Kërko

Leoni XIV: Olimpiadat dimërore nxisin vlerat e vërteta të sportit

Në një telegram drejtuar ipeshkvit të Como-s, Kardinalit Cantoni, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin, Leoni XIV shpreh besimin se Lojërat Olimpike Milano-Cortina mund t'u ofrojnë bashkësive vendase "mundësinë për dëshmi të krishterë". Kardinali e lexoi mesazhin gjatë Meshës në kishën famullitare të Bormios, ku morën pjesë shumë vullnetarë të rinj dhe organizata të përfshira në Lojrat.

R.SH. / Vatikan

Olimpiadat dimërore Milano-Cortina 2026 qofshin "mundësi e favorshme për të nxitur vlerat e përnjëmendta të sportit: besnikërinë, respektin, frymën e ekipit, flijimin, si dhe përfshirjen sociale e gëzimin e takimit". Ky, urimi i  Papës Leoni XIV në një telegram me "përshëndetje të përzemërta e  urime për popullin e Vikariatit të Bormios, Itali, përfshirë në përgatitjen dhe zhvillimin e Lojërave Olimpike", drejtuar Kardinalit Oscar Cantoni, Ipeshkëv i Comos, Itali.

Mesazhi, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, u lexua të premten, më 30 janar, në orën 18:00, në famullinë e Bormios, gjatë Meshës, kryesuar nga ipeshkvi i dioqezës së Lombardisë për t'ia besuar Zotit Lojërat e 25-ta olimpike dimërore Milan-Cortina 2026. Në kremtimin, mbajtur në Kishën e Shën Gervasios dhe Protasios, morën pjesë atletë të rinj nga shoqatat lokale të sporteve dimërore, së bashku me menaxherët, trajnerët dhe trajneret e tyre, si dhe të gjithë të pranishmit në organizimin dhe pritjen e ngjarjes.

Famullitë, shenjë e pranisë së Krishtit

Papa shpreh "mirënjohje të thellë për bashkëpunimin e zjarrtë në këtë ngjarje sportive", e më pas inkurajon "bashkësitë lokale të famullisë, që ta jetojnë këtë ngjarje shumë të rëndësishme", në mënyrë që të ofrojnë "dëshmi bujare të krishtera" e "shenja të ndritshme të pranisë së Krishtit, që i fton të gjithë vëllazërisht". Duke e përfunduar telegramin, Papa siguron për lutjet dhe bekimin e tij apostolik, "peng i favoreve të begata qiellore".

Lojërat Olimpike Milano-Cortina do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt dhe do të përfshijnë drejtpërdrejt Dioqezën e Komos, me garat që do të zhvillohen në Livigno dhe Bormio të Italisë.

31 janar 2026, 12:04