Kërko

Sheshi i Shën Pjetrit (@Vatican Media) Sheshi i Shën Pjetrit (@Vatican Media)

Kalendari i kremtimeve të Papa Leonit XIV deri në Pashkë

Vizita baritore në pesë famulli kishtare romake, çdo të diel duke filluar nga 15 shkurti, Ushtrimet Shpirtërore të Kreshmës në Vatikan së bashku me Kurien Romake, ritet e Pashkëve në Shën Pjetër dhe, të Enjten e Madhe, në Shën Gjon në Lateran: këto janë momentet kryesore të kalendarit liturgjik në praninë e Papës.

R. SH. - Vatikan

Vëmendja e Papës, Ipeshkvit të Romës, ndaj besimtarëve të Dioqezës së tij do të shprehet përmes ciklit të vizitave baritore të Leonit XIV në pesë famulli kishtare romake, të programuara nga e diela 15 shkurt deri të dielën më 15 mars. Prania e Papës në zonat kryesisht periferike të dioqezës së Romës do të ndërthuret me pjesëmarrjen e Atit të Shenjtë në Ushtrimet Shpirtërore të kohës së Kreshmës dhe në ritet e Pashkëve, të cilat ai do t’i kryesojë në Shën Pjetër dhe, të Enjten e Madhe, në Katedralen e Shën Gjonit në Lateran.

Vizita në famulli

Vizitat – siç njofton kalendari i takimeve të Papës, publikuar sot, më 3 shkurt, nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike – do të zhvillohen pasdite, me një kremtim Eukaristik të kryesuar në orën 17:00, përveç datës 22 shkurt, kur në famullinë e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, në Castro Pretorio (pranë stacionit Termini), Ati i Shenjtë Leoni XIV pritet në mëngjes në orën 9:00, gjithmonë për Meshën. Takimi i parë i ciklit do të jetë më 15 shkurt me famullinë e Shën Marisë Mbretëresha e Paqes, në Ostia Lido. Më 1 mars është planifikuar vizita në famullinë e Të Shëlbuemit, në lagjen Alessandrino; më 8 mars në famullinë e Shën Marisë së Paraqitjes, në lagjen Torrevecchia; më 15 mars në famullinë e Zemrës së Jezusit, në Ponte Mammolo.

Ushtrimet shpirtërore

Fillimi i Kohës së Kreshmës, më 18 shkurt, do të karakterizohet nga Mesha e pasdites, e kryesuar nga Papa në Bazilikën e Shën Sabinës, në Aventin, e paraprirë nga Statio dhe procesioni pendestar që do të nisë nga Kisha fqinje e Shën Anselmit. Rruga drejt Pashkëve do të shënohet, si zakonisht, nga Ushtrimet shpirtërore të Atit të Shenjtë dhe të Kuries Romake, të cilat do të zhvillohen në Pallatin Apostolik në Vatikan nga pasditja e 22 shkurtit deri më 27 shkurt.

Treditëshi Pashkor

Pas të Dielës së Larit, më 29 mars, kremtimet e Triditëshit Pashkor do të fillojnë të Enjten e Madhe të Javës së Shenjtë me Meshën e Bagmit a Mesha e bekimit të vajrave paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe me Meshën e Darkës së Mbrame të Jezusit në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, e cila është “Katedralja e Ipeshkvit të Romës”. Mbrëmjen e të Premtes së Madhe të Javës së Shenjtë konfirmohet Udha Kryqit tradicionale pranë amfiteatrit romak Koloseum, ashtu si edhe Vigjilja në Natën e Shenjtë të Pashkëve, që do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit, dhe Mesha e ditës, të dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, në Sheshin e Vatikanit. Ky kremtim do të përmbyllet, si zakonisht, me Bekimin apostolik «Urbi et Orbi», të dhënë nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit.

03 shkurt 2026, 13:18