Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa mediave katolike: në kërkim të së vërtetës për t'ia ofruar edhe atyre që nuk besojnë

Në një mesazh të lexuar në Lurdë të Francës me rastin e Ditëve të Shën Françesku të Salesit, Papa Leoni XIV i bën thirrje komunikuesve katolikë që të "kthehen te arsyet e zemrës, te qëndrueshmëria e marrëdhënieve të mira dhe te aftësia për t'iu afruar të tjerëve, pa përjashtuar askënd".

R.SH. – Vatikan

Si profesionistë të komunikimit shoqëror me frymëzim katolik, ju inkurajoj të jeni mbjellës të fjalëve të mira, krijues të një fjale që përqafon, të një komunikimi të aftë për të bashkuar atë që është thyer, të një balsami në plagët e njerëzimit.

Kjo është ftesa e Papa Leonit XIV drejtuar Fédération des Médias Catholiques, e cila e mbledhur në Lurdë, në Francë, nga data 21 deri më 23 janar, reflekton mbi temën “Mediat katolike, media për kë”. Për të gjithë ata që punojnë në fushën e komunikimit katolik dhe që po jetojnë Ditët e Shën Françeskut të Sales, pajtorit qiellor të shtypit katolik, që kanë mbërritur në edicionin e tyre të 29-të, erdhi një mesazh në frëngjisht nga Papa, me firmën e kardinalit Pietro Parolin, i lexuar, pasditen e së mërkurës më 21 janar, nga Emmanuel Bonnet, president i Federatës Franceze të Mediave Katolike.

Shembulli i Atë Hamel, njeri i dialogut dhe dëgjimit

Papa nxit të shihet shembulli i Atë Jacques Hamel, Shërbëtorit të Hyjit të vrarë nga urrejtja për fenë më 26 korrik 2016, ndërsa kremtonte Meshën në Kishën e Shën Shtjefnit, në Saint-Étienne-du-Rouvray, pranë Rouen-it, në Francë. Pikërisht atij i kushtohet një çmim që u jepet gazetarëve të cilët angazhohen për promovimin e paqes dhe dialogut ndërfetar.

Atë Hamel ishte dëshmitar i fesë deri në dhurimin e jetës së tij. Ai besoi gjithmonë në vlerën e dialogut dhe të dëgjimit të ndërsjellë e të durueshëm. Atë Hamel ishte i bindur se ishte urgjente të të tregoheshim të afër me tjerët, pa përjashtim.

Të mos trembemi nga diversiteti

“Për t’u njohur - lexohet në mesazhin e Papës - duhet të takohemi pa u lënë të trembemi nga dallimet, të gatshëm për të luftuar për atë që jemi dhe për atë që besojmë”.

Shembulli i Atë Jacques Hamel ju inkurajoftë të jeni kërkues të së vërtetës në dashurinë që shpjegon gjithçka, krijues të një fjale që përqafon, të një komunikimi të aftë për të bashkuar atë që është thyer, të një balsami për plagët e njerëzimit.

Të mos përjashtohet askush

Leoni XIV kujton, më pas, se në komunikimin e sotëm, të shënjuar nga “hyrja e inteligjencës artificiale”, është urgjente të rigjejmë “arsyet e zemrës”, t'u japim hapësirë “marrëdhënieve të mira” gjithmonë në takim me të tjerët “pa përjashtuar askënd”. Dhe kjo urgjencë gjen përgjigje në shërbimin ndaj së vërtetës që mediat katolike mund t'u ofrojnë të gjithëve, madje edhe atyre që nuk besojnë.

Ditët e Shën Françeskut të Sales

Ditët e Lurdit, të organizuara nën mbrojtjen e Federatës së Mediave Katolike në bashkëpunim me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Komunikimin shoqëror, janë të ndara në nënseksione, me debate për të diskutuar, në veçanti, sfidat e teknologjisë dixhitale, aktorët e rinj të mediave katolike – veçanërisht ata që shfrytëzojnë rrjetet sociale – si dhe gjendjen minoritare të katolicizmit në Francë.

 

22 janar 2026, 09:51