Kërko

Bazilika e Shën Palit Jashtë Mureve, ku Papa do të kremtojë Mbrëmjësoret në përfundim të Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve Bazilika e Shën Palit Jashtë Mureve, ku Papa do të kremtojë Mbrëmjësoret në përfundim të Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve

Papa: të krishterët të jenë shenjë e unitetit të dukshëm, të paqes dhe të drejtësisë

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa kujtoi dy shekujt e jetës së Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve që fillon sot me temën: "“S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj", dhe që do të përfundojë më 25 janar me kremtimin e Mbrëmësores në Bazilikën e Shën Palit. Reflektimet për vitin 2026 janë përgatitur nga një grup ekumenik i koordinuar nga Departamenti për Marrëdhëniet Ndërfetare Apostolike Armene

R.SH. / Vatikan

Një lutje e lindur dy shekuj më parë, "e inkurajuar fuqimisht" nga Papa Leoni XIII dhe e pasuruar "për herë të parë" saktësisht para njëqind vjetëve nga "Sugjerimet lidhur me Tetëditshën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve". Leoni XIV pas lutjes së Engjëllit të Tënzot sot, 18 janar, i kujtoi turmës zanafillen e Javës së lutjes, që filloi e që, tradicionalisht, i përfshin të gjitha besimet e krishtera.

Lutjet dhe reflektimet u përgatitën nga një grup ekumenik i koordinuar nga Departamenti për Marrëdhënie Ndërfetare i Kishës Apostolike Armene. Prandaj, i ftoi të gjitha komunitetet katolike të forcojnë lutjet gjatë këtyre ditëve, për unitetin e plotë dhe të dukshëm të të gjithë të krishterëve.

Papa kujtoi titullin e Javës së Lutjes 2026, të shkëputur nga letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve: "Një i vetëm është korpi, një i vetëm Shpirti,  ashtu si e vetme është shpresa për të cilën ju thirri Zoti". Kjo ftesë për bashkim do të shoqërojë reflektimin mbi temën deri në mbylljen e Javës së Lutjes, të dielën, 25 janar kur, si zakonisht, në Solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Leoni XIV do të jetë në Bazilikën e Ostias në orën 17:30 për të kryesuar kremtimin e Mbrëmësores.

Mbrëmësorja Ekumenike Dioqezane

Ndër ngjarjet e ndryshme të planifikuara, është qendrore vigjilja ekumenike dioqezane, të enjten, 22 janar në orën 18:30, në famullinë e Shën Luçisë (Circonvallazione Clodia, 135). Përfaqësues të besimeve të ndryshme të krishtera, të pranishme në Romë, do të marrin pjesë në shërbesën e lutjes. Shërbesa do të drejtohet nga Kardinali Vikar Baldo Reina, ndërsa predikimi do të mbahet nga Kryepeshkopi Ortodoks Khajag Barsamian, përfaqësues i Kishës Apostolike Armene në Selinë e Shenjtë.

Ngjarje të tjera në Romë

Disa ngjarje do të zhvillohen edhe në Kisha dhe bashkësi të tjera. Të hënën, do të mbahen dy vigjilje, njëra në orën 18:30 në famullinë e Dio Padre Misericordioso, dhe tjetra në orën 19:15 në Santa Maria delle Grazie al Trionfale. Të martën, në orën 19:00, është planifikuar një shërbesë lutjeje ekumenike në Santa Maria degli Angeli e dei Martiri; Të premten, në orën 19:00, do të ofrohet Mesha në San Gioacchino in Prati dhe në Santi Mario e Compagni Martiri. Më 23 janar, në orën 20:00, Kryepeshkopi Anglikan Anthony Ball do të kryesojë në Santa Maria in Trastevere, dhe studentë nga Qendra Ekumenike Bossey do të jenë të pranishëm. Mesha do të vazhdojë të shtunën, më 24 janar, në orën 19:00, në famullinë e Santa Caterina. Në Bazilikën e Santa Maria në Via Lata, Qendra Eukaristike Ekumenike e Bijave të Kishës ofron lutje çdo mbrëmje sipas riteve të ndryshme katolike lindore dhe perëndimore.

CCEE: Uniteti i Krishterë si Instrument Paqeje

Presidenca e Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë (CCEE) i fton të gjitha Kishat në kontinent të kushtojnë një qëllim të veçantë lutjeje për paqen.

Lutje të përgatitura nga Besimtarët Apostolikë Armenë

Këtë vit, lutjet dhe reflektimet që do të përdoren gjatë Javës së Lutjes për Bashkimin e  të Krishterëve u përgatitën nga Besimtarët Apostolikë Armenë, në bashkëpunim me vëllezërit dhe motrat e tyre të Kishave Katolike dhe Ungjillore Armene. Materiali u përgatit, u redaktua dhe u diskutua në selinë historike shpirtërore dhe administrative të Kishës Apostolike Armene, Surp Etchmiadzin në Jerevan, gjatë ditëve të bekimit të Muronit (vajit të shenjtë) dhe rishenjtërimit të Katedrales së Nënës, që u zhvillua ndërmjet 28 dhe 29 shtatorit 2024, pas një rinovimi të gjerë dhjetëvjeçar. Ky përkujtim i ofroi popullit armen dhe anëtarëve të grupit ekumenik lokal mundësinë për të reflektuar dhe për të festuar fenë e tyre të përbashkët të krishterë. Materiali i paraqitur frymëzohet nga traditat dhe lutjet shekullore, të përdorura tradicionalisht nga populli armen, së bashku me himnet, që burojnë nga manastiret dhe Kishat e lashta të Armenisë, disa prej të cilave datojnë që nga shekulli i 4-të.

Duke u mbështetur në "Trashëgiminë e Përbashkët të Krishterë"

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2026 i fton besimtarët të mbështeten në këtë trashëgimi të përbashkët të krishterë dhe të thellojnë bashkimin në Krishtin të krishterëve nga mbarë bota. "Në Armeni, përshpirtëria është shumë e thellë e shumë e lashtë", vëren Imzot Marco Gnavi, përfaqësues dioqezan i Romës për ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar. Në vitin 301, Krishterimi u adoptua si fe zyrtare.

18 janar 2026, 14:56