Kërko

Edicioni i fundit i "Marshimit për Jetën" në Uashington D.C. Edicioni i fundit i "Marshimit për Jetën" në Uashington D.C.

Papa Leoni XIV: respekt për jetën në çdo fazë të saj, nëpërmjet dialogut me politikanët

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në «Marshimin për Jetën», i cili zhvillohet sot më 23 janar në Uashington, D.C., Papa Leoni XIV pohoi edhe njëherë se mbrojtja e së drejtës për ekzistencë është «themeli i domosdoshëm» i të gjitha të drejtave të tjera. Duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve, Papa i nxiti ata të bëjnë përpjekje të guximshme dhe paqësore.

R.Sh. Vatikan

Një dialog ku përfshihen të gjitha nivelet e shoqërisë e që zhvillohet me vendosmëri por pa dhunë, për të pohuar edhe njëherë të drejtën e jetës si «themel i domosdoshëm i çdo të drejte tjetër njerëzore». Me këtë thirrje Papa Leoni XIV iu drejtua pjesëmarrësve në «Marshimin për Jetën», të planifikuar për sot, më 23 janar, në Uashington, D.C., kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, atdheu i Papës Prevost.

Papa u jep zemër të rinjve

Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë Leoni XIV i siguroi pjesëmarrësit se ai është afër me zemër dhe mendje me marshimin e tyre, të cilin e quajti një «dëshmi e gjallë për të gjithë» sepse synon ripohimin e shenjtërisë së jetës njerëzore. Një shoqëri vërtet «e shëndetshme» mbështetet dhe përparon mbi këtë themel dhe e forcon atë, vijon letra e Papës Prevost – fjalë këto, që Ati i Shenjtë i kishte shprehur edhe në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë më 9 janar.

«Në këtë drejtim, – shkruan në letrën e vet Papa Leoni – ju inkurajoj, veçanërisht të rinjtë, të vazhdoni punën që jeta të respektohet në të gjitha fazat e saj, nëpërmjet përpjekjeve të duhura në çdo nivel të shoqërisë, përfshirë këtu edhe dialogun me drejtuesit e politikës dhe ata civilë.

Marshoni në mënyrë paqësore dhe të guximshme

Papa së fundi ia besoi pjesëmarrësit shoqërimit të Jezusit, « i cili ka premtuar të qëndrojë gjithmonë me ne», duke i ftuar ata të marshojnë me guxim dhe në mënyrë paqësore «në emër të foshnjave që nuk lindën kurrë», për shkak të abortit.

«Duke i mbrojtur këta, dijeni se po përmbushni urdhrin e Tenzot e se i shërbeni Atij kur i shërbeni më të voglit ndër vëllezërit dhe motrat tona.

«Marshimi për jetën»

Tema e zgjedhur për marshimin e 53-të në mbrojtje të jetës thotë : «Jeta është dhuratë». Pjesëmarrësit marshojnë drejt Capitol Hill-it që nga viti 1974. Ky marshim këtë vit bie në përvjetorin e vendimit gjyqësor «Roe kundër Wade» nga Gjykata e Lartë e SHBA-së, e cila vendosi të drejtën federale për abort. Më 24 qershor 2022, po kjo Gjykatë e Lartë rrëzoi këtë vendim të saj për abortin, duke miratuar vendimin e njohur si «Dobbs v. Jackson Women's Health Organization».

23 janar 2026, 09:06