Amazona, afërsia e Papës me ata që vuajnë nga keqësimi në rritje i ambientit
R.SH. / Vatikan
Figura e drurit shihuahuaco, i ashtuquajturi "gjigant i xhunglës", ia ofron Papës metaforën për mesazhin video të publikuar sot, 16 mars, në hapjen e Asamblesë VI të Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA), që mblidhet në Bogotá, Kolumbi, deri të premten, 20 mars. Një lëndë që rritet shumë ngadalë, por që është e aftë të jetojë për më shumë se një mijë vjet. Kolos dhjetëra metra i lartë, me gjethe të dendura, bëhet strehë e sigurt për shqiponjat, tukanët, makawët, marmosetët, sakitë dhe ketrat, duke u shndërruar në një ekosistem më vete. Është simboli i asaj që dëshiron Kisha, thotë Leoni: "Të jetë shenjë uniteti në diversitet dhe strehë e sigurt që krijon e mbron jetën". Një mision që Papa e lidh me moton e ngjarjes, marrë nga Libri i Isaisë: "Ja, unë po bëj një gjë të re; pikërisht tani bulon, a nuk e kuptoni?" dhe me referencat përkatëse në Librin e Zbulesës.
Takimi - që mbahet pranë selisë e Këshillit ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAM) për të nxjerrë në pah përmasën kontinentale të procesit Amazonian – parashikon të përshkruajë një Kishë me fytyrë amazonike, qëllim i Sinodit të Ipeshkvijve të vitit 2019, dhe do të zgjedhë presidencën e organizmit për katër vitet e ardhshme. Presidenti do të jetë gjithashtu përgjegjës për përgatitjen e kontributeve për Asamblenë Kishtare në Romë pas dy vitesh. Pjesëmarrësve ndër punimet në zhvillim këto ditë, Papa u shpreh afërsinë e tij me të gjithë ata që vuajnë "keqësimin në rritje" të mjedisit natyror amazonik.
Abuzim e shfrytëzim
Në video-mesazhin, në spanjisht, dënimi i ndarë me popujt indigjenë të "situatave të abuzimit dhe shfrytëzimit" që kërcënojnë Amazonën. E këtu Papa përdor një figurë tjetër, atë të një luleje:
[...] lulja e pasionit, forma dalluese e së cilës aludon në mënyrë të habitshme Mundimet e Krishtit, e që ju e zgjodhet si simbol të Asamblesë, përfaqëson rolin profetik të Kishës dhe të gjithë anëtarëve të saj, secili sipas misionit të vet: të shpallë kerygmën dhe jetën e re në Krishtin, të shoqërojë ata që vuajnë, të mbrojë krijimin dhe respektin për jetën në të gjitha format e saj, veçanërisht jetën njerëzore.
Në gjurmët e dishepujve misionarë në Amazonë
I vetëdijshëm se inkulturimi është rrugë e vështirë, por e domosdoshme, Papa citon Querida Amazonia, nga paraardhësi i tij Françesku, dhe nxit:
Ju inkurajoj të vazhdoni së bashku, barinj e besimtarë, në forcimin e identitetit të dishepujve misionarë në Amazonë. Vazhdoni të mbillni në brazdën ujitur edhe nga gjaku i kaq shumë burrave dhe grave që ju paraprinë dhe që, të bashkuar me mundimet e Krishtit, u bënë rrënja e "drurit gjigand" që rritet në Amazonë.
Për një Kishë që ecën me të varfrit
Pasardhësi i Pjetrit kujton thirrjen për të qenë Kishë e Lumturive e cila, siç saktësohet në Nxitjen Apostolike Dilexi te, "u bën vend të vegjëlve dhe ecën me të varfrit". Prej këndej, inkurajimi:
Ju ftoj, pra, të punoni me besimin e një feje të rrënjosur në Krishtin, që na përsërit: "unë të kam dashur" (Zb 3:9), sepse është pikërisht kjo dashuri hyjnore-njerëzore e Jezusit që na shndërron në burra e gra të rinj. Kjo dashuri, e kundruar në lutje, na fton të përgjigjemi me bujari dhe guxim në mision.
