Kërko

Papa: Shën Françesku na flet ende për paqen në këtë epokë lufte dhe përçarjesh

Letër nga Leoni XIV drejtuar ministrave të përgjithshëm të Konferencës së Familjes Françeskane, me rastin e hapjes së festimeve për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut: "Paqja është shuma e të gjitha të mirave të Zotit, dhuratë që zbret nga lart. Çfarë iluzioni do të ishte po të mendohej për ta ndërtuar atë vetëm me përpjekjet njerëzore". Papa na siguron se do të bashkohet me ata që marrin pjesë në ngjarjet përkujtimore dhe thotë një lutje kushtuar të varfërve.

R.SH. / Vatikan

"Zoti të dhëntë paqe". Papa Leoni XIV kujton "fjalët kryesore" që Shën Françesku i Asizit ua dha fretërve të tij dhe çdo besimtari për të përsëritur vlerën e paqes, "shumë e gjitha të mirave të Zotit" e "dhuratë që zbret nga lart". "Çfarë iluzioni do të ishte të mendohej ta ndërtonim vetëm me përpjekjet njerëzore! E megjithatë është dhuratë aktive, që duhet mirëpritur dhe duhet jetuar çdo ditë", shkruan Papa në një letër drejtuar krerëve të përgjithshëm të Konferencës së Familjes Françeskane, me rastin e hapjes solemne të festimeve për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut këtë të shtunë, 10 janar, në Asizi.

Luftëra, përçarje dhe një Krijues që rënkon

Në tekst, Papa i drejtohet asaj epoke, "që vuajti nga kaq shumë luftëra, të cilat duken të pambarim" dhe "nga përçarje të brendshme e shoqërore, që krijojnë mosbesim dhe frikë", në të cilat, megjithatë, Krishti "vazhdon të flasë", jo sepse premton "zgjidhje teknike", por sepse "jeta e tij tregon burimin e vërtetë të paqes".

"Paqja me Zotin, paqja ndërmjet njerëzve dhe me Krijimin janë përmasa të pandashme të një thirrjeje të vetme për pajtim universal", thekson Papa. Për të kujtuar më pas se "vizioni françeskan i paqes nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet ndërmjet qenieve njerëzore, por e përqafon mbarë krijimin". Françesku, i cili e quan diellin "vëlla" dhe hënën "motër", që "shikon në çdo krijesë pasqyrimin e bukurisë hyjnore", na kujton se "paqja duhet të shtrihet në të gjithë familjen e Krijimit".

"Kjo intuitë jehon me një urgjencë të veçantë në kohën tonë, kur shtëpia jonë e përbashkët kërcënohet dhe rënkon nën shfrytëzim", vërejti Papa Leoni. Prandaj shpreson se "shembulli dhe trashëgimia shpirtërore" e Shën Françeskut mund të "zgjojë ndër të gjithë rëndësinë e besimit në Zotin, të përkushtimit ndaj një jete besnike ndaj Ungjillit, të pranimit dhe ndriçimit me besim dhe lutje të çdo rrethane dhe veprimi të jetës".

Lutja e dorëzuar nga Leoni

Në fund të letrës së tij, Leoni XIV na siguron se bashkohet "shpirtërisht" me të gjithë Familjen Françeskane dhe me të gjithë ata që do të marrin pjesë në ngjarjet përkujtimore, duke shpresuar që "mesazhi i paqes të ketë jehonë të thellë në Kishën dhe shoqërinë e sotme". Së fundmi, dorëzoi një lutje "që Shën Françesku i Asizit të vazhdojë të mbjellë në të gjithë ne gëzim dhe harmoni të përsosur".

Shën Françesk, ti vëllai ynë, që tetëqind vjet më parë

shkove të takoje Motrën Vdekje porsi njeri në paqe,

ti ndërmjetëso për ne te Zoti.

 

Ti njohe paqen e vërtetë në Kryqëzimin e Shën Damianit,

na mëso të kërkojmë tek Ai burimin e pajtimit

që rrëzon çdo mur.

 

Ti që, të paarmatosur, kalove vijat e luftës

dhe të keqkuptimit,

na jep guximin të ndërtojmë ura

atje ku bota ngre kufij.

 

Në këtë kohë të prekur nga konflikti dhe përçarja,

ndërmjetëso që të bëhemi paqebërës:

dëshmitarë të paarmatosur dhe çarmatosës të paqes që vjen nga Krishti.

Amen

 

11 janar 2026, 09:31