Kërko

Katedralja e Shën Maria Nënë e Hyjit në Chiclayo, Peru, e cila do të presë Ditën e 34-të Botërore të të Sëmurëve Katedralja e Shën Maria Nënë e Hyjit në Chiclayo, Peru, e cila do të presë Ditën e 34-të Botërore të të Sëmurëve

Papa: kush vuan, ta gjejë paqen e vërtetë në bamirësinë e Zotit

U botua letra e Leonit XIV drejtuar Kardinalit Czerny, të dërguarit të tij të posaçëm për Ditën e 34-të Botërore të të Sëmurëve, më 11 shkurt, në Shenjtëroren e Zojës së Paqes në Chiclayo, Peru. Papa i fton të sëmurët t'ia ofrojnë Zotit vështirësitë e jetës së tyre për paqen në botë dhe ta dëshmojnë fenë, shpresën e bamirësinë, së bashku me kë kujdeset për ta.

R.SH. / Vatikan

"Në bashkim të veçantë lutjeje me Kishën e përhapur në mbarë botën" për të gjithë besimtarët e sëmurë që vuajnë nga ligështia, sëmundja a dhimbja, Papa Leoni XIV kërkon që, i mbështetur nga ndërmjetësimi i saj amëtar, "t'ia ofrojnë me mirësi Zotit të mëshirshëm, përmes Marisë, të gjitha vështirësitë e jetës së tyre, për paqen e kësaj bote". Kujton edhe se Shën Augustini, në rrëfimet e tij, na mëson me të drejtë se "shpirti njerëzor është i shqetë dhe vetëm në bamirësinë e patreguar të Zotit e në zbatimin e saj në jetën e përditshme e shpirtërore, mund të gjejë paqe të vërtetë e të qëndrueshme".

Papa e shkroi këtë në Letrën drejtuar Kardinalit Michael Czerny, i  dërguar i tij i posaçëm, për Ditën e 34-të Botërore të të Sëmurëve, e cila do të kremtohet në Shenjtëroren e Zojës së Paqes, në Dioqezën e Çiklajos, Peru, më 11 shkurt të këtij viti.

Chiclayo, programi për Ditën Botërore të të Sëmurëve 2026

Nga 9 deri më 11 shkurt, dioqeza peruane do të presë ngjarjet kishtare të Ditës së XXXIV Botërore të të Sëmurëve, të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Papës, Kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor. Janë planifikuar vizita në tre spitale, një takim në Universitetin Katolik, një seminar mbi kujdesin paliativ në Amerikën Latine dhe Mesha, më 11 shkurt, në Shenjtëroren e Nuestra Señora de la Paz.

Ngushëllimi i Ungjillit që vjen nga bashkimi me Krishtin

Papa, në mesazhin e datës 21 janar, i kërkon të dërguarit të tij, Prefektit të Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, t'u sjellë besimtarëve të mbledhur me këtë rast, në përkujtimin liturgjik të Virgjërës së Bekuar Mari të Lurdës, e veçanërisht të gjithë të sëmurëve, "ngushëllimin dhe inkurajimin e Ungjillit, ardhur nga bashkimi i papërshkrueshëm i Krishtit, i cili premtoi të ishte me ne në të gjitha rrethanat, çdo ditë, deri në fund të fundit të botës".

Leoni XIV i nxit të sëmurët e kë kujdeset për ta "t’i dëshmojnë virtytet teologale - fenë, shpresën e bamirësinë – e edhe për afërsinë njerëzore e të krishterë në nevoja, duke mbajtur barrët e njëri-tjetrit dhe duke përmbushur kështu ligjin e Krishtit nga thellësia e zemrës".

Papa: kujdesuni për fëmijët e sëmurë me gjeste konkrete solidariteti

Në videon dhe audion me qëllimet e lutjes për muajin shkurt - "Për fëmijët me sëmundje të pashërueshme" - Leoni XIV vazhdon projektin "Lutuni me Papën".

Kujtim i përzemërt i "tokës së dashur të Perusë"

Letra përfshin edhe një kujtim, "me gjithë dashurinë e zemrës e të mendjes", për "tokën e dashur të Perusë" e të dioqezës së Çiklajos, ku Robert Francis Prevost u shugurua ipeshkëv dymbëdhjetë vjet më parë, në Katedralen kushtuar Shën Marisë, Nënës së Zotit. Ati i Shenjtë thekson, më në fund, se me vullnet hyjnor, Papa Françesku dëshiroi që Dita e 34-t Botërore e të Sëmurëve “të festohet pikërisht në këtë tokë të Perusë, për të shprehur me intensitet gjithnjë më të madh përkujdesjen amtare të Virgjërës së Lume Mari për të gjithë ata që vuajnë nga dhimbje e sëmundje të ndryshme”.

Në përfundim, një vendim i konfirmuar nga Leoni XIV. Papa kujton se si në Shenjtëroren e Zojës së Paqes, në Çiklajo, në të kaluarën “e pati kërkuar disa herë ndihmën e Zotit në lutje”.

07 shkurt 2026, 16:59