Kërko

2026.03.20 greenaccord treviso

Leoni XIV: duhet përgjegjësi më e madhe ekologjike për një të ardhme më të mirë

"Të vazhdohet vepra solidare dhe ndërgjegjësimi për kujdesin ndaj Krijimit të Zotit, përmes projekteve për zhvillimin e qëndrueshëm". Kjo, ftesa e Papës Leoni XIV për pjesëmarrësit në Forumin e 17-të Ndërkombëtar të Greenaccord me temë "Ta ndërtojmë të ardhmen së bashku - Një njerëzim i ri me etje për të ardhmen", që po mbahet këto ditë në Treviso të Italisë. Kardinali Parolin: Kënga e Krijesave e Shën Françeskut është "diplomaci e kulturave"

R.SH. - Vatikan

Për Papën Leoni XIV, përgjegjësia ekologjike nuk është çështje numrash dhe statistikash. Megjithëse janë thelbësore, nuk mjaftojnë. "Duhet një edukim, që përfshin mendjen, zemrën dhe duart, praktika virtuoze dhe stile të reja komunitare", shkruan Ati i Shenjtë në një mesazh të firmosur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Forumit Ndërkombëtar të Greenaccord, që po mbahet këto ditë në Treviso të Italisë. Papa thekson nevojën për të ndërtuar një ambient shoqëror, që respekton brezat e ardhshëm, siç paraqitet në letrën e tij apostolike “Të përvijohen harta të reja të shpresës”.

Të kapërcehet pragu, për të mbrojtur Krijimin

Në takimin, që po zhvillohet në Treviso, merr pjesë edhe prefekti i nderit i Kongregatës së dikurshme për Klerin, kardinali Beniamino Stella, i cili lexoi një relacion të kardinalit Parolin me rastin e 800-vjetorit të Këngës së Krijesave dhe të Kalimit në amshim të Shën Françeskut të Asizit. Në të, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujton rëndësinë e "kapërcimit të pragut" për të përballuar krizën mjedisore. Duke cituar temën e Forumit, "Ta ndërtojmë të ardhmen së bashku - Një njerëzim i ri me etje për të ardhmen", kardinali pohon se kujdesi për Krijimin kërkon një botëkuptim të ri, përtej ideologjisë dhe teknologjisë. Nuk mjafton administrimi i ftohtë dhe pa shpirt i ambientit, por duhet gjetur një rrugë, që promovon përfshirjen dhe bashkimin. Kënga e Krijesave, thekon Parolin, nuk ofron vetëm ndjesi për natyrën, por është mësim shpirtëror, që fton për ruajtjen e Gjithësisë me përgjegjësi, pa e shfrytëzuar atë.

Inteligjenca e gjithanshme e françeskanizmit

Më pas, kardinali thekson rëndësinë e inteligjencës së gjithanshme, që e sheh qenien jo si burim për t'u shfrytëzuar, por si dhuratë për t'u pranuar. Ky vizion buron nga françeskanizmi, i cili i vendos marrëdhëniet në qendër të ekzistencës dhe fton të mbrohet bota si "vëlla" e si "motër". Në konferencë u diskutua edhe për sfidat e Inteligjencës Artificiale, e cila shihet si provë për pjekurinë antropologjike të njeriut. Parolin ngul këmbë në rëndësinë e një orientimi që të ndikojë në vendimet për të arhdmen, në mënyrë që teknologjitë t’u përgjigjen kritereve të transparencës dhe të përgjegjësisë.

Diplomacia e kulturave: Kënga e Shën Françeskut

Kënga e Krijesave, sipas kardinalit Parolin, është përshpirtëri dialogu, model i "diplomacisë së kulturave". Në një botë të shënuar nga humbja e besimit ndërmjet popujve dhe breznive, dialogu nuk duhet të shihet si paternalizëm, por si ndërlidhje reciproke. Dija duhet të shërbejë për të kapërcyer stereotipet, duke mos lejuar që larmia të bëhet burim konflikti.

Ruajtja e paqes dhe e drejtësisë: një angazhim i përbashkët

Kardinali Parolin e përfundon relacionin duke theksuar se paqja me tokën dhe paqja ndërmjet njerëzve janë të pandashme. Aty ku krijesa plagoset, shoqëria shkërmoqet; aty ku dinjiteti shkelet, natyra bëhet pre e shfrytëzimit. Kujdesi për krijesën nuk është vetëm akt ekologjik, por edhe akt drejtësie: do të thotë të respektojmë tjetrin, shkencën, teknologjinë dhe të ardhmen. Në këtë këndvështrim, përgjegjësia e vërtetë nuk është vetëm operative, por edhe shpirtërore dhe institucionale: është ajo e ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët bazuar në diplomacinë e paqes, që fillon me gjuhën që përdoret dhe verifikohet në mbrojtjen e më të brishtëve.

20 mars 2026, 17:52