Kërko

Papa Leo XIV i shkruan emisionit tv Rai 1 Porta a Porta Papa Leo XIV i shkruan emisionit tv Rai 1 Porta a Porta

Leoni XIV: komunikimi na sfidon të mos dorëzohemi kurrë para banales e "fake news"

Në një mesazh për tridhjetëvjetorin e emisionit të Rai 1 "Porta a Porta", Papa i paralajmëron "rreziqet e reja" që lidhen me mënyrën e të komunikuarit: shkëmbimi i lajmeve të rreme për të vërteta, "zapping-i kompulsiv" për dëgjim, "doom scrolling" për lexim të qëllimshëm, kurioziteti sipërfaqësor për dëshirë autentike për njohje dhe monologët për "dialoge" ku askush nuk dëgjon.

R.SH. – Vatikan

Format e reja të komunikimit hapin horizonte të paprecedenta njohjeje, por në të njëjtën kohë dëmtojnë kufijtë e saj. Në një rrjedhë të vazhdueshme fjalësh dhe imazhesh, e rremja mund të marrë pamjen e së vërtetës; leximi i shpejtë mund të maskohet si thellësi; monologët mund të vriten si dialogë në të cilët, në realitet, "askush nuk dëgjon vërtet". Është brenda këtij ambiguiteti të komunikimit bashkëkohor që Papa Leoni XIV fton për reflektim dhe vigjilencë, në mesazhin e dërguar për tridhjetëvjetorin e lindjes së emisionit historik televizionit italian Rai1 Porta a Porta.

30 vjet dialog mbi ngjarje të gëzueshme dhe të trishta

Duke iu drejtuar drejtuesit të emisionit ‘Porta a Porta’, Bruno Vespa, redaksisë dhe teleshikuesve, Papa kujton tri dekada në të cilat konteksti italian, ndërkombëtar dhe ai i Kishës kanë ndryshuar thellësisht me “lufta dhe marrëveshje paqeje, kriza dhe rimëkëmbje, ngjarje të gëzueshme dhe të trishta”. E gjithë kjo është treguar nga studiot televizive të emisionit ‘Porta a Porta’ nën dritat e kamerave, në formën e “dialogut”, përpara asaj që me kalimin e kohës është konsoliduar si “publik televiziv”.

Rreziqet e informacionit të ri

Ndërkohë ka ndryshuar edhe vetë mjeti: televizioni. Dhe, në përgjithësi, mënyra e komunikimit dhe e informimit, falë mjeteve të reja dhe mundësive të reja të njohjes dhe bashkëveprimit. Ndryshime që, megjithatë, mbartin me vete edhe rreziqe të përtërira. Siç është ai i shkëmbimit të gënjeshtrës me të vërtetën, zapping-ut kompulsiv me dëgjimin, doom-scrolling-ut (shfletimit të pafundmë të lajmeve negative) me leximin e qëllimshëm, kuriozitetit sipërfaqësor me dëshirën për të njohur, dhe monologëve me dialogët ku askush nuk dëgjon vërtet.

"Një televizion cilësor"

Përkundrazi, durimi dhe largpamësia, shkruan Papa, janë elemente thelbësore për të kultivuar marrëdhënie të qëndrueshme. Inovacionet teknologjike shtrojnë sfida të reja, duke filluar nga ajo për të mos u dorëzuar “kurrë para tundimit të banales”, duke përdorur mjetet që ofron teknologjia pa humbur “unikalitetin e njerëzishmërisë sonë”.

«Ju uroj juve dhe të gjithë juve që të mund t'i ofroni gjithmonë botës, e cila ka etje për bukuri dhe të vërtetë, një televizion cilësor».

22 janar 2026, 10:56