Kërko

Papa me komitetin drejtues të organizatës "From Crisis to Care: Catholic Action for Children" Papa me komitetin drejtues të organizatës "From Crisis to Care: Catholic Action for Children"

Papa: gjithnjë e më tragjike gjendja e fëmijëve në botë, pa kujdes dhe pa të drejta

Në fjalimin e tij drejtuar komitetit të organizatës "From Crisis to Care: Catholic Action for Children", Papa fton të pyetet “nëse angazhimet globale për zhvillim të qëndrueshëm” janë lënë mënjanë. Leoni XIV kujton gjithashtu dëshirat e më të vegjëlve, të shprehura në një letër për samitin mbi të drejtat e tyre, të thirrur nga Papa Françesku në Vatikan vitin e kaluar: “të pastrojmë botën nga gjërat e këqija, ta ngjyrosim atë me miqësi dhe respekt”

R.SH. - Vatikan

“Është vërtet një tragjedi që fëmijët dhe të rinjtë e botës sonë, kaq shpesh, të privohen nga kujdesi dhe nga qasja në të mirat themelore. Po ashtu, ata kanë shpesh shumë pak mundësi për të realizuar potencialin që Zoti u ka dhuruar. Fatkeqësisht, shoh se gjendja e fëmijëve sot nuk është përmirësuar gjatë vitit të fundit e është gjithashtu edhe një arsye për shqetësim të thellë të mësosh për mungesën e përparimit në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet. Duhet të pyesim veten nëse angazhimet globale për zhvillim të qëndrueshëm janë lënë mënjanë, kur shohim në familjen tonë njerëzore globale se kaq shumë fëmijë ende jetojnë në varfëri ekstreme, pësojnë abuzime dhe zhvendosen me forcë, për të mos përmendur faktin se nuk kanë një arsimim të përshtatshëm dhe janë të izoluar ose të ndarë nga familjet e tyre.” Kështu u shpreh Papa Leoni.

“Kjo më rikthen në mendje theksimin e fortë të Papës Françesku”, – tha Papa Prevost duke pritur në audiencë Komitetin Organizator të nismës “From Crisis to Care: Catholic Action for Children – mbi “të drejtën e fëmijës për të marrë dashuri nga një nënë dhe nga një baba; të dy janë të domosdoshëm për zhvillimin e tij të plotë dhe harmonik”.

“Ne pohojmë dhe mbrojmë gjithmonë ‘vizionin e thellë të jetës si dhuratë e Zotit për t’u përkujdesur dhe të familjes si kujdestare e saj përgjegjëse’, duke e konsideruar ‘të dënueshme faktin që burimet publike të destinohen për të shuar jetën, në vend që të investohen për të mbështetur nënat dhe familjet’”.

“Në këtë drejtim – vijoi Ati i Shenjtë – e mirëpres angazhimin tuaj për të zhvilluar mënyra të efektshme për t’iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura në Samitin për të drejtat e fëmijërisë. Teksa kryeni këtë detyrë, dëshiroj të përmend dy pika të rëndësishme. Së pari, ju po flisni në emër të atyre që nuk kanë zë. Ky është një mision vërtet fisnik. Mbajeni këtë parasysh kur tundimi për t’u dekurajuar lind për shkak të nismave të dështuara, mungesës së interesit nga të tjerët ose ndjesisë se gjendja nuk po përmirësohet”.

“Pika e dytë – shtoi Leoni XIV – ka të bëjë me nevojën për t’u përqendruar në nevojat ndërsektoriale të fëmijëve, të cilat mund të kalojnë lehtësisht pa u vënë re kur ndihma fokusohet vetëm në një fushë të vetme nevoje. Në këtë kuptim, jam i vetëdijshëm se mënyra e veçantë me të cilën secili prej jush përballet me nevojat e fëmijëve është në përputhje me karizmat dhe specializimet tuaja specifike brenda strukturave të Kishës vendore, të kongregatave rregulltare dhe të organizatave me frymëzim katolik. Megjithatë, ju nxis të gjeni mënyra për të punuar së bashku në një harmoni më të madhe, në mënyrë që fëmijët të marrin një përkujdesje të ekuilibruar, duke marrë parasysh mirëqenien e tyre fizike, psikologjike dhe shpirtërore.

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit e Gjithnashëm Njerëzor, ashtu si edhe Akademia Papnore për Jetën, Bashkimi i Eprorëve të Përgjithshëm dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme, ju shoqërojnë në këtë përpjekje dhe i inkurajoj të gjithë që të zhvilloni hapa konkretë dhe plane veprimi për t’u përballur me nevojat ndërsektoriale të fëmijëve”.

05 shkurt 2026, 14:12