Lutja e Papës për viktimat e të zhvendosurit nga Stuhia Kristin në Portugali
R.SH. / Vatikan
Afërsi dhe lutje: këto janë ndjenjat e shprehura nga Papa Leoni XIV në një telegram dërguar Imzot José Ornelas Carvalho, Ipeshkëv i Leiria-Fátimës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Portugeze (CEP). Në telegramin, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Papa shpreh ngushëllimet për të gjitha viktimat e Stuhisë Kristin, "duke u bashkuar shpirtërisht me pikëllimin e familjeve të tyre”. Cikloni - i cili arriti në bregdetin Atlantik të Portugalisë gjatë natës ndërmjet të martes, 28 janar dhe të mërkurës, 29 janar, me erëra mbi 170 kilometra në orë – la pas "një skenë të rëndë, shkatërruese", shtoi Papa, duke shprehur ngushëllimet e tij për "të plagosurit, të zhvendosurit dhe të prekurit rëndë nga dëmet e mëdha shkaktuar nga kjo stuhi".
Solidaritet dhe shpresë
Papa lutet "për autoritetet kombëtare dhe lokale, si dhe për institucionet civile, ushtarake e fetare që po bashkohen për të ndihmuar” duke shprehur mirënjohjen "për angazhimin e organizatave kishtare, pa harruar solidaritetin spontan të çdo qytetari". Së fundmi, Papa i kërkon Zotit "balsamin e solidaritetit dhe dritën e shpresës së krishterë", duke dhënë bekimin e tij apostolik.
"Nuk jeni vetëm"
Edhe imzot Ornelas Carvalho, në një mesazh drejtuar Dioqezës së Leiria-Fátima, shprehu solidaritetin me të gjithë ata që u prekën nga stuhia. "Të gjithë i njohim vuajtjet fizike, emocionale dhe shpirtërore që shkaktoi kjo situatë", shkroi Prelati. "Nuk jeni vetëm në këtë kohë". Dioqeza "po e ndjek nga afër këtë situatë të vështirë, në famulli dhe organizata lokale, për aq sa lejon rrjeti i komunikimit, duke kërkuar të ofrojë mbështetje konkrete dhe prani baritore në bashkësitë e prekura, duke punuar në koordinim me autoritetet lokale dhe kombëtare të ndihmës dhe duke rivendosur kushtet e jetesës në zonat e prekura".
Të bashkuar, për të lehtësuar vuajtjet e për të rindërtuar vendin
Përmes Caritas-it vendas, vazhdon Imzot Ornelas Carvalho, solidariteti i Kishës "shtrihet edhe në dioqeza të tjera që ndeshën me vështirësi të ngjashme. Ne i njohim angazhimin dhe vuajtjet e të gjithë atyre që, në territoret fqinje, u prekën nga kjo situatë shkatërrimtare". Në të njëjtën kohë, prelati i falënderon të gjithë ata të cilët "që nga fillimi", nxituan në zonë për të dhënë ndihmë: "Shenjë tejet pozitive e solidaritetit njerëzor. Do të mbetet në kujtesën tonë kolektive", thekson ipeshkvi. "Në çaste si ky, shpresa e krishterë bëhet dritë udhërrëfyese". "Jemi të thirrur të besojmë në Zotin dhe të forcojmë lidhjet e bashkimit e të solidaritetit ndërmjet nesh", përfundon kryetari i CEP.
"Çdo gjest ndihme, çdo lutje, çdo prani miqësore kontribuon në rindërtimin dhe lehtësimin e vuajtjeve".
Krijohet Fondi i Karitasit për emergjencën
Duke iu përgjigjur emergjencës, Caritas Leiria-Fátima dha dje lajmin e krijimit të "Fondit të emergjencës sociale duke mbështetur viktimat e stuhisë Kristin", për të forcuar kapacitetin e reagimit të menjëhershëm, ndërsa vazhdon të mbledhë materialet jetike të emergjencës. Kjo iniciativë, shpjegon Ana Mota, përfaqësuese e organizatës bamirëse, "do të na lejojë të shpejtojmë mbështetjen për familjet e prekura. Solidariteti që filluam është shenjë shprese. Prej këndej, thirrja për të qenë të bashkuar, sepse së bashku do të jemi në gjendje të rindërtojmë, të mbështesim dhe të rivendosim dinjitetin e çdo njeriu të prekur".
Të paktën 5 viktima dhe 60 komuna të dëmtuara
Aktualisht, rrethet më të prekura nga Stuhia Kristin janë Leiria, Coimbra, Santarém dhe Lisbona. Të paktën 60 komuna. Deri tani pati 5 vdekje, si dhe përmbytje, rrëshqitje toke, mbyllje rrugësh dhe linjash hekurudhore, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike për mbi 850,000 familje. Stuhia shkaktoi mbi 3,000 aksidente në të gjithë vendin, bllokoi rrugët nga pemët dhe mbeturinat e dëmtoi shumë ndërtesa.
Dëmtohet edhe Katedralja e Fatimes, e prekur nga stuhia
Dëmet më të rënda materiale u shkaktuan në Bazën Ajrore Monte Real, në distriktin Leiria, ku disa objekte si dhe të paktën dy avionë luftarakë F-16 u goditën nga mbeturinat që sillnin erërat e forta. U prek edhe Katedralja e Fatimes: erërat rrëmbyen, veçanërisht, kedra dhe pisha përgjatë shtigjeve të "Mbrojtjes së Lutjes" dhe dëmtuan disa zona pas Bazilikës së Zojës Rruzare dhe zonës së Valinhos.
Shpallet gjendje katastrofe deri më 1 shkurt
Qeveria portugeze shpalli gjendje katastrofike në zonat më të prekura, nga mesnata e 28 janarit - deri në orën 23:59 të mbrëmjes, më 1 shkurt. Kryeministri Luís Montenegro, i cili vizitoi Leiria-n të enjten, njoftoi se Portugalia është në kontakt me Komisionin Evropian për të përcaktuar "formën më të mirë të financimit" në mbështetje të familjeve dhe bizneseve të prekura. Nga ana e saj, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu, në një postim në X, "ngushëllimet e saj më të thella" për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga stuhia, duke siguruar se BE-ja "është gati ta mbështesë rimëkëmbjen e vendit".
Alarm edhe në Spanjë
Ndërkohë, pasi kaloi Portugalinë, Stuhia Kristin kaloi në lindje të Spanjës, duke sjellë me vete borë në lartësitë më të ulëta dhe shi e erëra të forta. Në Andaluzi, shërbimet e emergjencës lajmërojnë për rreth 2,000 incidente të lidhura me motin. Autoritetet spanjolle lëshuan paralajmërime për valë të larta përgjatë bregdetit dhe parashikuan erëra deri në 90 kilometra në orë, në ishullin e Ibizës.
