Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Leoni XIV: tmerri i genocidit mos rëntë kurrë më mbi asnjë popull

Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa kujton Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, kremtuar dje, më 27 janar, duke kërkuar prej Zotit “dhuratën e një bote pa antisemitizëm”, të lirë nga paragjykimet, nga shtypja dhe persekutimet, ndërtuar “mbi respektin reciprok dhe të mirën e përbashkët”. Më pas, Ati i Shenjtë kujtoi popullsitë e Mozambikut të goditura nga përmbytje të rënda, që kanë shkaktuar mbi njëqind viktima.

R.SH. – Vatikan

I lutem Zotit të Plotfuqishëm për dhuratën e një bote pa antisemitizëm dhe pa paragjykime, pa shtypje e persekutim ndaj asnjë krijese njerëzore. Një botë ku “tmerri i gjenocidit” të mos bjerë më mbi asnjë popull: kjo është shoqëria që ëndërron Papa Leoni XIV dhe për të cilën ai nxit bashkësinë e kombeve të vigjilojë, që ajo të jetë e themeluar “mbi respektin reciprok dhe mbi të mirën e përbashkët”. Ati i Shenjtë e shprehu këtë lutje në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, më 28 janar, mbajtur në Sallën Pali VI në Vatikan, në kujtim të Ditës së Holokaustit, kremtuar dje më 27 janar.

Dënimi i “çdo lloj diskriminimi”

Me këtë rast, dje, Papa kishte rikonfirmuar edhe në një postim në profilin e tij në platformën sociale X, @Pontifex, qëndrimin e Kishës kundër çdo forme antisemitizmi, duke qëndruar besnik ndaj pozicionit të shprehur në Deklaratën e Koncilit të Dytë ët Vatikanit Nostra Aetate dhe ndaj dënimit të “çdo diskriminimi apo ngacmimi për arsye etnike, gjuhësore, kombëtare apo fetare”. Ky apel u përsërit edhe dje në mbrëmje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në dalje nga rezidenca papnore në Castel Gandolfo, ku Ati i Shenjtë kishte kaluar ditën e zakonshme javore të pushimit dhe punës: “Le të luftojmë kundër të gjitha formave të antisemitizmit”, tha Papa Prevost.

Lutja për përmbytjet në Mozambik

Gjithnjë sot gjatë audiencës së përgjithshme mendimi i Papës shkon edhe te “përmbytjet shkatërrimtare” që kanë goditur “popullin e dashur” të Mozambikut. Në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve të gjuhës portugeze, Ati i Shenjtë Leoni XIV lutet për mbi 100 viktimat dhe shpreh afërsinë e tij me më shumë se 100 mijë persona të zhvendosur, pa harruar ata që “u ofrojnë ndihmë”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në Mozambik mbi 500 mijë persona janë prekur nga përmbytjet, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, struktura shëndetësore dhe infrastrukturë kritike, duke shkaktuar ndërprerje serioze të zinxhirëve të furnizimit. Kësaj i shtohet edhe rishfaqja e kolerës: që nga shtatori 2025 janë regjistruar rreth 2.650 raste dhe 32 vdekje. Kështu bën të ditur buletini i fundit i Drejtorisë Kombëtare të Shëndetit Publik, sipas të cilit transmetimi i kolerës mbetet i përqendruar në provincat veriore. Kujtojmë se një nga shumë sëmundjet bakteriale të përhapura përmes ujit të kontaminuar është pikërisht kolera.

Përshëndetjet në gjuhë të tjera

Në përshëndetjet në gjuhën gjermane, gjithnjë gjatë audiencës së sotme të përgjithshme Papa kujton përkujtimin e sotëm liturgjik të Shën Tomës së Akuinit. “Me veprat e tij – thotë Leoni XIV – na ndihmon të kuptojmë gjithnjë e më mirë Zbulesën hyjnore”, dhe nxit të shihet shembulli i tij për “të kërkuar fytyrën e Zotit, duke përjetuar bukurinë e fesë”.

Në përshëndetjet në frëngjisht, Ati i Shenjtë Prevost fton të shikohet figura e Shën Tomës së Akuinit për të kuptuar më mirë Shkrimet e Shenjta, “të cilat ai i komentoi me aq urtësi, që të mund të kuptojmë – vazhdon Papa – sa shumë na do Zoti dhe sa e dëshiron shpëtimin tonë”. “Një mësues i vërtetë i jetës dhe i shenjtërisë”, e quan Ati i Shenjtë në përshëndetjet drejtuar studentëve të pranishëm në audiencës e sotme të përgjithshme.

Ndërmjetësimi i këtij Shën Tomës së Akuinit, Doktor i Kishës, ju dhashtë juve, të dashur të sëmurë, qetësinë dhe paqen që burojnë nga misteri i Kryqit të Krishtit, dhe juve, të dashur bashkëshortë të rinj, urtësinë e zemrës, që ta përmbushni bujarisht misionin tuaj në shoqëri.

28 janar 2026, 11:31