Kërko

Vdekja e Shën Françeskut të Asizit, tetëqindvjetori i të cilit kremtohet këtë vit Vdekja e Shën Françeskut të Asizit, tetëqindvjetori i të cilit kremtohet këtë vit

Papa shpall një Vit të veçantë jubilar kushtuar Shën Françeskut

Duke nisur nga 10 janari 2026, deri më 10 janar 2027, siç njoftohet nga një Dekret i Pendestarisë Apostolike, do të jepet ndjesa e plotë

R.SH: / Vatikan

Një Vit i veçantë i Shën Françeskut nga 10 janari 2026 - deri më 10 janar 2027. “Çdo besimtar i krishterë, duke ndjekur shembullin e Shenjtit të Asizit, mund të bëhet model i shenjtërisë së jetës dhe dëshmitar i vazhdueshëm i paqes". E shpalli Papa Leoni XIV këtë ngjarje me rastin e tetëqindvjetorit të vdekjes së Varfanjakut, dhe jo me një Dekret - botuar të premten, më 16 janar - nga Pendestaria Apostolike, përmes së cilës njofton se do të jepet ndjesa e plotë sipas kushteve të zakonshme (rrëfim sakramendor, kungim eukaristik dhe lutje për qëllimet e Atit të Shenjtë), zbatuar edhe në formë të lutjes për shpirtërat e Purgatorit.

Ndjesët

Më konkretisht, Dekreti - i nënshkruar nga Kardinali Angelo De Donatis,  pendestar i posaçëm, dhe nga Imzot Krzysztof Józef Nykiel, Regjent - ndjesa do t'u jepet anëtarëve të Familjeve Françeskane të Urdhrit të Parë, të Dytë dhe të Tretë të Rregullt e shekullar; për anëtarët e Instituteve të Jetës së Kushtuar, Shoqërive të Jetës Apostolike dhe Shoqatave publike ose private të besimtarëve, meshkuj dhe femra, të cilët respektojnë Rregullën e Shën Françeskut ose frymëzohen nga përshpirtëria  e tij a nga çfarëdo mënyre përjetojnë karizmën e tij, si dhe për të gjithë besimtarët pa dallim që "me shpirt të shkëputur nga mëkati, do të marrin pjesë në Vitin e Shën Françeskut duke vizituar në formën e shtegtimit çdo Kishë konventuale françeskane, a vend kulti në çdo pjesë të botës kushtuar Shën Françeskut, ose lidhur me të për çfarëdo arsye, e atje do të ndjekin me devotshmëri ritet e Jubileut ose do të kalojnë të paktën një periudhë të përshtatshme kohore në meditime të devotshme dhe do t’i lartojnë lutje Zotit, në mënyrë që, duke ndjekur shembullin e Shën Françeskut, t’u lindin në zemra ndjenja bamirësie të krishterë ndaj të tjerëve dhe dëshira të harmonisë e paqes ndërmjet popujve, duke përfunduar me Atynën, Besojmen dhe lutjet drejtuar Zojës së Bekuar, Shën Françeskut të Asizit, Shën Kiarës dhe të gjithë Shenjtërve të Familjes Françeskane".

Ndjesa për të moshuarit dhe të sëmurët

"Të moshuarit, të sëmurët dhe kush kujdeset për ta, si dhe të gjithë ata që për arsye serioze nuk janë në gjendje të largohen nga shtëpitë e tyre", shkruhet në Dekret, "do të jenë ende në gjendje të marrin ndjesën e plotë, me kusht që të jenë liruar nga çdo mëkat dhe të përmbushin sa më shpejt të jetë e mundur, tre kushtet e zakonshme, nëse bashkohen shpirtërisht në festimet Jubilare të Vitit të Shën Françeskut, duke i kushtuar Zotit të Mëshirshëm lutjet, dhimbjet a vuajtjet e jetës". "Që të kenë mundësinë për të marrë hirin hyjnor ko Pendestari", vazhdon dokumenti, "u kërkon të gjithë priftërinjve, rregulltarë dhe dioqezan, të pajisur me aftësitë e duhura, të vihen në dispozicion, me shpirt të gatshëm, bujar dhe të mëshirshëm, për kremtimin e Sakramentit të Pajtimit a Rrëfimit".

Jubilej kushtuar Shën Françeskut

"Ndërsa frytet e hirit të Jubileut të Zakonshëm të vitit 2025, i sapo përfunduar, janë ende aktuale dhe efektive, e na inkurajuan të gjithëve të bëheshim shtegtarë të kësaj shprese që nuk zhgënjen, një rast i ri për gëzim dhe shenjtërim i shtohet, si vazhdim ideal: tetëqindvjetori i kalimit të lum të Shën Françeskut të Asizit nga jeta tokësore - në atdheun qiellor", thekson Pendestaria Apostolike. Në vitet e fundit, Jubile të tjerë të rëndësishëm patën në qendër të vëmendjes figurën dhe veprat e Shenjtit të Asizit: tetëqindvjetori i krijimit të skenës së parë të Lindjes së Jezusit (Betlehemi parë) në Greccio, kompozimi i Këngës së Krijesave, himni i bukurisë së shenjtë të krijimit dhe përshtypja e Varrëve të Krishtit, të cilat iu dukën në Malin e Vernës,  Kalvar pothuajse i ri, dy vjet para vdekjes së tij. Viti 2026 do të jetë kulmi e përmbushja e të gjitha kretimeve të mëparshme: Vit i vërtetë i Shën Françeskut, që do të na ftojë të gjithëve për t’u bërë shenjtorë në botën bashkëkohore, duke ndjekur shembullin e Patriarkut Serafik.

Nëse është çuditërisht e vërtetë se "nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell të dhënë midis njerëzve" (krahaso Veprat 4,12) përveç Jezu Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit, është po aq jashtëzakonisht e vërtetë se ndërmjet shekullit të dymbëdhjetë e të trembëdhjetë, në epokën e të ashtuquajturave luftëra të shenjta, të ligësisë së zakoneve, zellit të keqkuptuar fetar, "një diell lindi në botë": Françesku i cili, nga bir i një tregtari të pasur, u bë i varfër dhe i përvujtë, një alter Christus - Krisht tjetër i vërtetë mbi tokë, duke i dhuruar botës shembuj të prekshëm të jetës ungjillore dhe pamje të  vërtetë të përsosurisë së krishterë. Koha jonë nuk është shumë e ndryshme nga ajo në të cilën jetoi Françesku! E pikërisht në dritën e mësimit të tij ndoshta është edhe më i vlefshëm e më i kuptueshëm.

Kur bamirësia e krishterë dobësohet, injoranca përhapet ndër zakone të këqija, e ata që e lartojnë harmoninë ndërmjet popujve e bëjnë këtë më shumë nga egoizmi sesa nga fryma e sinqertë e krishterë; kur virtualja merr përparësi mbi realen, konflikti shoqëror dhe dhuna janë pjesë e jetës së përditshme dhe paqja bëhet çdo ditë më e pasigurt dhe më e largët, ky Vit i Shën Françeskut na inkurajon të gjithëve, secilin sipas aftësive të veta, të imitojmë njeriun e varfër të Asizit, të formohemi sa më shumë që të jetë e mundur sipas modelit të Krishtit dhe të mos i zhvleftësojmë vendimet e Vitit të Shenjtë që sapo mbaroi: shpresa që na pa si shtegtarë, tani të transformohet në zell dhe zjarr të bamirësisë aktive:

"E në këtë dua të di nëse ti e do Zotin dhe mua, shërbëtorin e Tij e tëndin, e nëse do ta bësh këtë: që të mos ketë asnjë frat në botë i cili  mëkatoi aq sa mund të mëkatojë e, pasi t’i ketë parë sytë e tu, të largohet pa faljen tuaj të mëshirshme, nëse e kërkon atë".

Me këto fjalë të jashtëzakonshme, të sjella në të njohurën Epistola ad quendam ministrum, Shën Françesku jo vetëm që i jep ngushëllim dhe këshilla një vëllai anonim, por mbi të gjitha përshkruan dhe thekson konceptin themelor të mëshirës, ​​me të cilin falja dhe kënaqësia janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. E është pikërisht një falje e njohur "Falja e Asizit" ose "Ndjesa e Porziuncolës", të cilën Papa Onori III ia dha drejtpërdrejt Françeskut si privilegj të jashtëzakonshëm për ata që, pasi të jenë rrëfyer e kunguar, të vizitonin më 2 gusht një nga Kishat e lashta pranë Asizit, të ndërtuar 800 vjet më parë në një "ngastër të vogël toke" (prej nga vjen emri Porziuncola).

 

Dhënë në Romë, nga selia e Pendestarisë Apostolike, më 10 janar 2026, në prag të Festës së Pagëzimit të Zotit.

17 janar 2026, 09:41