Kërko

I Nderuari i ri, kardinali Ludovico Altieri I Nderuari i ri, kardinali Ludovico Altieri

Kishës i shtohen gjashtë të Nderuar të rinj. Ndër ta edhe kardinali Altieri

Selia e Shenjtë njohu virtytet e kardinal Altierit, të cilat kulmuan kur dhuroi jetën për besimtarët e vet duke vdekur nga kolera. Po ashtu, njohu edhe virtytet heroike të Edward Joseph Flanagan, themeluesit të «Qytetit të Djemve»; të Henri Caffarel-it, themelues i Shoqatës «Equipes Notre Dame» dhe Institutit Laik «Vëllazëria e Zojës së Ngjalljes». Të nderuar u shpallën edhe dy rregulltare: Stanisława Samulowska dhe Maria e Betlehemit të Zemrës së Jezusit Romero Algarín, dhe Giuseppe Castagnetti

R.Sh. Vatikan

Leoni XIV autorizoi Dikasterin për Çështjet e Shenjtërve të shpallte dekretet nëpërmjet të cilave njihen: virtytet heroike të kardinal Altierit, ipeshkëv i Albanos, të cilat kulmuan kur ai dhuroi jetën për besimtarët e vet duke vdekur nga kolera; virtytet heroike të Edward Joseph Flanagan, themeluesit të «Qytetit të Djemve», dhe Henri Caffarel-it, themelues i Shoqatës «Equipes Notre Dame» dhe të Institutit Laik «Vëllazëria e Zojës së Ngjalljes»; të Stanisława Samulowskës dhe të Marisë së Betlehemit të Zemrës së Jezusit Romero Algarín, e para murgeshë e Shoqërisë së Bijave të Shën Vincentit Paulit ndërsa e dyta e Kongregacionit të Shërbëtoreve të Zemrës Hyjnore. I fundit është Giuseppe Castagnetti, laik.

Papa e mori vendimin sot, më 23 mars, gjatë një audience kur priti kardinalit Marcello Semeraro, prefekt i të njëjtit dikaster.

Ludovico Altieri

Lindur në Romë më 17 korrik 1805, në një familje fisnike, prindërit e drejtuan Ludovikun për shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Në moshën 21-vjeçare, u emërua dhomtar sekret shtesë nga Papë Leoni XII dhe u ngarkua, si ablegat, t’i dorëzonte kapuçin e kardinalit kryeipeshkvit të Reims, kardinalit Jean-Baptiste de Latil.

Më pas ai poqi dëshirën për t'u bërë prift dhe u shugurua në altarin privat në Vatikan më 24 mars 1833. Ndër detyrat që mbajti më pas ishte ajo e Sekretarit të Kongregacionit të Shenjtë të Studimeve dhe Kualifikues i Zyrës së Shenjtë, dhe mëkëmbës i Kishës Kolegjiale të Santa Marias në Via Lata, Romë. Papa Gregori XVI e bëri kryeipeshkëv titullar të Efesit, dhe më 18 korrik 1836, u emërua Nunc Apostolik në Vjenë, ku qëndroi për nëntë vjet. Më 14 dhjetor 1840, i njëjti Papë e zgjodhi atë si kardinal in pectore, duke e bërë të njohur dekretin më 21 prill 1845. Ludoviku mbajti pozicione të ndryshme brenda Kuries. I zgjedhur si pro-sekretar i Memorialeve, banoi në pallatin Quirinale, rezidencë e Papës. Këtu, apartamenti i tij, ashtu si ai i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, ishte i lidhur drejtpërdrejt me atë të Papës, me të cilin ai kishte takime të shpeshta. Gjatë viteve, ai mbajti role të ndryshme. Në konsistorin sekret të 17 dhjetorit 1860, Papa Piu IX i caktoi atij kishën e Albanos. Kur kolera goditi qytetin në gusht 1867, Ludoviku nxitoi atje. për të drejtuar veprimet e autoriteteve të shëndetësisë si dhe për t’u dhënë sakramentet të sëmurëve. Pasi u sëmur, ndërroi jetë më 11 gusht 1867. Dosja e çështjes së tij tregon se vdekja e tij e parakohshme, në mes të kolerës, ishte dhurim i jetës që bëri kardinali. Kështu, duke respektuar kushtet e «motu proprio Maiorem hac dilectionem» të Papa Françeskut, u shpall «I nderuar» sot.

Don Edward Joseph Flanagan
Don Edward Joseph Flanagan

Edward Joseph Flanagan

Edward Joseph Flanagan lindi më 13 korrik 1886, në Ballymoe, Irlandë. I teti ndër 11 fëmijë, u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 18-vjeçare, mbasi e bindi një prej vëllezërve të tij. Pasi u diplomua «bachelor» në letërsi dhe filozofi, u pranua në Seminarin e Shën Jozefit në Yonkers, New York. Megjithatë, gjatë vitit të tij të parë, ai u sëmur rëndë dhe ndenji në infermierinë e seminarit për gati pesë muaj, derisa mjekët e këshilluan të ndërpresë studimet dhe të kthehej në shtëpi. U  infektua kështu nga një sëmundje kronike e mushkërive, gjë që e shoqëroi gjithë jetën.

Më vonë, u dërgua për të studiuar në Romë, në Universitetin Papnor Gregorian, por përsëri sëmundja e detyroi të kthehej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për njëfarë kohe, punoi në departamentin e financave të «Cudahy Packing Company», pastaj rifilloi studimet.

Flanagan u shugurua meshtar në Innsbruck më 26 korrik 1912. Si zëvendësfamullitar i Shën Patrikut, famulli që u godit nga një tornado tetë ditë pas mbërritjes së tij, Atë Flanagan punoi pa u lodhur për të qenë pranë njerëzve, duke ndihmuar viktimat dhe familjet e tyre dhe duke iu përgjigjur nevojave të tyre. Në vitin 1914, në bashkëpunim me Shoqërinë e Shën Vincent Paulit, ai mendoi projektin për një konvikt për të papunët, «Hotelin e Punëtorëve». Këtu vuri re sa e nevojshme ishtepër t’i arsimuar si duhet djemtë. Më pas, themeloi «Shtëpinë e Djemve» në Omaha më 12 dhjetor 1917, për të strehuar të mitur të braktisur ose viktima të abuzimeve. Puna u shtua shpejt dhe Atë Flanagan bleu «Overlook Farm», një fermë prej 150 akrash dhe këtu çoi pastaj «Shkollën e Djemve». Gjetën strehë këtu 280 djem dhe u pa i nevojshëm një projekt ndërtimesh. Për këtë nisi, pastaj, edhe fushata e mbledhjes së fondeve. 

 Në vitin 1934, kjo shkollë u shndërrua në një qytezë të themeluar te forma e vetëqeverisjes. Atë Flanagan pati rolin e atit shpirtëror për qindra djem dhe punoi për të rritur ndërgjegjësimin për punën. Në shtator të vitit 1945, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai mikpriti një numër të madh djemsh jetimë dhe familjet e tyre në «Qytetin e Djemve». Në vitin 1947 shkoi në Japoni dhe Kore, ku tashmë ekzistonte lëvizja për ndërtimin e një «Qyteti Djemsh». Suksesi i madh i këtij udhëtimi e çoi atë në Vjenë për të ndihmuar në planifikimin e sistemit të ndihmës për jetimët e luftës. Më 15 maj 1948, ndërsa ishte në Berlin, ndërroi jetë nga infarkti. Në salikimet e tij morën pjesë afërsisht 30,000 vetë.

Falë idesë së tij janë krijuar 89 «Qytete Djemsh» në të gjithë botën. Fama e tij u përhap veçanërisht përmes një filmi artistik që doli nëpër kinema në vitin 1938 me titullin «Qyteti i Djemve». Rolin e tij e luajti aktori Spencer Tracy, i cili fitoi çmimin Oscar, si aktori më i mirë për këtë interpretim.

Henri Caffarel

Shtetas francez, Henri Caffarel u lind në Lion më 30 korrik 1903. Në vitin 1923, pasi lexoi librin «Vademecum proposé aux âmes religieuses» të murgeshës italiane Benigna Consolata Ferrero, Caffarel shqoi thirrjen e tij për jetë të shuguruar. Frekuentonte abacinë e Auberive (Grand-Est), por problemet shëndetësore e penguan të ndiqte rrugën e zakonshme të seminarit. Megjithatë, eprori i seminarit të Carmes në Paris e regjistroi atë si auditor të lirë në institutin katolik. Pasi u shugurua meshtar më 19 prill 1930, shërbeu në sekretariatin e përgjithshëm të Rinisë Punëtore të Krishterë (Jeunesse Ouverière Chrétienne), pastaj në atë të Veprimit Katolik si sekretar i përgjithshëm i «Centrale katholique du cinéma et de la radio».

Më vonë Caffarel qe redaktor i revistës «Choisir», një revistë e përjavshme, themeluar në vitin 1932 për të informuar dhe për të edukuar publikun rreth përdorimit të kinemasë dhe radios, si dhe për të promovuar përmirësimin e këtyre. Në vitin 1936, dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat e tij për t'iu përkushtuar predikimit ushtrimeve shpirtërore dhe drejtimit të tubimeve, veçanërisht për të rinjtë. [ Photo Embed: I Nderuari i ri, D. Henry Caffarel]

Në vitin 1939 nisi një formë të re apostullimi kushtuar edukimit të çifteve të martuara. Grupet shpejt u rritën dhe kështu, më pas, lindën «Ekipet e Zonjës Sonë».

Më 8 shtator 1943, në shpellën e Lurdit, bashkë me shtatë vejusha, ai kërkoi ndërmjetësimin e Virgjërës Mari për të kuptuar vullnetin e Zotit për themelimin e një grupi të ri kushtuar grave të veja. Në vitin 1977, ky grup i ri u quajt "Vëllazëria e Zonjës Sonë të Ngjalljes". Në vitet 1950, Atë Caffarel udhëtoi shumë për të themeluar dhe për të mbështetur qendra të reja ekipesh. Me këtë qëllim udhëtoi në Belgjikë, Egjipt, Spanjë, Kanada, Brazil, Kolumbi, Poloni dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por këto janë vetëm disa nga vendet që ai vizitoi.

Në vitet 1960, Caffarel drejtoi një shtëpi të madhe në Troussures dhe organizoi javë lutjesh të hapura për të gjithë – laikë, meshtarë, beqarë dhe të martuar. Kaloi në amëshim më 18 shtator 1996, në Beauvais.

Henri Caffarel
Henri Caffarel

Stanisława Samulowska

Stanisława Samulowska, që u shpall sot e «E nderuar», u lind më 30 janar 1865, në një familje fermerësh në Woryty, në dioqezën e Warmia-s (Prusia Lindore). Në moshën dymbëdhjetëvjeçare, ndërsa përgatitej për Kungimin e saj të Parë, asaj dhe disa vajzave të tjera iu shfaq Virgjëra Mari. Për të shmangur arrestimin nga autoritetet prusiane, që që tregoheshin armiqësore ndaj katolicizmit dhe polakëve, me nxitjen e famullitarit, ajo shkoi te një mik i familjes dhe më pas te «Bijat e Bamirësisë» të Shën Vincent Paulit. Pikërisht në këtë urdhër hyri më vonë si rishtare. [ Photo Embed: E Nderuara e re, Motër Stanislawa Samulowska]

Pas viteve të formimit, më 2 shkurt 1889, ajo bëri betimet e saj në Paris, ku qëndroi për rreth 12 vjet. Këtu iu kushtua kujdesit të fëmijëve dhe drejtimit të një strehe në shtëpinë e «Bijave të Bamirësisë» në Belleville. Më 9 gusht 1895, Samulowska u dërgua në Guatemalë, ku qëndroi për pjesën tjetër të jetës së saj.

Ajo pati detyra të ndryshme, si për shembull Eprore e Rishtarisë dhe më pas Eprore e Spitalit Provincial të Antiguas dhe e Spitaleve të tjera Provinciale, detyrë që e mbajti deri në vitin 1917 dhe ku u dallua për kujdesin e saj të veçantë për të sëmurët. Qe thellësisht e përkushtuar ndaj spitalit, ku ndërtoi një kishëz dhe më vonë një bazilikë. Motër Stanisława vdiq në moshën 85 vjeçare, më 8 dhjetor 1950. Në varrimin e saj mori pjesë një numër i madh njerëzish, ndër ta edhe shumë personalitete civile dhe kishtare.

Stanislava Samulowska
Stanislava Samulowska

Maria e Betlehemit të Zemrës së Jezusit Romero Algarín

Maria Dolores Romero Algarín u lindi në Sevilje më 6 tetor 1916. Mbeti jetime që fëmijë dhe, së bashku me disa miq, nisi një sërë veprimtarish apostolike dhe bamirësie, veçanërisht për fëmijët në nevojë dhe punëtorët më të varfër. Më vonë, ajo u dashurua me një kushëri të largët. Mbasi mbeti i plagosur në një aksident me motor, i riu u shërua dhe këtë shërim ia diti për nder Virgjërës Mari. Kështu, Maria Dolores mendoi se kjo ishte një shenjë e thirrjes së saj për të ndjekur Jezu Krishtin në jetën e shuguruar. Kështu, më 19 mars 1938, në moshën 21 vjeç, ajo hyri në Kongregacionin e Shërbëtoreve të Zemrës Hyjnore në Moguer (Huelva). Pasi mori emrin María Belén del Corazón de Jesús, ajo u caktua në Kolegjin Aracena (Huelva), ku punoi si mësuese dhe qe përgjegjëse për konviktin e studentëve. [ Photo Embed: E Nderuara e re, Maria e Betlhemit të Zemrës së Jezusit Romero Algarin]

Më 16 janar 1953, u dërgua si eprore dhe themeluese e misionit Dianópólis (Tocantins), në qendër të Brazilit. Këtu, përveç kujdesit për të vobektët dhe të sëmurët, ajo e shtriu misionin e saj në fshatrat përreth. Në vitin 1962, u emërua eprore e komunitetit dhe drejtoreshë e kolegjit «Volta Redonda» (Rio de Janeiro). Këtu iu desh të ballafaqohej me një tranzicion të vështirë, por iu kushtua veprimtarive shkollore, formimit të murgeshave të reja dhe promovimit të veprave të shumta apostolike dhe bamirëse, siç ishin vizitat në burgje dhe themelimi i "Association Servir" për të varfrit. Në vitet që rrodhën, asaj iu besuan detyra të reja, të cilat i kreu me entuziazëm. Në vitin 1977, Maria u diagnostikua me një sëmundje të rëndë në mushkëri. Dha shpirt më 12 nëntor.

Maria e Betlehemit të Zemrës së Jezusit Romero Algarín
Maria e Betlehemit të Zemrës së Jezusit Romero Algarín

Giuseppe Castagnetti

Giuseppe Castagnetti u lind më 15 mars 1909 në fshatin Ringola, në provincën e Modenës, Itali. Qe i nënti ndër trembëdhjetë fëmijë që pati ajo familje. Giuseppe u formua ndër rradhët e «Veprimit Katolik». Rreth moshës njëzetvjeçari pati korrespondencë personale me Shën Piun e Pietrelcinës, dhe e quante veten bir shpirtëror të këtij.

Në vitin 1928, pasi zëvendësoi të vëllain, Adolfo, ai mori përsipër mbarështimin e një baxhoje në Sterpatelli. Puna e tij ishte jashtëzakonisht e vështirë, por gjente kohë të mjaftueshme për jetën e tij shpirtërore. Më 11 shkurt 1939, u martua me Giovannina Seghedoni, me të cilën pati 12 fëmijë, nga vitet 1940 deri në 1958.

Shumë vite më vonë, u bë pronari i vetëm i baxhos, ndërsa merrej edhe me problemet e gruas së tij, e cila u diagnostikua me një çrregullim psikiatrik. Për këtë arsye, Giuseppe mori përsipër rritjen e fëmijëve të tij me moralin dhe besimin e krishterë, duke u kujdesur edhe për nevojat e tyre praktike. I zgjedhur kryetar bashkie i Prignano sulla Secchia pas Luftës së Dytë Botërore, ai iu përkushtua më të cënueshmëve dhe punoi për rindërtimin e rrugëve komunale, për ujësjellësin, energjinë elektrike, për linjat telefonike, si edhe për sistemin e kanalizimeve. 

I Nderuari i porsashpallur, Giuseppe Castagnetti
I Nderuari i porsashpallur, Giuseppe Castagnetti

Po ashtu, Castagnetti mbikëqyri planin e strehimit social, ndërtimin e shkollave dhe mirëmbajtjen e parqeve publike. Për më tepër, hapi një klinikë pediatrike dhe një tjetër për të rriturit, duke u ofruar punëtorëve më në nevojë vizita mjekësore falas.

Për shërbimet e tij në rindërtimin e Italisë, më 2 qershor 1954, iu dha titulli «Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane». Castagnetti vazhdoi t'i shërbente qytetit të tij edhe pas përfundimit të mandatit, duke u angazhuar më pas në punë të vogla fizike.

Mbasi la detyrën që kishte, u bë i cënueshëm dhe qarqe të caktuara dashakeqe e sulmuan e kështu që iu desh t’i nënshtrohej poshtërimeve.

Kaloi në amëshim më 22 qershor 1965, duke kërkuar falje dhe duke i falur të gjithë ata që i kishin bërë paudhësi.

Më 26 qershor 2005, 40 vjet pas vdekjes së tij, kryetari i bashkisë Prignano sulla Secchia përuroi një shtatore bronzi kushtuar Castagnetti-t në sheshin para bashkisë.

23 mars 2026, 16:06