Ndjeti i prillit: Leoni XIV fton të lutemi për meshtarët në krizë
R.SH. – Vatikan
Në fillim të Javës së Madhe, Papa Leoni XIV paraqet ndjetin e tij të lutjes për muajin prill, kushtuar meshtarëve në krizë, duke i ftuar besimtarët të reflektojnë mbi nevojën për t'u kujdesur për ta, për t'i dëgjuar dhe për t'i shoqëruar. Nëpërmjet Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës - me fushatën "Lutu me Papën" - Ati i Shenjtë i nxit besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë të ndalen në lutje, për t’u bërë të vetëdijshëm se pas çdo shërbese meshtarake, ka një jetë, e cila ka nevojë për afërsi e për një vesh që dëgjon.
Në ndjetin e tij, Papa i larton me gjithë shpirt Zotit lutjen për meshtarët, që përjetojnë kohë të vështira: "kur vetmia rëndon, kur dyshimet e errësojnë zemrën dhe kur lodhja duket më e fortë se shpresa". Leoni XIV kujton se meshtarët nuk janë "as zyrtarë dhe as heronj të vetmuar, por bij të dashur, dishepuj të përvuajtur dhe të çmuar, si edhe barinj të mbështetur nga lutjet e popullit të tyre".
Gjithashtu, Ati i Shenjtë thekson rëndësinë e rizbulimit të përmasës komunitare të shërbesës priftërore. Në veçanti, i fton besimtarët t'i "dëgjojnë meshtarët pa gjykuar, t'i falënderojnë pa kërkuar përsosmërinë dhe t'i shoqërojnë me afërsi e lutje të sinqertë", duke pranuar se kujdesi për ta është përgjegjësi e gjithë Popullit të Zotit.
Në lutjen e tij, Papa kërkon veçanërisht që meshtarët të mbështeten me “miqësi të shëndetshme e rrjete, që i përkrahin vëllazërisht”, si edhe të ndihmohen që të besojnë gjithmonë në hirin hyjnor për të rizbuluar bukurinë e thirrjes së tyre.
Të përkrahen vëllazërisht ata, që ndihmojnë të tjerët
Në dritën e doktrinës së Kishës - nga Koncili II i Vatikanit e deri te mësimet e Papëve të fundit – edhe meshtari shihet si njeri, që ka brishtësitë e veta, prandaj, ka nevojë për mëshirë, afërsi dhe mirëkuptim. Për këtë arsye, theksohet që të mos lihet vetëm në çastet e shkurajimit, por të shoqërohet dhe të mbështetet nga bashkësia. Shtyllat e ekzistencës së tij të jenë vëllazërimi meshtarak, jeta e përbashkët dhe lutja e Popullit të Zotit.
Lutuni me Papën
Rrjeti Botëror i Lutjes i Papës, në faqen e tij në internet https://www.popesprayer.va/en/praywiththepope/ - u jep mundësi të gjithëve të luten së bashku me Atin e Shenjtë edhe për këtë ndjet të prillit, që u bën jehonë qëndrimeve të mëparshme të Papëve në mbështetjen e misionit të përditshëm të meshtarëve.
Papa Françesku, në "Videon e Papës" të korrikut 2018, pati shprehur shqetësimin për vëllezërit e tij meshtarë, duke e filluar ndjetin me fjalët: "Lodhja e priftërinjve! A e dini sa shpesh mendoj për këtë?"
Më 27 qershor 2025, Papa Leoni XIV, me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Meshtarëve, iu drejtua atyre, duke thënë: “Mos kini frikë nga brishtësia juaj: Zoti nuk kërkon priftërinj të përsosur, por zemra të përvuajtura, të hapura për kthesë dhe të gatshme për të dashur, ashtu siç na deshi Ai vetë”. Një ditë më parë, më 26 qershor 2025, në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar “Meshtarë të Lumtur – “Ju kam quajtur miq” (Gjn 15,15)”, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Klerin në Jubileun e Meshtarëve, Papa nënvizoi: “Në zemër të Vitit të Shenjtë, së bashku, duam të dëshmojmë se mund të jemi priftërinj të lumtur, sepse Krishti na ka thirrur, Krishti na ka bërë miqtë e tij (shih Gjn 15,15): është hir, që dëshirojmë ta mirëpresim me mirënjohje dhe përgjegjësi”.
Rrjeti Botëror i Lutjes i Papës thekson se ky ndjet nuk është vetëm ftesë për t'u lutur, por edhe për të vepruar: duke krijuar hapësira dëgjimi, bashkësi mikpritëse, duke shmangur kritikat shkatërrimtare dhe duke forcuar lidhjet komunitare.
Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës
Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës është Vepër Papnore, besuar Shoqërisë së Jezusit. Është i pranishëm në mbi 90 vende, duke lidhur në lutje një bashkësi shpirtërore prej më se 22 milionë njerëzish, që i drejtohet Hyjit për ndjetet mujore të Atit të Shenjtë.
I themeluar që në vitin 1844 si Apostullim i Lutjes, në dhjetor 2020, Papa Françesku i dha statusin e Fondacionit Vatikanas, ndërsa në korrik 2024, miratoi statutet e tij përfundimtare.
