Papa: problemi në Kishë nuk është numri, por "ndjesia si një Kishë"
R.SH. - Vatikan
Numri i janarit 2026 i revistës Piazza San Pietro, i dedikuar tërësisht temës së paqes, hapet si zakonisht me ndërhyrjen e Papa Leonit XIV. Papa i përgjigjet këtë muaj një lexueseje: Nunzia-s, një katekiste zvicerane që banon në Laufenburg, një komunë e vogël me 620 shpirtra. "Mbjell, por fidanët e kanë të vështirë të rriten. Fëmijët dhe familjet preferojnë sportin dhe festat", shkruan gruaja 50-vjeçare, duke treguar me pasion angazhimin e saj dhjetëvjeçar në katekizëm, nga Kungimi i Parë deri te Krezmimi.
Në letrën e saj, ajo denoncon një realitet të vështirë: "Këtu në Zvicër është e vështirë të përfshish prindërit dhe, ndonjëherë, edhe fëmijët e të rinjtë që t'i besojnë Zotit". Familje pak prezente dhe shpesh indiferente ndaj praktikës fetare; fëmijë të tërhequr nga sporti, muzika, smartfonët dhe festat më shumë sesa nga feja; të diela me Kisha gjithnjë e më bosh, të frekuentuara kryesisht nga të moshuarit; lodhje e përditshme në "mbjellje" kur terreni duket djerrë: ky është kuadri i ilustruar nga katekistja helvete. E cila, megjithatë, përballë dekurajimit, rithekson angazhimin e saj: "Unë përpiqem të mbjell, por fidanët e kanë të vështirë të rriten". Dhe Papës i kërkon një lutje për të rinjtë e besuar në kujdesin e saj dhe për veten, që të mos i mungojë guximi për të vazhduar.
Përgjigjja e Papa Leonit
Nga faqet e revistës Piazza San Pietro, e drejtuar nga Atë Enzo Fortunato, Leoni XIV ndalet te shqetësimet e Nunzia-s dhe e vendos atë në kuadrin evropian: "Situata në të cilën Ju jetoni nuk është e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera me krishterim të lashtë". Papa fton të shihet përtej të dhënave të pjesëmarrjes: "Orët e dedikuara katekizmit nuk janë kurrë të çuara dëm, edhe nëse pjesëmarrësit janë shumë pak". Dhe lëshon një sfidë kishtare: "Problemi nuk janë numrat – të cilët, sigurisht, të bëjnë të reflektosh –, por mungesa gjithnjë e më evidente e ndërgjegjes për t'u ndier Kishë, domethënë gjymtyrë të gjalla të Trupit të Krishtit, të gjithë me dhurata dhe role unike, dhe jo thjesht konsumatorë të së shenjtës, të sakramenteve, ndoshta për thjeshtë zakon".
Nunzia-s– dhe gjithë atyre që jetojnë të njëjtat vështirësi – Papa u tregon një rrugë: "Si të krishterë, kemi gjithmonë nevojë për kthim (konvertim). Dhe duhet ta kërkojmë së bashku". Dhe kujton se dera e vërtetë e fesë "është Zemra e Krishtit, gjithmonë e hapur tej e tej". Apeli përfundimtar i Papës rrënjoset në trashëgiminë e Palit VI: "Ajo që mund të bëhet është të dëshmojmë gëzimin e Ungjillit të Krishtit, gëzimin e rilindjes dhe të ringjalljes".
