Kërko

Kremtime për tetëqindvjetorin e Katedrales së Toledos, Spanjë Kremtime për tetëqindvjetorin e Katedrales së Toledos, Spanjë

Papa: një vit jubilar mirënjohjeje për 800-vjetorin e Katedrales së Toledos

Mesazh i Papës drejtuar kryedioqezës spanjolle të Toledos që kremton tetëqindvjetorin e vendosjes së gurit të parë të Kishës Katedrale, e cila konsiderohet ndër kryeveprat e stilit gotik, dhe që për këtë përvjetor do të jetojë edhe një vit jubilar. Papa falënderon besimtarët që kanë "ruajtur dhe mbrojtur fenë dhe bashkimin me Selinë e Pjetrit në Romë për shekuj me radhë" dhe fton të mos harrohen të varfrit.

R.SH. – Vatikani

“Qoftë një kohë hiri, faljeje dhe mëshire”. Ky është urimi që Papa Leoni XIV formulon në një mesazh drejtuar besimtarëve të kryedioqezës së Toledos, në Spanjë, të cilët këtë vit kremtojnë 800-vjetorin e ndërtimit të Katedrales së tyre dhe një vit jubilar të dedikuar këtij përvjetori. Shpresojmë të jetë “një vit mirënjohjeje” për atë që Kisha “i ka dhuruar historisë së Spanjës, Evropës dhe Amerikës Latine”, shkruan Papa, i cili kujton fillimin e ndërtimit të Katedrales së lashtë gotike në vitin 1226, kur “kryeipeshkvi imzot Rodrigo Jiménez de Rada dhe mbreti Ferdinandi III i Kastiljes vendosën gurin e parë” në vendin e “Kishës primitive vizigote të Shën Marisë”.

Një vit kremtimesh dhe ngjarjesh

Katedralja e Toledos, përgjatë shekujve, ka qenë “dëshmitare e një morie ngjarjesh”, të cilat janë pavdekësuar falë historisë së artit. Ndër ngjarjet më të rëndësishme spikat ripushtimi i Mbretërisë së Granadës dhe ungjillëzimi i Botës së Re nga sovranët katolikë. Gjatë këtij viti, “kremtime të rëndësishme liturgjike dhe aktivitete kulturore” do të tregojnë “trashëgiminë e pasur shpirtërore” të Kishës së Toledos dhe “projeksionin e saj drejt një të ardhmeje plot shpresë”, paralajmëron Papa, i cili nënvizon veçanërisht “vlerën e liturgjisë spanjolle-mozarabike, e cila kremtohet çdo ditë në Katedralen gotike”.

Të mos harrohen varfëritë e sotme

Në mesazhin e Papës shprehet edhe falënderimi për besimtarët të cilët “si ‘gurë të gjallë’” të Kishës kanë “ruajtur dhe mbrojtur fenë dhe bashkimin me Selinë e Pjetrit për shekuj me radhë”, si dhe mirënjohja “për veprën bamirëse dhe sociale” të kryer nga Katedralja e Toledos, “e ndjeshme ndaj varfërive të reja që po shfaqen sot në shoqërinë tonë”. “Ju inkurajoj të ecni përpara”, nxit Papa, i cili duke cituar Dilexi te, fton të mos “harrojmë të varfrit, nëse nuk duam të dalim nga rryma e gjallë e Kishës që buron nga Ungjilli dhe pllenon çdo moment historik”.

Së fundi, Papa Leoni XIV siguron lutjen e tij për Kishën e Toledos “në këtë kohë hiri dhe përtëritjeje” dhe kërkon për besimtarët mbrojtjen e Zotit dhe të Virgen del Sagrario, pajtores së tyre qiellore.

30 janar 2026, 11:18