Papa: të kushtuarit të jenë tharm i paqes dhe shenjë shprese
R.SH. / Vatikan
“Të dashur kushtuar dhe të dashur kushtuara, Kisha sot falënderon Zotin dhe ju për praninë tuaj dhe ju inkurajon të jeni, aty ku Dora e Zotit ju dërgon, tharm i paqes dhe shenjë shprese”. Kështu e tha Papa Leoni XIV gjatë predikimit të Meshës, kremtuar sot pasdite në Bazilikën e Vatikanit, në ditën e Festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull dhe në Ditën XXX Botërore të Jetës Kushtuar.
“Jeta rregulltare” - theksoi më tej Ati i Shenjtë Prevost - “me tërheqjen e saj të qetë nga gjithçka kalon, mëson bashkimin e pandashëm ndërmjet kujdesit më të vërtetë për realitetet tokësore dhe shpresës dashamirëse për ato të përjetshmet, të zgjedhura që tani në këtë jetë si qëllimi i fundit dhe i vetëm, të aftë për të ndriçuar çdo gjë tjetër”.
Përmbledhje nga homelia e Atit të Shenjtë Leoni XIV
në Meshën e Paraqitjes së Zotit
Dita Botërore e Jetës së Kushtuar
2 shkurt 2026
Në homelinë e Meshës, kremtuar sot pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit, në festën e Paraqitjes së Zotit, me të Kushtuarit: rregulltarët, rregulltaret dhe anëtarët e Jetës Apostolike, Papa Leoni XIV ndalet te figura e Simeonit dhe Anës, të cilët në Tempull njohin Jezusin si Mesia. Kjo ngjarje, shpjegon Papa, paraqet takimin mes dashurisë së Zotit që vjen për të shpëtuar njeriun dhe pritjes besimtare të njerëzimit. Zoti vjen në mënyrë të përvuajtur, si fëmijë i një familjeje të varfër, pa imponim, por me fuqinë e dashurisë falas.
Në këtë dritë, Papa e sheh jetën e kushtuar a jetën rregulltare si një shenjë profetike për Kishën dhe botën. Të kushtuarit janë të thirrur të jenë profetë, dëshmitarë të pranisë së Zotit, duke përgatitur rrugën e Tij përmes lutjes, flijimit të jetës dhe shërbimit në dashuri. Të rrënjosur në Eukaristi, ata janë të ftuar të jetojnë një jetë që shkrin dhe pastron zemrat me hirin, mëshirën dhe dashurinë e Krishtit.
Papa Leoni XIV kujton shembullin e themeluesve dhe themelueseve të urdhrave rregulltarë, të cilët, të udhëhequr nga Shpirti Shenjt Zot, kanë shërbyer në heshtje, në arsim, në misione, mes të varfërve, në situata lufte dhe dhune, deri edhe në martirizim, duke u bërë “shenja kundërshtie” për botën.
Edhe sot, thekson Papa, në një shoqëri ku feja dhe jeta shpesh ndahen, jeta rregulltare e kushtuar dëshmon se Zoti është i pranishëm në histori si shpëtim për të gjithë. Çdo njeri – i ri apo i moshuar, i varfër, i sëmurë apo i burgosur – ka një vend të shenjtë në zemrën e Zotit dhe është një shenjtërore e paprekshme e pranisë së Tij.
Papa ndalet veçanërisht te lutja e Simeonit (“Tani, o Zot, lejoje shërbëtorin tënd të shkojë në paqe”), duke nënvizuar se jeta e kushtuar Zotit, me shkëputjen e saj të lirë nga gjërat kalimtare, tregon lidhjen e pandashme mes përkujdesjes për realitetet tokësore dhe shpresës për jetën e amshuar.
Në përfundim, Papa falënderon të gjithë të kushtuarit për dëshminë e tyre dhe i inkurajon të jenë, kudo që dërgohen, tharm paqeje dhe shenjë shprese, duke ia besuar shërbesën e tyre Marisë së Shenjtë dhe shenjtërve themelues, ndërsa në altar ripërtërihet oferta e jetës ndaj Zotit.
