Papa: tensione SHBA-Kubë, jo veprimeve që ua shtojnë vuajtjet kubanëve
R.SH. / Vatikan
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e Pallatit Apostolik, në Sheshin e Shën Pjetrit, mendimet e Papës u kthyen tek tensioni ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Kubës, që u shkallëzua pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të premten e kaluar, më 30 janar, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërcënon të vendosë tarifa doganore për vendet që shesin ose furnizojnë naftë në ishullin e Karaibeve.
Mora me shqetësim të madh lajmet për tensionet në rritje ndërmjet Kubës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dy vende fqinje. Bashkohem me mesazhin e ipeshkvijve kubanë, duke i nxitur të gjithë krerët të nisin një dialog të sinqertë dhe efektiv për të shmangur dhunën dhe çdo veprim që mund t’ia shtojë vuajtjet popullit të dashur kubanez. Virgen de la Caridad - Virgjëra e Dashurisë - e El Cobre-s, i ndihmoftë dhe i mbrojtë të gjithë fëmijët e asaj toke të dashur!
Mesazh i ipeshkvijve kubanë
Të shtunën, më 31 janar, ipeshkvijtë e ishullit të Karaibeve, në një mesazh drejtuar "të gjithë kubanezëve vullnetmirë", shprehën shqetësimin e tyre të thellë për keqësimin e situatës sociale dhe ekonomike. Prelatët e Kishës katolike të Kubës theksuan rrezikun real të një kolapsi të mëtejshëm shoqëror, veçanërisht pas vendimeve të fundit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bllokuar furnizimin e vendit me energji, me rrezikun që vijon nga kaosi shoqëror dhe dhuna ndërmjet vetë qytetarëve të saj.
Në tekstin e mesazhit, episkopati i jep zë një ndjenje të përhapur dekurajimi në vend, e i bën thirrje shoqërisë në tërësi, "kryesisht atyre që kanë përgjegjësinë më të madhe kur marrin vendime për të mirën e kombit".
