Kërko

Papa në audiencë me disa priftërinj dhe murgj të Kishave Ortodokse Lindore Papa në audiencë me disa priftërinj dhe murgj të Kishave Ortodokse Lindore

Papa Ortodoksëve: “të çarmatosim zemrën për të pasur unitet”

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Kishave armene, kopte, etiopike, eritrease, malankareze dhe siriake, Papa zgjodhi fjalët e Pjetrit apostull: “Paqe të gjithëve ju që jeni në Krishtin”, duke e vendosur menjëherë takimin në terrenin e bashkimit shpirtëror. Leoni XIV propozon si çelës shpirtëror për rrugën ekumenike: nevojën për t’u “çarmatosur”: heqja dorë për të pasur gjithmonë të drejtë dhe nga gjykimi ndaj tjetrit është terreni i vërtetë mbi të cilin mund të rritet uniteti i të krishterëve

R.SH. / Vatikan

Një thirrje për unitet që lind nga dëgjimi, nga respekti për dallimet dhe nga një punë e thellë e brendshme. Ky është thelbi i fjalimit që Papa Leoni XIV u drejtoi sot paradite priftërinjve dhe murgjve të rinj të Kishave Ortodokse Lindore, të pritur në audiencë në Pallatin Apostolik në Vatikanit, në përfundim të vizitës së tyre studimore në Romë. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Kishave armene, kopte, etiopike, eritrease, malankareze dhe siriake, Papa zgjodhi ta hapë takimin me fjalët e Pjetrit apostull: “Paqe të gjithëve ju që jeni në Krishtin”, duke e vendosur menjëherë takimin në terrenin e bashkimit shpirtëror më shumë sesa në atë të përballjes institucionale.

Një paqe që, sqaroi Leoni XIV, nuk është vetëm një dhuratë për t’u pranuar, por edhe një përgjegjësi për t’u kultivuar. Papa deshi të theksonte vlerën e vizitës studimore të organizuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve si një rast për njohje të ndërsjellë. Nga njëra anë, mundësia për rregulltarët e rinj ortodoksë që të kuptojnë më nga afër jetën e Kishës katolike, dinamikat e Kuries romake dhe institucionet akademike papnore; nga ana tjetër, mundësia për Kishën e Romës që të takohet drejtpërdrejt me pasurinë shpirtërore dhe kulturore të Kishave orientale.

Duke iu referuar Javës së fundit të lutjes për bashkimin e të krishterëve 2026, e frymëzuar nga Letra e shën Palit drejtuar Efesianëve, Leoni XIV këmbënguli në temën e unitetit të vetëm të Trupit të Krishtit. Duke cituar shën Palin, Papa kujtoi se Apostulli i popujve, Pali edhe pse i njihte dallimet ndërmjet bashkësive të krishtera që kishte themeluar, ishte thellësisht i bindur se këto dallime nuk duhej kurrë të shndërroheshin në mbyllje apo vetë-mjaftueshmëri. Rreziku, vërejti Papa, është që Kishat të mbyllen në vetvete, duke humbur nga sytë përkatësinë e tyre ndaj një misteri të vetëm shpëtimi.

Në pjesën më intensive të fjalimit, Leoni XIV propozoi një çelës shpirtëror për rrugën ekumenike: nevojën për t’u “çarmatosur”. Duke iu referuar një lutjeje të njohur të patriarkut Atenagora, Papa tregoi se heqja dorë nga nevoja për të pasur gjithmonë të drejtë dhe nga gjykimi ndaj tjetrit është terreni i vërtetë mbi të cilin mund të rritet uniteti i të krishterëve. Lufta më e vështirë, kujtoi Leoni XIV, nuk është ajo kundër armikut të jashtëm, por ajo kundër vetvetes, kundër paragjykimeve që banojnë në zemër.

Dallimet historike dhe kulturore ndërmjet Kishave, larg së qenit pengesë, u përkufizuan nga Ati i Shenjtë Prevost si një “mozaik i mrekullueshëm” i trashëgimisë së përbashkët të krishterë. Por ky mozaik mund të bëhet shenjë e besueshme vetëm nëse shoqërohet me një angazhim konkret për bashkëpunim, për dashuri të ndërsjellë dhe për dëshmi të përbashkët. Në këtë këndvështrim, uniteti i të krishterëve nuk është një qëllim vetë-referencial, por një tharm paqeje për mbarë botën, të shënuar nga konflikte, ndarje dhe polarizime të reja.

Në përfundim të fjalimit të tij, Papa Leoni XIV siguroi lutjen e tij për priftërinjtë dhe murgjit e rinj të pranishëm dhe për Kishat e tyre, duke i besuar ata mbrojtjes së Virgjërës Mari, Nënës së Hyjit.

05 shkurt 2026, 12:45