Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: të kultivohen me durim dialogu dhe paqja në Iran e Siri

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Leoni XIV kujtoi Iranin, vend i protestave dhe i shtypjes së dhunshme, si dhe Sirinë, ku vazhdojnë ndeshjet e ushtrisë qeveritare dhe të milicive kurde: "Ndiqeni të mirën e përbashkët të të gjithë shoqërisë" tha Papa e pastaj bëri thirrje për paqe në Ukrainë, në errësirë ​​e të ftohtë për shkak të sulmeve "serioze" ruse: "Ndërpriteni dhunën dhe intensifikojini përpjekjet për paqe". Papa u lut për fëmijët e lindur në në kushtet më të vështira

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV shprehu, nga dritarja e Pallatit Apostolik, shqetësim të madh për Lindjen e Mesme, të mbërthyer ende nga konflikti dhe nga dhuna. Mendimet e Papës gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot,në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan,  ishin veçanërisht për Iranin e Sirinë, ku, deklaroi, "tensionet e vazhdueshme po shkaktojnë vdekjen e shumë njerëzve".

Irani është skena e një vale të paparë protestash, që nisën në fund të dhjetorit dhe vazhdojnë për të katërmbëdhjetën ditë radhazi, me gati dyqind qytete përfshirë në të 31 provincat iraniane. Sipas OJQ-ve, numri i të vdekurve ndërmjet protestuesve, është afërsisht 190, për shkak të shtypjes brutale të regjimit, ndërsa i arrestimeve, mbi 2.000. Ndërkohë, në Siri, përleshjet vazhdojnë në Alepo ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe milicisë kurde të Forcave Demokratike Siriane (SDF), me vdekje e plagosje.

Leoni XIV bën thirrje për paqe, armëpushim, dialog dhe ndalim të dhunës.

"Shpresoj dhe lutem që dialogu e paqja të vazhdojnë me durim, duke ndjekur të mirën e përbashkët të shoqërisë në tërësi."

Paqe në Ukrainë

Papa bën edhe një lutje për Ukrainën, ku bastisjet ruse në ndërtesa dhe në infrastrukturë vazhdojnë (sipas qeverisë së Kievit, pati 1.100 dronë dhe 890 bomba vetëm në një javë), duke lënë qytete të tëra në errësirë ​​dhe të ftohtë. Leoni XIV i dënon këto "sulme të reja, veçanërisht serioze, të rënda" të cilat, "ndërsa moti i ftohtë intensifikohet", po ndikojnë "rëndë" mbi popullsinë civile. Prandaj Papa përsëriti thirrjen për t'i dhënë fund në vend këtij tmerri:

Lutem për ata që vuajnë dhe ripërtërij thirrjen time për ndalimin e dhunës dhe intensifikimin e përpjekjeve për arritjen e paqes.

Bekim për fëmijët e pagëzuar

Gjatë përshëndetjeve, pas lutjes së Engjëllit të Zotit, në festën e Pagëzimit të Krishtit Zot, Papa u dha bekimin gjithë fëmijëve që u pagëzuan sot në Kapelën Sikstine si edhe atyre që do të marrin Sakramentin e Pagëzimit në këto ditë "në Romë dhe në të gjithë botën".

Lutem veçanërisht për fëmijët e lindur në rrethanat më të vështira, si për sa i përket shëndetit, ashtu edhe rreziqeve të jashtme. Hiri i Pagëzimit, që i bashkon me Misterin e Pashkëve të Krishtit, veproftë në mënyrë efektive tek ata dhe tek familjet e tyre.

11 janar 2026, 14:18