Papa ipeshkvijve sllovenë: uniteti, antidot ndaj "jo pak rreziqeve" bashkëkohore
R.SH. – Vatikan
Harmonia e peizazheve të Sllovenisë, ku elemente të ndryshme bashkëjetojnë pa u asgjësuar; shtresëzimi i "ndikimeve të saj të ndryshme kulturore", të bashkuara me kalimin e kohës në një traditë të vetme dhe "të thellë" të krishterë. Ky është imazh i "unitetit" që Papa Leoni XIV shikon – duke pritur ipeshkvijtë e vendit evropian të mbërritur në Romë për vizitën ad limina apostolorum sot paradite, më 16 janar – duke treguar përvojën sllovene si një rrugë të mundshme për të përballuar "jo pak rreziqe" të së tashmes dhe ato ndryshime që rrezikojnë të "fikin shpresën".
Vizita e parë ad limina e Leonit XIV
Pasi u dha mirëseardhjen prelatëve të Sllovenisë në gjuhën e tyre amtare, Leoni XIV shprehu vlerësimin e tij për vizitën ad limina, e para e papnisë së tij, e ardhur në përfundim të Vitit të Shenjtë, me qëllim forcimin e bashkësisë me Pasardhësin e Pjetrit dhe përtëritjen, “me gëzim dhe përgjegjësi”, të përkatësisë ndaj Zotit, mbështetje në sprovat e jetës.
Kisha në Slloveni
Papa Leoni XIV bën më pas një bilanc të raporteve që i kanë mbërritur mbi situatën e Kishave lokale në Slloveni.
Edhe pse është një vend me përmasa të kufizuara, ai shquhet për pasurinë dhe harmoninë e peizazheve, për mbarësinë e ndikimeve të ndryshme kulturore që kanë shënuar historinë e tij dhe për një traditë të thellë të krishterë.
Kjo trashëgimi feje kontribuon në formimin “shpirtëror, edukativ dhe kulturor” të popullit slloven, duke lënë “gjurmë të qëndrueshme” në jetën shoqërore të vendit.
Dëshmia e shenjtorëve sllovenë
Leoni XIV lëvdon më pas përkushtimin e prelatëve në shpalljen e Ungjillit, të konkretizuar në një dëshmi “të matur por elokuente” pranie dhe afërsie. Një angazhim që shtrihet në kujdesin baritor ndaj familjeve, të rinjve, botës së arsimit dhe atyre që janë të shënuar nga vuajtjet dhe sëmundjet. "Kështu e bëni konkret, përmes veprave bamirëse të krishtera, dashurinë e Zotit për çdo person. Është dashuria e Krishtit që deshi të ndajë deri në fund kushtin njerëzor, duke zbritur në errësirat e tij për të na rikthyer te drita që jep jetë, dhe duke na siguruar se askush nuk është i braktisur dhe askush nuk mbetet kurrë vetëm".
Një “lajm i gëzueshëm” i përcjellë dhe i dëshmuar me besnikëri dhe guxim nga shenjtorët dhe të lumët e shumtë që lidhen me Slloveninë.
Rruga "vendimtare" e unitetit
Leoni XIV kthen pastaj vështrimin nga aktualiteti, te temat e shënuara nga sfidat dhe rreziqet e shumta: konflikti që “plagos” Evropën, frikërat që rrezikojnë të “paralizojnë zemrat” dhe “forma të ndryshme që kërcënojnë drejtpërdrejt dinjitetin e jetës njerëzore”. Këtyre u shtohen pengesat që shfaqen para strukturave dhe modeleve baritore të zakonshme, sot “në transformim të vazhdueshëm”, të afta për të shkaktuar humbje orientimi dhe pasiguri.
"Si të reagojmë përballë gjithë kësaj? Përveç besimit te Zoti, që udhëheq Kishën e Tij dhe na ka premtuar praninë e Tij deri në fund të kohërave, ekziston një rrugë vendimtare: uniteti. Uniteti mes nesh, mes Barinjve, mes komuniteteve, mes karizmave dhe shërbesave. Uniteti është antidoti i parë kundër frikës, kundër shpërndarjes dhe kundër atyre ndryshimeve që rrezikojnë të fikin shpresën".
"E tëra është më shumë se pjesët"
Në këtë drejtim, Papa citon paraardhësin e tij, Papën Françesku, i cili në nxitjen apostolike Evangelii gaudium pohonte: “E tëra është më shumë se pjesët, dhe është gjithashtu edhe më shumë se shuma e tyre e thjeshtë”.
Uniteti nuk i fshin dallimet, por i harmonizon ato; nuk varfëron, por pasuron. Dhe është pikërisht kjo bashkësi e jetuar që e bën të besueshme dhe koherente dëshminë e Kishës. Aty ku ka unitet, Ungjilli shkëlqen me forcë më të madhe, Kisha bëhet shtëpi mikpritëse dhe tërheqëse, dhe në këtë klimë mund të lindin e të piqen edhe thirrje të reja.
Papa e përfundon fjalimin e tij duke i inkurajuar prelatët sllovenë që të vazhdojnë me besim dhe shpresë në shërbimin e tyre baritor, në sigurinë e afërsisë së Zotit dhe të hirit të Tij të vazhdueshëm që u jepet atyre që mbështeten tek Ai.
Përshëndetja e kryetarit të Konferencës Episkopale sllovene
Me rastin e takimit, kryetari i Konferencës Episkopale sllovene, Imzot Andrej Saje, i drejtoi një përshëndetje Papës duke vënë në dukje traditën e "gjatë dhe të pasur" të krishterë të vendit. Imzot Saje kujtoi pavarësinë e arritur nga Sllovenia në vitin 1991, duke theksuar se Selia e Shenjtë ishte ndër të parat që e njohu atë. Ai kujtoi figura shenjtërie si i lumi Anton Martin Slomšek, “shembull i urtësisë baritore dhe unitetit”, i lumi Alojzij Grozde dhe të lumet martire të Drinës. Gjithashtu përmendi misionarin mes vendasve në Amerikën e Veriut, shërbëtorin e Zotit, ipeshkvin Friderik Irenej Baraga, i cili "me zellin e tij ungjillor, respektin për kulturat dhe shenjtërinë e jetës, mishëroi një Kishë autentikisht misionare".
