Kërko

Papa: Maria e Roza e Limës, ftesë për shenjtëri në botën e sotme

Dje Leoni XIV bekoi një mozaik të Virgjërës Mari dhe një shtatore të Rozës, Pajtores së Perusë, në Kopshtet e Vatikanit. Dy figura, kujtoi Papa, të cilat i kujtojnë çdo besimtari thirrjen universale për "përsosurinë e jetës së krishterë dhe të bamirësisë". Kryeipeshkvi Camader, kryetar i ipeshkvijve peruanë, theksoi: "Fuqia e Ungjillit vepron me fryt të veçantë përmes të thjeshtëve dhe të përvuajrve"

R.SH. / Vatikan

Harmonia e Kopshteve të Vatikanit, "ku gjithçka flet për Krijuesin dhe bukurinë e krijimit", pasurohet nga një mozaik i Virgjëres Mari dhe një shtatore e Shën Rozës të Limës, që na kujtojnë - tha Papa gjatë takimit të djeshëm - madhështinë e thirrjes për të cilën na thërret Zoti, domethënë, thirrjen universale për shenjtëri". Thirrje për të cilën Zoti i thërret të gjithë.

Ju inkurajoj, me hirin e Zotit, të jeni dëshmitarë dhe shembull i kësaj shenjtërie në botën e sotme. Sepse ky është vullneti i Zotit: shenjtërimi ynë.

Ky ishte edhe thelbi i fjalimit të shkurtër që Leoni XIV mbajti në spanjisht dje paradite, më 31 janar, përpara se të bekonte dy shtatoret e shenjta, të vendosura në Kopshte të Vatikanit, saktësisht në Shetitoren Piu XII. Ky inaugurim, shtoi Papa Prevost, "ripërtërin lidhjet e thella të fesë dhe të miqësisë, që lidhin Perunë - vend kaq të dashur për mua - me Selinë Shenjte".

Një shenjtore, nga një vend "i dashur"

Isabel Flores de Oliva, e kanonizuar në vitin 1671 nga Papa Klementi X si Shën Roza e Limës, nuk është vetëm shenjtorja e parë e Amerikës Latine, por edhe shenjtorja pajtore qiellore e kombit të Andeve, ku Papa Prevost u dërgua si misionar augustinian në vitin 1985 dhe ku shërbeu nga viti 2014 deri në vitin 2023, së pari si administrator apostolik, e më pas si ipeshkëv i dioqezës së Çiklajos.

Dy figurat e përmendura, Nëna jonë qiellore dhe shenjtorja e parë latino-amerikane, Trëndafili i Limës, na rikthejnë te tema e shenjtërisë.

Të jesh shenjt në botën e sotme

Duke cituar paragrafin 40 të kushtetutës dogmatike të Koncilit Dytë të Vatikanit Lumen Gentium, Papa Leoni XIV theksoi se të gjithë, "të çfarëdo gjendjeje apo rangu, janë të thirrur në plotësinë e jetës së krishterë dhe në përsosmërinë e bamirësisë". Çdo besimtar, duke besuar në "forcën marrë sipas masës me të cilën Krishti deshi ta dhurojë", vazhdon dokumenti konciliar i cituar nga Papa, është i thirrur "me bujari të plotë" të shenjtërohet "për lavdinë e Zotit e shërbimin e të afërmit".

Kështu, shenjtëria e popullit të Zotit do të rritet me fryte të begata, siç dëshmohet shkëlqyeshëm në historinë e Kishës nga jeta e kaq shumë shenjtorëve.

Së fundmi, Leoni XIV i inkurajoi të pranishmit "të jenë, me hirin e Zotit, dëshmitarë dhe shembull i kësaj shenjtërie në botën e sotme". E edhe udhëtarë "drejt atdheut qiellor", që u përket gjithë të krishterëve, të cilin Papa ia besoi ndërmjetësimit të Virgjërës Mari dhe shenjtorëve.

Falënderim artistëve dhe donatorëve

Gjatë fjalimit, Leoni XIV përshëndeti edhe Familjen Saleziane në festën e Shën Gjon Boskos,më 31 janar, falënderoi artistët që krijuan veprat e lartëpërmendura dhe Konferencën Episkopale Peruviane, për dhuratën e tyre dhe për "shijimin e kësaj ngjarjeje të gëzueshme sot".

Mozaiku i Zojës Mari është vepër e një ekipi artistësh të rinj andeanë, të udhëhequr nga Lenin Alvarez. Shtatorja e Shën Rozës së Limës u krijua nga Edwin Morales, skulptor i ri mjeshtër nga Sierra del Peru.

Gjatë bekimit, Papa Prevost kërkoi mbrojtjen e Virgjërës Mari mbi ata "që e krijuan këtë shëmbëlltyrë", duke u lutur që "ta ngulin në zemra pamjen që e sodisin me sytë e tyre".

... uroj që ata të kenë besim të palëkundur dhe shpresë të palëkundur, si dhe bamirësi të zellshme dhe përvujtëri të sinqertë. E të kenë forcë në vuajtje, dinjitet në varfëri, durim në vështirësi, bujari në begati, të punojnë për paqe dhe të luftojnë për drejtësi në mënyrë që, pasi të kenë përshkuar shtigjet e kësaj bote me dashuri për ju dhe për vëllezërit dhe motrat e tyre, të arrijnë në qytetin e përhershëm, ku Virgjëra Shenjte ndërmjetëson si nënë dhe shkëlqen si Mbretëreshë.

01 shkurt 2026, 15:05