Kërko

Lule dhe qirinj përpara hyrjes së klubit La Constellation në Crans-Montana Lule dhe qirinj përpara hyrjes së klubit La Constellation në Crans-Montana

Leoni XIV familjeve të viktimave të Crans-Montana: gëzimi me ta nuk ka humbur

Papa mori pjesë, me një mesazh, në vigjiljen e lutjes mbajtur në Katedralen e Sionit, në Zvicër, një muaj pas zjarrit tragjik që dogji 41 të e plagosi mbi 110 të tjerë. E ndau dhimbjen, humbjen dhe ndjenjën e braktisjes të të dashurve, duke shprehur sigurinë "e ëmbël" dhe të qetë të ribashkimit, sepse: "Asgjë nuk ka mbaruar".

R.SH. / Vatikan

Nuk i pëson shenjat e kohës “e bukura”, e lumturia e jetuar pranë atyre që duam nuk ndikohet nga shkatërrimet e kohës. Edhe kur ata nuk janë më me ne, e koha e pikëllimit ngatërrohet me atë të keqkuptimit e të braktisjes. Papa Leoni XIV e jetoi, "në masën e mundshme", ankthin e familjeve të viktimave të zjarrit tragjik në Crans-Montana, mbledhur dje, më 1 shkurt, për një kremtim lutjeje në Katedralen zviceriane të Sionit. E, ndërmjet rreshtave të tekstit, kujtoi një horizont: sigurinë "e ëmbël" dhe të qetë, të mishëruar në Jezusin e Ngjallur, në një agim të ri, në të cilin mund të ribashkohemi.

"Asgjë s’ ka mbaruar!".

"Mos e humbisni guximin"

Mesazhi i Papës, në gjuhën frënge, u lexua nga Ipeshkvi i Sionit, Imzot Jean-Marie Lovey, gjatë një çasti reflektimi përgatitur nga Kishat Katolike dhe Ungjillore të Reformuara të Valais, për të përkujtuar tragjedinë e Vitit të Ri në të cilën 41 persona, kryesisht të rinj, humbën jetën dhe mbi 110 u plagosën. Papa Leoni XIV u drejtohet "me emocion" atyre që humbën një të dashur ose që dëshmojnë vuajtjet e të plagosurve, që do t’i kenë shenjat e flakëve "për jetë".

Dëshiroj thjesht t'ju shpreh afërsinë dhe butësinë time, së bashku me atë të të mbarë Kishës e cila, me praninë e saj amëtare, dëshiron ta mbartë barrën tuaj sa më shumë që të jetë e mundur e t’i lutet Zotit Jezus ta mbështesë besimin tuaj në këtë provë. Papa sheh mbështetje të mundshme tek meshtarët dhe bashkësitë e krishtera, tek ndihma e tyre "vëllazërore dhe shpirtërore", e aftë për të lehtësuar dhimbjen dhe për të ndihmuar "ta ruajnë guximin".

Besimi te Maria

Vuajtje, hutim, izolim: këto, ndjenjat që Papa lexon në shpirtrat e "coptuar" nga tragjedia që ndodhi në orët e para të vitit 2026 brenda lokalit Le Constellation.

Mund t'ju besoj vetëm në krahët e Virgjërës Mari, Zojës sonë të Dhimbjeve, që t'ju mbajë pranë zemrës së saj dhe t'ju ftojë të shikoni së bashku me të Kryqin, mbi të cilin vuajti dhe dha jetën edhe Jezusi i saj i dashur.

Dhimbje e ringjallje e Ndarë

Në Kalvar, shkruan Papa, "Biri i Zotit, vetë Zoti", dëshironte të ndante të njëjtën dhimbje me ata që u mblodhën dje në Katedralen e Sionit. Por kjo nuk është e vetmja ndjenjë e përbashkët:

“Ai do të ndajë me ju edhe ringjalljen e tij të lavdishme dhe të bekuar. Sepse Jezusi është ringjallur vërtet!”.

"Siguria e ëmbël"

Në këtë pohim qëndron "siguria e ëmbël" që Kisha e shpall "me siguri e qetësi": një shtyllë mbi të cilën mbështetet "shpresa jonë e pamasë". Ajo e një dite kur do t’i shohim përsëri ata që ishin të humbur; dhe ajo kur do të shikojmë "këtu poshtë" agimin e "një dite të re", në të cilën gëzimi do të kthehet të banojë në zemra.

Jini absolutisht të sigurt, siç thotë Shën Pali: as vdekja, as jeta, as e tashmja, as e ardhmja, as sprovat, as ndarja, as vuajtja... asgjë nuk mund t'ju ndajë ju dhe të dashurit tuaj nga dashuria e Zotit, që është në Krishtin. Dhe asgjë nga bukuria dhe lumturia që e jetuat me ta, nuk humbet përgjithmonë; asgjë nuk mbaroi!

Ndërmjet Kryqit dhe Qiellit

Kështu sytë e Marisë mbikëqyrin këto ditë "të trishtueshme dhe të errëta", nga Kryqi, në horizontin qiellor "gjithmonë të ndritshëm". Duke u mbajtur fort pas spirancës së shpresës fiksuar fort atje dhe që Jezusi jua mban, do të merrni forcën dhe guximin për të këmbëngulur dhe për ta vazhduar shtegtimin tuaj.

02 shkurt 2026, 11:09