Kërko

Papa: Fjala e Zotit, “thesar” i Kishës dhe realitet i gjallë në histori

I kushtohet marrëdhënies ndërmjet Shkrimit Shenjt dhe Traditës, katekizmi i Leonit XIV në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në dritën e Kushtetutës konciliare Dei Verbum. "Fjala e Zotit nuk është e fosilizuar", shpjegoi Papa, "por realitet organik" që zhvillohet e rritet falë Shpirtit Shenjt.

R.SH. / Vatikan

Dinamik, me forcë të brendshme jetike, "depozitë" që Kisha është e thirrur ta ruajë në integritetin e saj, duke e ankoruar, falë Shpirtit Shenjt, në ndryshimet e historisë. Këto, fjalët e Papës Leoni XIV theksuar në katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme, 28 janar, mbajtur në Sallën Pali VI, e përqendruar në Kushtetutën Dogmatike të Koncilit të Dytë të Vatikanit Dei Verbum të 18 nëntorit 1965, mbi Zbulesën Hyjnore. Duke vazhduar serinë e katekizmit mbi dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, Papa u përqendrua në marrëdhënien ndërmjet Shkrimit Shenjt dhe Traditës.

Fjala e Zotit nuk është e fosilizuar, por është realitet i gjallë e organik, që zhvillohet dhe rritet në Traditë. Tradita, falë Shpirtit Shenjt, e kupton atë në pasurinë e së vërtetës së saj dhe e mishëron në koordinatat ndryshuese të historisë.

Fjala dhe përhapja e saj

Për të shpjeguar marrëdhënien ndërmjet Fjalës e Traditës, Papa Leoni citoi dy episode ungjillore: në Çenakull, domethënë në dhomën e sipërme, duke folur me dishepujt, Jezusi u kujtoi se Shpirti Shenjt do t'u mësojë  gjithçka që predikoi. "Kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetës, do t'ju prijë në gjithë të vërtetën". Në kodrat e Galilesë, Jezusi Ngjallur u duket dishepujve dyshimtarë dhe u kërkon të shkojnë e të ungjillëzojnë mbarë popujt. "Në të dyja këto skena - nënvizon Papa - është e dukshme lidhja intime ndërmjet fjalës së thënë nga Krishti dhe përhapjes së saj përgjatë shekujve".

E shkruar në zemrën e Kishës

Duke folur për numrin 9 të Dei Verbum, Papa Leoni kujtoi lidhjen e ngushtë ndërmjet Shkrimit Shenjt dhe Traditës Shenjte e, "mbasi të dyja rrjedhin nga e njëjta gurrë hyjnore, ato formohen në një mënyrë të caktuar dhe synojnë të njëjtin qëllim". Edhe katekizmi i Kishës Katolike na kujton një moto të Etërve të Kishës: "Shkrimi i Shenjtë u shkrua në zemër të Kishës, përpara se të shkruhet në mjete materiale".

Tradita Kishtare shtrihet përgjatë historisë përmes Kishës, e cila e ruan, e interpreton dhe e mishëron Fjalën e Zotit.

Transmetimi tek breznitë e ardhshme

Tradita përparon në Kishë me ndihmën e Shpirtit Shenjt përmes përvojës - theksoi Papa Leoni XIV, duke cituar Kushtetutën Konciliare Dei Verbum - e cila lind nga "një kuptim më i thellë i sendeve shpirtërore" e, mbi të gjitha, përmes predikimit të pasardhësve të apostujve, që morën "një karizmë të sigurt të së vërtetës".

Shkurt, "Kisha, në doktrinën, jetën dhe kultin e saj, përjetëson dhe transmeton tek të gjithë brezat, gjithçka beson".

Ylli polar i udhëtimit

Krishterimi, prandaj, është "realitet dinamik", pohonte Shën Gjon Henri Newman, "si përvojë komunitare, ashtu edhe si doktrinë": "realitet i gjallë, që zhvillohet falë një force të brendshme jetike". Leoni XIV shpjegon, më pas, se në Dei Verbum kujtohet fjala e përdorur nga Shën Pali - "depozitë" - e cila bashkon Traditën Shenjte me Shkrimin Shenjt; depozitë e Fjalës së Zotit e besuar Kishës, e thirrur për ta ruajtur të paprekur dhe e interpretuar nga "magjisteri i gjallë i Kishës, autoriteti i të cilit ushtrohet në emër të Jezu Krishtit".

"Depozita" e Fjalës së Zotit është edhe sot në duart e Kishës, e edhe në duart e ne të gjithëve, në shërbesat tona të ndryshme kishtare. Duhet të vazhdojmë ta ruajmë në integritetin e saj, si Yll Polar për udhën tonë në kompleksitetin e historisë dhe të ekzistencës.

Prej këndej, ftesa e Papës për të dëgjuar përsëri fjalët e Dei Verbum mbi Shkrimin Shenjt dhe mbi Traditën, të cilat janë "kaq të lidhura dhe të bashkuara" sa që nuk mund të jetojnë pa njëra-tjetrën; së bashku, "sipas mënyrës së tyre, nën veprimin e të vetmit Shpirt Shenjt, kontribuojnë fuqimisht në shpëtimin e shpirtrave".

28 janar 2026, 12:03