Kërko

Papa Leoni XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit në prani të besimatrëve Papa Leoni XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit në prani të besimatrëve

Ukrainë, Papa: të ndalet lufta, pasoja të rënda mbi civilët

Papa, pas lutjes së Engjëllit të Zotit, thirrje për paqe në të gjitha vendet në konflikt, duke kërkuar lutje për ata që vuajnë, si popullata ukrainase “e ekspozuar ndaj të ftohtit të dimrit”. Përshëndetja të rinjve të Veprimit Katolik dhe ftesa për të kujtuar se “e keqja mundet vetëm me të mirë”; mendimi i Papës shkon edhe te Dita Botërore e të Sëmurëve nga Gërbula, te “E diela e Fjalës së Zotit ”, e themeluar nga Françesku, dhe te përfundimi i javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve

R.SH. – Vatikan

Të lutemi për ata që vuajnë, të angazhohemi që lufta të përfundojë. Papa Leoni XIV, edhe një herë, me rastin e lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, lëshon thirrjen e tij për paqe në vendet e dërmuara nga konflikti. Papa ndalet te Ukraina, e cila ditët e fundit ka përjetuar bombardime dramatike ruse kundër infrastrukturave energjetike, që kanë lënë mbi një milion njerëz pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje në temperatura nën zero.

Edhe këto ditë Ukraina po goditet nga sulme të vazhdueshme që lënë popullsi të tëra të ekspozuara ndaj të ftohtit të dimrit. Me dhimbje ndjek atë që po ndodh; jam pranë dhe lutem për ata që vuajnë. Zgjatja e armiqësive, me pasoja gjithnjë e më të rënda për civilët, e thellon përçarjen mes popujve dhe e largon një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. I ftoj të gjithë të intensifikojnë edhe më shumë përpjekjet për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Rinisë së Veprimit Katolik: bëhuni punëtorë të paqes

Leoni XIV i drejtohet me përzemërsi fëmijëve dhe të rinjve të shumtë të Veprimit Katolik të Romës, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit me prindërit, edukatorët dhe meshtarët e tyre. Duke folur me ta, të cilët me "Karvanin e tyre të Paqes" ngjyrosën sheshin "Shën Pjetrit" dhe rrugën "Via della Conciliazione", Papa rikthehet të flasë për rëndësinë e dëshmimit të vëllazërisë.

Të dashur fëmijë dhe të rinj, ju falënderoj sepse na ndihmoni ne të rriturve ta shohim botën nga një perspektivë tjetër: atë të bashkëpunimit mes njerëzve dhe popujve të ndryshëm. Faleminderit! Bëhuni punëtorë të paqes në shtëpi, në shkollë, në sport, kudo. Mos jini kurrë të dhunshëm, as me fjalë e as me gjeste, kurrë! E keqja mundet vetëm me të mirë. Së bashku me këta të rinj lutemi për paqen në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në çdo rajon ku mjerisht luftohet për interesa që nuk janë ato të popujve. Paqja ndërtohet mbi respektin ndaj popujve.

Mbrojtja e dinjitetit të të sëmurëve nga gërbula

Mendimi i Papës shkon më pas te Dita Botërore e të Sëmurëve nga Gërbula, të cilëve u shpreh afërsinë e tij, duke inkurajuar Shoqatën Italiane të Miqve të Raoul Follereau (Aifo) dhe cilindo që kujdeset për të gjithë ata që janë prekur nga kjo sëmundje, “duke u angazhuar për të mbrojtur dinjitetin e tyre”.

Leoni XIV kujton gjithashtu se e diela e sotme, e treta e kohës gjatë vitit kishtar, “është E diela e Fjalës së Zotit”, e themeluar nga Papa Françesku “shtatë vjet më parë për të nxitur në të gjithë Kishën njohjen e Shkrimeve të Shenjta dhe vëmendjen ndaj Fjalës së Zotit në Liturgji dhe në jetën e komuniteteve”. Papa falënderon “ata që angazhohen me fe dhe dashuri për këtë qëllim parësor”.

Në fund, Leoni XIV nënvizon mbylljen e sotme të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, duke kujtuar se pasdite, sipas traditës, do të kremtojë lutjen Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, “së bashku me përfaqësuesit e konfeksioneve të tjera të krishtera”.

25 janar 2026, 16:49