të jetë i përshtatshëm për kompleksitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëkohore, në aspektet e tyre ligjore, politike, ekonomike, ambientale dhe kulturore, duke pasur në qendër përmasën shpirtërore dhe baritore të shërbesës diplomatike.
