Kërko

Papa Leoni XIV, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Turqi nëntorin e kaluar, vizitoi shtëpinë e të moshuarve të Motrave të Vogla të të Varfërve. (@VaticanMedia) Papa Leoni XIV, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Turqi nëntorin e kaluar, vizitoi shtëpinë e të moshuarve të Motrave të Vogla të të Varfërve. (@VaticanMedia)

“Unë kurrë nuk do të të harroj”, tema e Ditës VI Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve

E krijuar në vitin 2021 nga Papa Françesku për të theksuar vlerën e tyre në shoqëri, këtë vit do të zhvillohet të dielën më 26 korrik, ditë që përkon me përkujtimin liturgjik të shën Joakimit dhe Anës, gjyshërit e Jezu Krishtit. Tema e këtij viti do të jetë “Unë nuk do të të harroj kurrë” (Is 49,15). Leoni XIV fton që të kremtohet një Meshë në çdo Katedrale dioqezane. Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën do ta promovojë këtë ngjarje duke shpërndarë materiale baritore.

R.SH. / Vatikan

“Unë ty nuk do të të harroj kurrë” (Is 49, 15) do të jetë tema e Ditës së gjashtë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e planifikuar për të dielën, më 26 korrik 2026, ditën kur Kisha katolike kremton kujtimin liturgjik të gjyshërve të Jezusit, shenjtorëve Joakimit dhe Anës.

Dashuria e Zotit dhe e familjeve

Tema e Ditës së të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e zgjedhur nga Papa Leoni XIV, është një thirrje për të kujtuar se dashuria e Zotit është e pakushtëzuar dhe nuk dështon kurrë, as në dobësinë e pleqërisë. Ky mesazh ka gjithashtu edhe një rëndësi të veçantë për familjet dhe bashkësitë fetare që të mos i harrojnë gjyshërit dhe të moshuarit, por të njohin në ta një prani të çmuar dhe një bekim për shoqërinë.

Ftesa e Papa Leonit XIV

“Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën fton |Kishat lokale, shoqatat dhe bashkësitë fetare anembanë botës të gjejnë mënyra për të vlerësuar Ditën në kontekstin e tyre lokal dhe do të ofrojë më pas disa mjete të posaçme në veprimtarinë baritore”, thuhet në një njoftim për shtyp nga ky dikaster.

Një Meshë në çdo Katedrale Dioqezane

Papa Leoni XIV fton që Dita e Gjyshërve dhe të Moshuarve të kremtohet me një liturgji Eukaristike në Kishën Katedrale të çdo dioqezeje. Vjet, Dita u kremtua më 27 korrik 2025 dhe Papa Françesku ftoi “çdo Kishë, çdo shoqatë, çdo grup fetar” të bëhen “protagonistë të ‘revolucionit’ të mirënjohjes dhe kujdesit”, një revolucion që do të realizohej duke vizituar shpesh të moshuarit, të cilët shpesh injorohen dhe harrohen nga shoqëria. Ky ishte qëllimi i Papa Françeskut kur krijoi këtë Ditë kushtuar Gjyshërve dhe të Moshuarvenë vitin 2021, duke e festuar gjithmonë të dielën e katërt të korrikut: për të krijuar mundësi që të moshuarit të ndjehen pranë Kishës dhe të vlerësohet kontributi i tyre në familje dhe bashkësi.

10 shkurt 2026, 12:30