Kërko

Një moment nga Dita e Rinisë dje, më 19 shkurt, e cila hapi zyrtarisht Kongresin e 70-të të Edukimit Fetar në Anaheim të SHBA-së. Një moment nga Dita e Rinisë dje, më 19 shkurt, e cila hapi zyrtarisht Kongresin e 70-të të Edukimit Fetar në Anaheim të SHBA-së.

Papa: autenticiteti i besimtarit lind nga marrëdhënia e tij me Jezusin

Duke iu drejtuar Los Angeles Religious Education Congress, Ati i Shenjtë Prevost theksoi rëndësinë e formimit të vazhdueshëm në fe, vlerën e lutjes dhe të dëshmisë së krishterë në jetën e përditshme. Leoni XIV i inkurajon katekistët, edukatorët dhe besimtarët që të përfitojnë nga kjo mundësi për të thelluar marrëdhënien e tyre me Krishtin dhe për të forcuar angazhimin në shërbim të komunitetit.

R.SH. - Vatikan

"Autenticiteti" dhe një "zemër e hapur". Këto janë dy cilësitë që karakterizojnë dinamikën e transmetimit të dijes fetare, nga mësuesi te nxënësi, sipas Leonit XIV. Papa e nënvizon këtë në një letër të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, dhe drejtuar përmes Kryeipeshkvit të Los Anxhelosit, Imzot José H. Gomez, të gjithë pjesëmarrësve në Kongresin e 70-të të Edukimit Fetar (Religious Education Congress). Ky Kongres po mbahet në Anaheim të Kalifornisë, në SHBA-së, nga data 19 deri më 22 shkurt.

Marrëdhënia me të Vërtetën

Kush jep mësim feje, argumenton Papa, duhet ta bëjë këtë përmes tërheqjes, duke u treguar të tjerëve se mban një marrëdhënie autentike me Krishtin.

"Në fakt, duke thelluar marrëdhënien tuaj me Jezusin, i cili është e Vërteta (krh. Gjn 14,6), dhe duke vazhduar të jeni nxënës besnikë dhe të gëzuar në jetën tuaj të përditshme, autenticiteti juaj si edukatorë dhe përgjegjës katekistikë do t’ju mundësojë ta transmetoni Ungjillin në atë mënyrë që të çojë në një takim të vërtetë me Zotin dhe të kontribuojë në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme dhe jetëdhënëse".

Në lidhje me këtë, Papa citon letrën e tij apostolike kushtuar edukimit e formimit "Të vizatojmë harta të reja shprese «, të publikuar në tetor të vitit 2025, ku theksonte se "mësuesi i vërtetë zgjon dëshirën për të vërtetën".

Një dashuri që jep ngushëllim, në çdo rrethanë

Papa Leoni inkurajon ata që i përkushtohen studimit të fesë "t’i hapin zemrat e tyre ndaj dashurisë së Zotit". Një dashuri që shkon deri në Kryq dhe "mbetet me ne në Sakramentin e Shenjtë". Një dashuri përfundimtare, deri në fund, e cila nuk mund ta zhgënjejë kurrë shpresën e atij që e kërkon.

"Në këtë drejtim, ai [Papa] lutet që përvoja e tyre në Kongres t’i ndihmojë të zbulojnë praninë eukaristike të Jezusit si burim të pashtershëm ngushëllimi dhe force në çdo rrethanë të jetës."

Nga Papa vjen gjithashtu edhe urimi që "këto ditë lutjeje, formimi dhe vëllazërie" të ofrojnë "një mundësi për një përtëritje autentike shpirtërore".

Së fundi, Ati i Shenjtë ia beson të gjithë pjesëmarrësit "ndërmjetësimit amënor të Marisë Virgjër, Zojës së Engjëjve" dhe mbi ta kërkon "Bekimin Hyjnor si peng i urtësisë, gëzimit dhe shpresës në Zotin".

 

20 shkurt 2026, 12:45