Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa për "Il Foglio": më shumë zëra për të garantuar lirinë, dialog pa polarizime

Në një mesazh për 30-vjetorin e gazetës së përditshme italiane 'Il Foglio', Papa Leoni XIV kujton se pa "shkëmbimin e lirë të ideve", nuk mund të ketë liri mendimi. Më pas i beson shtypit detyrën e "edukimit duke informuar" për të "kontribuar në ndërtimin e një bote më të drejtë e më paqësore"

R. SH. - Vatikan

Liria e opinioneve, përgjegjësia kur tregon ngjarje, respekti për larminë e mendimit, dialogu për të kundërshtuar "polarizimin ekstremist e mashtrues". Janë këto konceptet që kujtoi Papa Leoni për ndërtimin e "një bote më të drejtë e më paqësore" në mesazhin e datës 23 janar, që ia dërgoi redaktorit të gazetës së përditshme italiane Il Foglio, Claudio Cerasa, me rastin e 30-vjetorit të gazetës. E themeluar në Romë më 30 janar 1996 nga Giuliano Ferrara, që e drejtoi deri në vitin 2015, gazeta Il Foglio që nga fillimi ishte forum për shkëmbimin e mendimeve.

Liria e mendimit, mbrojtja e dinjitetit të njeriut

Papa Leoni XIV shpreh urimet e tij më të mira dhe kujton se në vitet e një ndryshimi kaq të madh, "prania e ofertës pluraliste në fushën e informacionit, në të cilën kontribuoj puna juaj, ka qenë e është garanci e lirisë".

Aftësia për të përhapur mendime të ndryshme dhe për të ofruar interpretime të ndryshme për faktet, është themeli konkret i atij shkëmbimi të lirë idesh, pa të cilin nuk ka liri mendimi, përkundrazi, ka mohim  të dinjitetit dhe të  drejtës së mendimit të çdo qenieje njerëzore.

Etiketa për t'u dukur

Duke u nisur nga këto premisa, Papa Prevost thekson nevojën për diskutim, për të mos rënë në kategori kufizuese, që nuk arrijnë ta kapin realitetin.

Dialogu duhet të vihet në lëvizje, e ne nuk duhet t'i dorëzohemi polarizimit ekstremist dhe mashtrues, që e redukton realitetin në parodi, rrënjët kulturore dhe fetare, pothuajse në etiketa për t'u dukur e mendimin, në llogaritje.

Të formosh të informuarin

"Shtypi i lirë - lexohet në mesazh - e në përgjithësi të gjitha mediat, kanë detyrën e jashtëzakonshme të edukimit, duke informuar". Detyrë që duhet kryer me një "ndjenjë të madhe përgjegjësie", me dallimin "ndërmjet rrëfimit më objektiv të mundshëm të fakteve dhe shprehjes së opinioneve mbi to, gjithmonë të hapura për diskutim.

E kështu të kontribuojmë në ndërtimin e një bote më të drejtë e më paqësore.

E ardhshme takimesh

Dëshira e Papës për redaktorët e gazetës Il Foglio është "të frymëzohen gjithnjë nga dëshira për të ndërtuar ardhmëri takimesh, jo konfliktesh, e për të mbrojtur kështu, bukurinë e jetëve tona".

31 janar 2026, 11:13