Kërko

Leoni XIV pret në audiencë Mbretërit e Spanjës

Sot paradite takimi i Papës me Mbretin Felipe VI i shoqëruar nga Mbretëresha Letizia e Spanjës. Pasuan bisedimet në Sekretarinë e Shtetit, ku u përmend udhëtimi i ardhshëm i Papës në vendin iberik si dhe rëndësia e një angazhimi të vazhdueshëm për paqen.

R.SH. / Vatikan

Në Pallatin Apostolik, siç njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, sot paradite, më 20 mars, Papa Leoni priti në audiencë Mbretin Felipe VI dhe Mbretëreshën Letizia të Spanjës.

Pas audiencës te Papa, Mbretërit u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, dhe me Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Në qendër të bisedës ishin "marrëdhëniet e mira midis Selisë së Shenjtë dhe Spanjës, të cilat do të kenë një moment domethënës – lexohet në tekst – në Udhëtimin e ardhshëm Apostolik të Atit të Shenjtë". U diskutua gjithashtu edhe për disa çështje aktuale që lidhen me situatën e vendit dhe misionin e Kishës në shoqëri.

Ndër temat e shqyrtuara ishte edhe "rëndësia e një angazhimi të vazhdueshëm në mbështetje të paqes" dhe forcimi i parimeve dhe vlerave që qëndrojnë në themel të bashkëjetesës ndërkombëtare.

Pasi u larguan nga Vatikani, Mbretërit u zhvendosën në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe (Santa Maria Maggiore) për dhënien e titullit "Protokanik i Kapitullit të Bazilikës Liberiane" për Mbretin Felipe VI.

20 mars 2026, 13:27